Berisha ‘flirtoi’ me islamikët e rusët, akuzon SHBA për komplot ndaj tij

Berisha ‘flirtoi’ me islamikët e rusët, akuzon SHBA për komplot ndaj tij

Sali Berisha

Sali Berisha nuk rresht së akuzuari SHBA-të duke këmbëngulur se vendimin për ta shpallur familjarisht ‘non grata” e kanë marrë vetëm e vetëm për të shkatërruar opozitën dhe forcuar pushtetin e Edi Ramës.

Ndonëse deri pak kohë më parë akuzonte Xhorxh Sorosin si shkaktarin kryesor për sanksionimin e tij nga DASH, tashmë ka kaluar në akuza të reja, teksa duke përmendur ish zyrtarin e FBI-së, thotë se SHBA e shpalli ‘non grata’ thjeshtë dhe vetëm për të forcuar Ramën në pushtet.

Pra Soros kalon në plan të dytë në ‘hierarkinë’ e organizimit të asaj që Berisha e quan ‘komplot ndërkombëtar’ për goditjen e tij dhe për pasojë, meqë veten e unifikon me PD-në, goditjen dhe të opozitës shqiptare, e cila është katandisur copë copë. Ndonëse është vetë ai shkaktari.

Pikërisht një gjë të tillë deklaroi dhe në mitingun e mbrëmjes së martë te rrugica e pallatit të tij, teksa nga dritarja e njërës prej banesave të tij në këtë pallat, ankohej para turmës prej 30-40 vetësh për shpalljen ‘non grata’ nga SHBA dhe ‘komplotit’ që i është bërë opozitës në Shqipëri.

Madje pyeste ithtarët e tij të paktë se si mund të shpallej ai ‘non grata’ familjarisht nën akuzën e korrupsionit madhor, kur sipas tij nuk kishte prekur asnjë lek të shtetit, por kishte qeverisur si ‘ëngjëll’.

Këto ankesa para militantëve Berisha i bënte në kushtet e arrestit shtëpiak nën akuzën për ‘korrupsion pasiv’ në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, në aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”, ku ndërtoi 19 kulla dhe përfitoi me një ‘dorë’ 5.4 milionë euro. Dhe kjo masë sigurie është dhënë për efekt të moshe, pasi nëse do të ishte më i ri, me akuzën që ka në kurriz, si të gjithë të tjerët do të ishte nën arrest në qeli, në pritje të përfundimit të hetimit nga SPAK dhe gjykimit nga ana e Gjykatës së Posaçme për të dhënë vendimin përfundimtar për akuzat e artikuluara ndaj tij. Shpallej fajtor ose jo, kjo mbetej në dorë të gjykatës.

Por dhe dhëndri është nën arrest shtëpie nën akuzën e pastrimit të parave dhe teksa drejtësia ka vepruar sipas ‘stilit’ amerikan, ‘ndiq paranë’, e në bashkëpunim dhe me organet ligjzbatuese gjermane, janë vënë në gjurmët e mbi 300 mijë eurove dhe Jamarbër Malltezi i ka dërguar vajzës së tij në Gjermani përmes linjës bankare. Pra mbesës së Berishës, për këtë bëjmë fjalë.

Berisha përmend dhe bashkëshorten e tij Lirie para militantëve, e cila sipas tij, për 14 vite me radhë kishte qënë në shërbim të autikëve, pa përfituar kokërr leku. Dhe kur e dëgjon këtë, vërtetë duket sikur Berisha ka zbritur tani në planetin tokë, pas një shkëputjeje të gjatë. Pasi kanë mbetur në memorien e shqiptarëve ballot dhe ekspozitat ‘bamirëse’, ku ‘manjatët’ shqiptarë të naftës, ata që ia nxorën ‘ujin e zi’ kësaj pasurie të shtetit shqiptar, dhuronin para pafund, duke arritur deri aty sa një pikturë e thjeshtë të shitej deri në 300 mijë euro, në ‘favor të autikëve’ të Liri Berishës. Dhe këto para kanë shkuar diku, pasi nuk besojmë se janë bërë supë për ata 10-15 fëmijë autikë për të cilët thotë Berisha se kujdesej bashkëshortja e tij Lirie.

Por Berisha e di fort mirë se përse është shpallur ‘non grata’ familjarisht nga SHBA, më pas dhe nga Britania e Madhe, e trajtohet si i tillë ndonëse i pashpallur dhe nga vendet anëtare të BE, madje dhe nga vendet e të rajonit përfshirë Kosovën. Pasi askush nuk e fton për vizitë, askush nuk e takon, sidomos që kur u shpall ‘non grata’.

