Ora 15:20 Topalli: Majko, socialisti më i ndershëm - Xhafaj hetues në diktaturë
Deputetja e Partisw Demokratike, Jozefina Topalli u shpreh Pandeli Majko mbetet deputeti më i ndershëm i sociailstëve.
Megjithatë, ajo nuk shmangu rezervat ndaj tij. "Majkon e shoh si ndër socialistët më të ndershëm. Por ku ishte ti Pandi kur kryetari jot fuste kriminelë në grupin parlamentar, si nuk të dëgjova asnjë fjalë. Nuk të dëgjova as kur kryetari juaj fliste kundër liberalizimit të vizave. Fatmir Xhafaj është kryetari i reformës kushtetuese. Ka qenë hetues në kohën e diktaturës dhe komunizmit”, tha Topalli.
Sa i takon procesit të "vettingut", ish-kryetarja e Kuvendit tha se nuk duhet tu jepet kompetencë kushtetuese të huajve, por të bëhet marrëveshje. "S’më duket normale që të marrë lidershipin e zgjidhjes së reformës në drejtësi. E di që ju vjen keq kur përmenden disa të vërteta. Mos i merrni gjërat as me inat as me xhelozi por me parime dhe të bazuara tek komisioni i Venecias. Kalojeni nga kompetencë kushtetuese në ligjore, në marrëveshje", tha Topalli.
Ora 14:05 Xhafaj-Berishës: Koha jote ka mbaruar, ekspertët rol procedural
Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar, Fatmir Xhafaj, iu përgjigj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit. Berisha e quajti Xhafën bashkëkryetar komunist të drejtësisë, ndërsa Xhafaj iu përgjigj se koha e tij ka mbaruar. “Kur e dëgjoj zotërinë që flet këtu nuk ndjej asnjë emocion. Jo sepse koha e tij ka mbaruar, por edhe se mendja e tij ka mbaruar", u shpreh Xhafaj.
Xhafaj tha se vettingu do të bëhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Sipas tij, PD ishte e para që kërkoi rolin kyç të ekspertëve të huaj në procesin e reformës në drejtësi. "Edhe veten tuaj nuk respektoni? Ju vetë e keni kërkuar që vetingun ta bëjnë ndërkombëtarët. Vetingun përpara fillimit të detyrës për organet e vlerësimit ta bëjnë vëzhguesit ndërkombëtar. E thoni ju? Çfarë ka ndryshuar?", tha Xhafaj.
Ai sqaroi gjithashtu se ekspertët e huaj nuk do emërojnë gjykatësit e prokurorët por roli i tyre do jetë procedural, pasi i gjithë procesi do të asistohet nga ata.
"Jam i nderuar që kam punuar me grupin e ekspertëve. Eshtë i nderuar edhe Komisioni i Venecias. Komisioni i Venecias, thuhet në paragrafin 86, përgëzon autoritetet shqiptare dhe sidomos ekspertët e komisionit parlamentar ah hoc. I përgëzon për punën që kanë bërë ekspertët shqiptarët. Gatishmëria e tyre për të marrë parasysh rekomandimet meriton vlerësim të veçantë. Ekspertët nuk do emërojnë gjykatës e prokurorë por do kenë rol procedural. Rol procedural, nuk kanë rol vendimmarrës. Nuk vendosin ndërkombëtarët, vendos Kuvendi në fund fare. Kanë rol procedural që shprehem siç e ka në të gjithë procesin e vlerësimit që e mbështet Komisioni i Venecias", tha Xhafaj.
Ora 13: 43 Berisha: Reforma nga të huajt, dorëzim sovraniteti
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar cenim të sovranitetit shtetëror emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve nga ekspertët e huaj të drejtësisë. Një ditë më parë, PD zyrtaroi qëndrimin e saj, i cili refuzon draftin hibrid të ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland. Nga foltorja e Kuvendit, Berisha tha se emërimi i gjykatësve dhe prokurorëve nga të huajt ndodh në vendet protektorate që kanë qenë në luftë, ndërsa tranzicionin e tyre e kanë kaluar nën administrimin e OKB-së.
"Mbikëqyrja e vettingut nga ndërkombëtarët është i një rëndësie jetike, por jo dhënie sovraniteti. Mendoni për një moment nëse shquiptarët thonë se do t'i bëjnë letër Merkel për të qenë Landi i 18 i Gjermanisë. Do thonë jo, rrini aty ku jeni. Apo shteti i 52-të i SHBA. Amerikanët do thonë jo, rrini aty. E ç'po thoni ju që të vijnë e të emërojnë gjykatësit? A nuk është kryetari juaj që e thotë 50 herë në ditë se vettingun ua besoj amerikanëve? Se vettingun ua besoj ndërkombëtarëve, europianëve. Unë e shpika këtë? Jo! Ne nuk jemi kundër pranisë, përkubndrazi jemi për prani dhe shumë serioze. Urdhëroni të vëzhgoni zbatimin e çdo kriteri në çdo rast, duke pasur çdo dokument në dorë në përputhje me ligjin e dekriminalizimit. Ti si monitorues ke "arrën dhe çekiçin" në dorë, ti ke në dorë t'i thuash Komisionit Europian se ky vend është vendi më jo serioz, t'i thuash DASH se ky vend s'ka ligje. Këto të gjitha dhe pastaj përballesh me pasojat. KE s'të hap kapitullin e negociatave. Kjo është ajo që kërkojmë ne dhe kjo është garancia më e madhe sesa ideja që një grup ekspertësh të huaj të emërojnë gjykatësit e prokurorët shqiptarë ose të përcaktojnë se cilët mund të emërohen gjykatës e prokurorë. Emërimin s'e pranojmë ne. Kjo ndodh në vendet protektorate. Nëse Kroacia dhe Rumania nuk e kanë, e kanë dy vende, e ka Bosnja që ka qenë protektorat i OKB, e ka Kosova e ka Sierra Leone. Këta duan të krahasojnë Shqipërinë me Sierra Leonen. Edhe në kohën e Ismail Qemalit ajo qeveri emëroi gjykatësit, la bosh kreun e shtetit. Ndodh kur je protektorat i OKB", u shpreh Berisha.
