Për herë të parë që prej hapjes së tenderit për privatizimin e kompanisë së vetme shtetërore të naftës dhe dështimit të tenderit për privatizimin e HEC të Bistricës 1, 2, Ulza dhe Shkopet, kryeministri Berisha reagoi sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Në pjesën më të madhe të fjalimit të tij, Berisha u ndal në programin politik për "Rimëkëmbjen ekonomike" që kryetari i PS-së disktutoi të shtunën në një debat të hapur me publikun.
Sipas Berishës ndërkohë që "privatizimi i ekonomisë është një rrugë për t'u mbrojtur nga kriza" altermativa që ofroi Rama për rimëkëmbjen e ekonomisë "është antiprivatizim, një sallatë maqedonase, me përzierje frutash". Berisha e krahasoi Ramën me presidentin venezuelian, Hugo Çaves
“Në programin e tij ekonomik ishte kryekëput antiprivatizim, tërbim i madh nga ana e tij për shitjen e HEC-eve dhe bëri deklarata unike se nuk ka vend që shet të drejtën e shfrytëzimit. Tenderi i HEC do ribëhet. .. Ça është një shitje e të dretës për një periudhë të caktuar, a mund ta pyesim zotin Rama? Gjigandët botërorë të naftës ku i eksplorojnë, ku nxjerrin naftën ato, në të a Mars?! Po shesim të drejtën për një periudhë 20 apo 25 vjeçare. Nëse asnjë vend nuk e shet këtë të drejtë, a mund të pyesim gjigandët botërorë të naftës, Oksi, Shelli. Ka një njeri që nuk shet të drejtën ai është Hugo Caves. Ai po bën gjithça pë të përzënë kompanitë amerikane. Dhe një gjë ka ose je i verbuar nga Caves ose nuk di cdo të thotë koncesion"- tha Berisha duke iu drejtuar Ramës.
Sipas tij "Ky qëndrim antiprivatizim është në kundërshtim flagrant me atë çka kërkohet në union nga ekonomistët. Një rrugë për t’u mbrojtur nga kriza është privatizimi i ekonomisë." dhe reagimi i Ramës ndaj privatizimit "është në vazhdën e reagimeve kundër të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me privatët sot. Të cilat në 3 vitet e fundit garantuan 3.2 miliardë dollarë investime. “
BERISHA: OFERTAT E ALBPETROL PO I VERIFIKOJME
Për herë të parë kryeministri Berisha foli dhe për ofertën prej 850 milionë dollarë që është bërë nga Vetro Silk Road, për tenderin e Albpetrol, duke deklaruar se në këtë proces janë afruar kompanitë më serioze dhe një kompani konsultonte ndër më të mirat në botë, dhe një grup ekspertësh të ngritur në ministrinë e Financave po verifikojnë ofertat.
“Lidhur me ofertën bombastike. E ke gabim. Të ka ngelur mendja te 20 %. Nuk është bombastike. Në treg në ankand këto janë gjërat më të zakonshme, ku mund të afrohet asgjë por dhe shumëfishi që ke përcaktuar. Këtu nuk ka asgjë bombastike. U ofruan kompanitë më serioze, me oferta sigurisht të dallueshme nga njëra tjetra. Por unë i falënderoj. Ishte një vlerësim e besim tek koncesioni i hapur.
Kemi një konsulent më të mirët në fushën e saj dhe po punon non stop. Natyrisht është një proces kompleks, por të dhënat paraprake janë qartësisht pozitive. Janë në operacion të përfshira bankat nga më serioze në botë. Po ndjekim në mënyrë serioze çdo hap. Grupi i vlerësimit që është ngritur në ministri përbëhet nga më kompetentët. Prisja një falenderim dhe një shpresë për të shprehur përfundimin e tij me sukses. As kryeministrit e as kryetarit nuk i lejohet të bëjnë parashikimin e depozitave të gazit dhe naftës. Atë e bëjnë ekspertët. Ai thoshte se në këtë trekëndësh, ma thotë mendja ime ka naftë. Po t’ia lexoni fjalën që mbante sikur ai kishte lindur në naftë. Packa se po ç’pohet thellë një pus ai s’ka shkuar ta shikojë”
BERISHA RAMES: UROJ TE MOS TE TE LERE BENZINA RRUGES
Berisha e quajti ‘show mediatik” debatin për rimëkëmbjen ekonomike që PS zhvilloi të shtunën paradite dhe e akuzoi se po përbalt shifrat të institucioneve ndërkombëtare.
“Sa bën betejë me statistikat e vërteta dhe përpiqesh t’i përbaltësh ato, injoroi dhe shko e merr statistika të tjera. Edhe një OJQ e krijuar një vit më parë nuk i lejon statistikat e tilla. Vetëm program nuk ishte.E di cfarë i tha Cacit: Me këtë që më thua ti më mirë të mos vij në pushtet se do përfundoj si Papandreu".
Duke i uruar për fushatën elektorale që ka nisur Edi Rama Berisha e ftoi të lërë mënjanë fabrikimet dhe me ironi të “mos e lërë benzina rrugës."
“ Zoti kryetar i opozitës ka filluar fushatën elektorale. E përgëzoj dhe e uroj që të mos ta lërë benzina rrugës, por e ftoj që në këtë fushata të lërë mënjanë fabrikën e trillimit që ai e quan fabrikën e mendimit dhe në rastin e ekonomik e udhëheq në dukje Shkëlqim Cani dhe në hije është Cac Angjeli. E sugjeroj t’i referohet social demokratëve praktikave evropiane. Me shumë keqardhje dua të them që Rama paraqiti në shoën e tij mediatik, teza që datojnë në një mënyrë ose në një tjetër nga ekonomistët e vetëadministrimit tek kaosi i vërtet ekonomik. Nuk mund të mos shpreh keqardhje për tezën e tij që e alternon se korrupsioni i sotëm është më i madhi në 100 vjetët e fundit dhe mjerimi më i madh në 100 vjetët. Nëse ju përdorni një tezë të tillë synon të fshish nga memoria kombëtare periudhën më të zezë të diktarturës, ku me ligj e Kushtetutë u paralizua cdo inisiativë e lirë dhe qytetarët u shndërruan absolutisht më keq se skllevër të sistemit skllavopronar.”
Berisha atakoi dhe ish nënkryetarin e grupit PD, Bamir Topi që mbajti dhe postin e presidentit para Nishanit duke i bërë thirrje "të dalë nga qypi"
Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)