Tjetër gjë se çfarë deklaron njëherë se loboi Soros, njëherë se ia bëri FBI, njëherë se e penalizuan amerikanët se ‘pengoi ndarjen e Kosovës” duke akuzuar direkt ‘miqtë’ e tij republikanë pasi ishte President Donald Trump atë kohë për të cilën bën fjalë Berisha, dhe deklarata të tjera të këtij lloji, ku asnjëra nuk i ngjan tjetrës, duke dhënë përherë një variant të ri.

Berisha kur ia do puna e ka përmendur dhe e përmend faktin se partnerët tanë ndërkombëtarë mbajnë ‘shënime’, shumë ‘shënime’, përpara se të ndërmarrin një vendim, Dhe kur merret vendimi që nuk i pëlqen vetë Berishës, fillon e thur teori konspirative, thjeshtë për të mbajtur rreth vetes ata pak militantë që i kanë mbetur, për t’i përdorur si mburojë për hallin e tij personal.

Berisha harron ‘flirtin’ që në krye të herës me vendet radikale islamike dhe ‘bijtë e terrorit’, teksa anëtarësoi Shqipërinë në Konferencën Islamike. Dhe nuk qëndron vetëm këtu e keqja. Berisha u ‘vëllazërua’ shumë me këta elementë dhe vende readikale, sa përfitoi dhe shuma të mëdha parash e ndihma të tjera në formë dhuratash. Mjafton të pyesë kushdo se ku u ndërtua spitali me financim nga bota islamike tek ish fusha e Aviacionit, dhe merret vesh se ku shkuan miliona dollarët e dhënë nga ‘bijtë e Allahut’. Pasi aty ka ndërtime, lulishte por spital nuk ka. Futuni në motorin e kërkimit ‘google’ dhe do gjeni lajmin dhe foton e Berishës për ‘spitalin’.

Dhe partnerët, veçanërisht amerikanët kanë mbajtur ‘shënime’, pasi kohë më vonë Shqipëria u kthye në një poligon stërvitjeje për Al Kaedën, luftëtarët e të cilës u vizituan nga vetë Osama Bin Laden aty nga viti 1994-1995, që në përbërje të një ‘delegacioni biznesmenësh arabë’, takoi vetë Berishën dhe më pas ndoqi nga afër këto stërvitje në terren. Për largimin e të cilëve u hoq piciri nga shërbimet inteligjente shqiptare dhe partnere shumë e shumë vite më vonë, kur Berisha u largua nga pushteti. Dhe ku dhe atëherë akuzoi amerikanët se e hoqën me dhunë.

Partnerët, veçanërisht SHBA që kanë përgjegjësi globale për stabilitetin dhe demokracinë, nuk e harrojnë ‘flirtin’ me iranianët në të dyja qeverisjet, duke bashkëpunuar me Gardën Revolucionare të Iranit por dhe duke u kthyer më vonë në ‘delen e zezë’ të NATO-s për rrjedhjen e informacioneve drejt vendeve jo mike apo armike, si Rusia, Irani e vendet Arabike.

Fundja Berisha e pranon dhe vetë se amerikanët donin ta hiqnin pushteti kur ishte President. Dhe ku e deklaron këtë. As më pak dhe as më shumë por në televizionin iranian. Aty gjeti që si një ‘mysliman i mirë shqiptar’ të rrëfente hallet që e kishin kapur me SHBA, pra sipas tij ‘me Fuqitë kolonialiste (me në krye SHBA-të), Berishës, që shkaktuan rrëmujën në Shqipëri dhe luftën në Bosnjë’, duke e detyruar madje që të lejonte dhe kontrabandën e naftës me Milosheviçin sepse “ndihej inferior nga presioni (sipas tij anti-musliman) i vendeve perëndimore”.

Megjithëse paratë i mori për vete, ndërsa kur u zbulua skema dhe takimi me ish kryeministrin malazez në përbërje të ish Fedratës së Jugosllavinë Momir Bulatoviç, ka akuza dhe për takimin me Milosheviçin në shën Naum në Ohër, dha një variant tjetër për thyerjen e embargos së OKB ndaj kasapit serb, duke përmendur se kishin mbetur në ‘tako’ makineritë bujqësore të fermerëve të Kosovës, nga mungesa e karburantit dhe nuk po punohej toka. Të cilën e ‘plugoi’ me gjakun e shqiptarëve të Kosovës makineria ushtarake e Milosheviçit me naftën që kishte depozituar pas furnizimit përmes Shqipërisë, në thyerje të embargos së OKB.