Ish-kreu i PD theksoi se opozita është dakord për rolin monitorues të ekspertëve të huaj. "Ne u themi se nuk jemi dakord me këtë. Jemi dakord që të vëzhgojnë çdo gjë, të shprehin mendim, të dërgojnë raporte në të katër anët e botës për shkeljet që po bëhen në procedurë nga këta shqiptarë", tha ai.
Ora 12:15 ‘Drejtësia’, Blushi: Reforma është shumë pranë afër dështimit
Deputeti socialist Ben Blushi ka thënë sot se Reforma në Drejtësi është drejt dështimit të plotë, pasi palët politike nuk kanë gjetur ende konsensusit për të votuar këtë reformë që për shqiptarët është shumë e domosdoshme.
“Jemi më larg se çfarë ishim para dy vitesh, muajsh, javësh, ditësh e orësh.Mesa duket reforma në drejtësi është shumë afër dështimit”, ka thënë Blushi.
Faturën për këtë dështim, Ben Blushi ia ka lënë kreut të demokratëve Lulzim Basha dhe atij të socialistëve Edi Rama që nuk kanë aftësinë që të bien dakort me njëri-tjetrin.
“Reforma dështon pasi Luli e Edi nuk kanë aftësinë që të merren vesh mes njëri-tjetrin”, tha ai.
Blushi ka thënë se pasojat e këtyre veprimeve do ti paguajnë qytetarët shqiptarë të cilët si ndërkombëtarët po i përçmojnë politikanët duke shprehur neveri ndaj tyre.
“Çështja është që kush janë pasojat e kësaj sot, ka një mosbesim mes klasës politike pas 25 vitesh. Protagonizëm negativ, mosbesim në mundësinë e klasës politike për vendime strategjike. Ka përçmim nga ndërkombëtarët sesa aftësi ka politika për të zgjidhur një çështje jetike për Shqipërinë. Ka neveri nga shqiptarët për këtë klasë politike që nuk ka mundësi të marrë vendim që lehtëson cilësinë e jetës së qytetarëve. Nëse reforma nuk kalon, ndoshta nuk ndodh asnjë gjë, çështja është kush është kostoja dhe kush e paguan atë për mungesën e drejtësisë në Shqipëri”, tha ai.
Sipas Blushit, votimi i Reformës në Drejtësi javën e ardhshme është një gjë gati e pamundur, pasi kishte një mundësi që t’i kalohej popullit, por partitë e mëdha nuk e duan një gjë të tillë.
“Më duket e pamundur ta votojmë reformën pas një jave. Kishim mundësi t’ia jepnim popullit, por kjo mundësi nuk u rezaurua, pasi u mbajt e mbyllur dhe tani i erë e keqe. Ka ardhur koha që populli të marrë disa vendime. Populli pengohet që të marrë vendime. Në 21 korrik klasa politike duket se nuk do të ketë mundësi të gjejë konsensusin për një gjë kaq strategjike", tha ai.
Duke u ndalur tek propozimi i tij dhe Mimoza Hafizit për zgjedhjen e Presidentit nga populli dhe referendumit për Reformën në Drejtësi, Blushi ka thënë se, deri tani ai peticion, i shpërndarë në internet, është firmosur nga 10 mijë shqiptarë.
“Para dy javësh firmosëm një inciativë për ndryshimin e kushtetues për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Kemi kërkuar ta fusnim për diskutime, por duhen 28 vota, por askush nuk firmos. Por partisë PS, PD dhe LSI, tre partitë e vjetra nuk i japin votat. Por nga peticioni online, kanë firmosur 10 mijë veta për zgjedhjen e Presidentit nga populli, i falënderoj të gjithë. Klasa politike po dështon, ka ardhur koha për zgjidhje direkte në popull. Deri në 21 korrik, askush nga tre partitë e vjetra nuk do ta jepni votën për dërgimin e Presidentit në popull”.
Lidhur me akuzat e PDIU-së për vjedhjen e amendamenteve të saj, sa i përket Drejtësisë dhe Presidentit nga populli, Blushi nuk ka kursyer ironinë e tij.
“Çingija e PD-së sot është bërë fshesa e Rilindjes, fjalor vulgar nga një parti e vogël, por për çfarë, kujt i kemi marrë? Ne kemi propozuar Presidentin nga Populli. Amendamenti që nuk ekziston thotë ta provojmë me 3/5 dhe nëse nuk realizohet e dërgojmë në popull”, tha Blushi.