Për më tepër që Berisha akuzon SHBA-të si shkaktare për firmat mashtruese piramidalë që i grabitën deri në vitin 1997 mbi 1.2 miliardë dollarë kursime dhe e çuan vendin në faliment dhe në prag të luftës civile. “Shumë banka Evropiane dhe të tjera i kanë mbajtur këto firma në mënyrë të veçantë SHBA-ja, ajo nga njëra anë kërkonte prej nesh të heqim dorë nga limani i Durrësit, me qëllim që të vendoste bazat ushtarake të cilat do t’i shërbenin për inspektimin e fluturimeve mbi territorin e Bosnjë-Hercegovinës dhe për këtë ata na premtuan anëtarësimin në Partneritetin për Paqe. Për fat të keq, as që bëhet fjalë për anëtarësim për Partneritet për Paqe, për ndihmë, ndërsa ata tani kërkojnë dorëheqjen time…”, deklaron Berisha në televizionin iranian, në atë intervistë të dhënë në prill 1997, vetëm 3 muaj para dorëheqjes nga posti i Presidentit.

Këtu na zbulon dhe një detaj tjetër, se kishte bllokuar sipas tij Durrësin, për t’u përdorur nga amerikanët si liman që të mbikqyrte luftën në Bosnje, ku Milosheviçi kreu krime monstruoze duke vrarë dhe shkatërruar gjithçka. Berisha ia dha një ‘dorë’ të dytë ‘kasapit’ të Ballkanit, duke mos pranuar, sipas tij këtë kërkesë të amerikanëve. Dhe nëse është e vërtetë është krim.

Teksa përmend shprehjet e ‘babait të tij shpirtëror’ Enver Hoxhës, për hir të së vërtetës si një kopje e keqe e tij, për fuqitë kapitaliste, Berisha nuk ngurron të përdorë dhe terma të tilla me ngjyrosje fetare, teksa akuzon fuqitë e mëdha se nën alibinë e luftës kundër terrorizmit islamik, po implementojnë idetë e tyre kolonialiste, duke vënë në rrezik sipas tij dhe vetë myslimanët shqiptarë dhe duke kërkuar ta hiqnin nga pushteti vetëm pse ishte mysliman.

Nuk po zgjatem shumë në këto fakte, pasi janë të shkruara dhe mund ta gjejë të plotë gjithkush që dëshiron intervistën e Berishës në televizionin iranian. Ajo që dua të nënvizoj është se Berisha e kishte bërë ‘baltë’ që atëherë, dhe do kishte qënë më e udhës që pas humbjes së zgjedhjeve në korrik 1997, ku pasi la pas mbi 4 mijë të vrarë, vendin e shkatërruar nga themelet dhe shqiptarët me gisht në gojë për shkak se humbën paratë e tyre, ai duhej të ishte larguar nga politika.

Por as atëherë nuk qëndroi rehat, dhe vetëm një vit më vonë më 14 shtator 1998 organizoi një grusht të dështuar shteti, duke pushtuar kryeministrinë dhe RTSH, vite më pas në opozitë kur bëri thirrje që të mos nënshkruhej marrëveshja e Rambujesë nga liderët e UÇK, apo dhe pas ardhjes në pushtet në 2005 kur ia kaloi frenat e ekonomisë shqiptare serbo boshnjakut kontravers Damir Fazlliç, që në bashkëpunim me fëmijët e tij dhe nën hijen e tij si kryeministër akuzohen se shfrytëzuan të gjitha rastet për të abuzuar e përfituar financiarisht. Vinin dhe ‘taksa suksesi’ ndaj bizneseve vendas dhe të huaj për të ndërhyrë te babai kryeministër që të investonin, ‘taksë’ që arrinte deri në 3 milionë euro për një investim. Akuzoi Argitën biznesmeni pakistanez asokohe.

Asgjë nuk mbetet mister, pasi doli në skenë afera e madhe 230 milionë euro e Rrugës së Kombit, shpërtheu punishtja e demontimit të municioneve që kishte dhe paketimin e fishekëve për në Afganistan në Gërdec ku u vranë 26 njerëz të pafajshëm, me të akuzuar kryesor djalin e tij Shkelzen Berisha, i cili është pyetur në SPAK me statusin e dëshmitarit për momentin.

Doli në skenë afera CEZ-DIA, ku shteti humbi gati 500 milionë euro, dhe për këtë akuzohet Berisha, familjarët dhe ortakët e tij. Tashmë është nën hetim nga SPAK. U shkatërrua nga themelet drejtësia shqiptare që u vu në dispozicion të Berishës, familjes dhe ortakëve të tij. Për të ‘shpërthyer’ më pas, me plumbat që derdhi Garda e Republikës, me urdhër të Berishës sipas akuzave, mbi demonstruesit paqësorë që po shpërndaheshin e po iknin nga bulevardi, ku mbetën të vrarë 4 prej tyre dhe u plagosën të tjerë, mes tyre dhe një gazetar. Çështja e ’21 janarit’ pritet t’i kalojë SPAK-ut me shumë gjasa dhe nën dritën e vendimit të Gjykatës së Strasburgut, që kërkon hetim e gjykim shterrues jo vetëm të gardistëve të thjeshtë por deri në majën e zinxhirit komandues, pra Berishën, për të zbardhur të vërtetën dhe dhënë hakun që i takon secilit.

Gjuha e ashpër ndaj Bashës, na bën të mendojmë se Berisha më shumë se sa për efekt të ‘bashkëpunimit të Lul Bravës me Ramën për të kapur opozitën’, është për shkak të ’21 janarit’. Pasi Basha nuk ‘mban’ dhe mund të jetë rrëfyer diku se kush e ka dhënë urdhërin për Gardën për të qëlluar mbi demonstruesit, kush e rrahu kreun e Gardës Ndrea Prendin që refuzonte ta përcillte urdhërin, dhe kush ia mori pistoletën me të cilën u vra Aleks Nika, kush fshiu kamerat e të tjera.

Berisha me sa duket i bën presion Bashës që të respektojë “Kodin e Heshtjes” për vrasjet e ’21 janarit’ por dhe për maskarallëqe të tjera, ku Basha ka qënë prezent teksa janë marrë vendimet. Shtuar këtu dhe faljen e detit Greqisë, ku Bashës vetëm buzëqeshja dhe firma me kokën lart pa lexuar çfarë ishte shkruar në marrëveshje i kishte mbetur për të bërë. Kushtetuesja e rrëzoi për fat marrëveshjen, në argumentin se u cënua tërësia territoriale e vendit. Drejtësia heshti për këtë akuzë.

Berisha dhe kur u largua nga pushteti nuk qëndroi pasiv si një pensionist funksional, që të merrej me kujtimet e tij e të gëzonte mbesat dhe nipërit, por e drejtoi në prapaskenë PD që formalisht kishte Bashën kryetar, duke kërcënuar stabilitetin në vend, përmes djegies së mandateve të deputetit, sulmit të dhunshëm ndaj institucioneve dhe bojkotit të zgjedhjeve vendore. Deri duke përfituar mbi gjysmë milioni euro financim nga Rusia për të rrëzuar qeverisjen e socialistëve dhe destabilizuar vendin. Nuk e kemi thënë ne, e thonë shërbimet inteligjente partnere.

Askush nuk e beson se Basha merrte vendime në PD pa lejen e ‘babës’ Sali Berisha. As partnerët tanë ndërkombëtarë nuk e besonin, të cilët në fund u lodhën duke komunikuar pas Bashës, edhe me Berishën për çdo projekt për demokracinë dhe të mirën e këtij vendi, në ato parametra që i përkasin opozitës.

Pra Berisha nuk ka lënë gjë pa bërë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, u ka ‘punuar’ qindin, duke e vjedhur, vrarë dhe shitur dhe pastaj fillon dhe ankohet pse SHBA e ka shpallur ‘non grata’ familjarisht, sipas tij për të ‘forcuar Ramën’.

E di dhe vetë Berisha se vjen një moment kur ‘shënimet’ mbushin ‘bllokun’ dhe bëhet njëfarë bilanci, duke e mbushur ‘kupën’ me korrupsionin, minimin e demokracisë dhe shantazhimin e drejtësisë për 33 vite me radhë. Por dhe duke kërcënuar stabilitetin e vendit, rajonit, në këtë situatë agresioni rus ndaj Ukrainës dhe tentativave të saj për të përhapur konfliktin dhe në Ballkan. Ndaj erdhi koha për t’u thënë “mjaft” mistrecllëqeve dhe keqbërjes së Berishës.

Aleatët marrin vendim politik, e shpallen ‘non grata’, duke përcaktuar dhe ‘fushën’ ku ka bërë zullume Berisha, për të cilat u sanksionua. Pjesa tjetër i takon drejtësisë së re shqiptare, e cila mbështetet fort nga partnerët tanë ndërkombëtarë, për të hetuar dhe dhënë vendimin për secilën akuzë që ka në kurriz. I fajshëm ose jo, në ‘karuselin’ e drejtësisë do qëndrojë gjatë Berisha. Java

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja