Kryeministri Berisha ka shpallur dje, gjatë një konference për shtyp, se buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm, që përkon me zgjedhjet parlamentare, do të jetë më i madhi i të gjitha kohërave. "Buxheti 2013 do të jetë më i madhi në histori. Shqipëria do të vijojë axhendën e saj për të qenë një vend i zhvilluar brenda vitit 2017. Buxheti do të garantojë rritje makorekonomike. Buxheti mbetet një 'megabuxhet', që vendi nuk e ka njohur më parë", u shpreh ai.

Ndryshe nga sa këshillon, në raportin e misionit të vet, Fondi Monetar Ndërkombëtar, kreu i Ekzekutivit bëri të ditur se fondet që do të sillen në arkën e shtetit nga privatizimi më i madh, i bërë ndonjëherë, ai i ndërmarrjes së naftës Albpetrol, do të përdoren jo për të shlyer borxhin. Sipas tij, të ardhurat e privatizimeve do të kenë si destinacion kryesor qytetarin. "Ato do të shndërrohen në rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime, në rritje të re të rrogave dhe pensioneve, politikë kjo konstante e jona", deklaroi Berisha. "Shqiptarët e kanë të qartë, ne nuk i largohemi detyrimit tonë. Ato do të shndërrohen në mbështetje të fuqishme të biznesit dhe zhvillimit rural. Të mos harrojmë që investimet kolosale janë bërë në Shqipërinë rurale", shtoi kryeministri.

Kjo deklaratë, ashtu sikurse pritej, tregon se paratë do të përdoren nga qeveria për të mbështetur fushatën elektorale të mazhorancës me investime të munguara këto vitet e fundit, si pasojë e krizës. FMN këshillon specifikisht që të ardhurat nga privatizimi "të përdoren për të pakësuar borxhin dhe për të mbyllur faturat e papaguara, duke mbajtur parasysh se pasuria e burimeve natyrore që privatizohen u përket brezave të tanishëm dhe të ardhshëm të shqiptarëve, pasi një gjë e tillë është e domosdoshme për të ulur rrezikimin e ekonomisë, duke mbajtur parasysh stokun e lartë të borxheve dhe strukturën e tij me maturim afatshkurtër", por qeveria është e vendosur të ndjekë një rrugë tjetër. Nga ana tjetër, Berisha ka kundërshtuar hapur edhe parashikimin e ekspertëve të FMN-së lidhur me rritjen ekonomike të vendit këtë vit. I pyetur nga TV A1 Report, kryeministri ka deklaruar se Fondi Monetar nuk ka monopolin e së vërtetës, duke shtuar se edhe në të kaluarën ka gabuar në vlerësimin e mundësive të rritjes së ekonomisë shqiptare. Misioni i FMN e vlerëson në 0.5 për qind rritjen për 2012-ën, ndërkohë që, sipas qeverisë, rritja është në masën 3 për qind, gjashtë herë më e lartë. Sipas tij, e rëndësishme është që "FMN nuk ka vënë në asnjë rast në diskutim rritjen ekonomike të shpallur në Shqipëri, por në shumë raste ka korrigjuar parashikimin e saj". Berisha shtoi se "ka një histori 6-vjeçare të një diskordance madhore mes parashikimit të FMN-së dhe rritjes së vërtetë ekonomike në Shqipëri". "FMN është një institucion shumë serioz, gjigand dhe shumë i rëndësishëm me vështrim global, i cili nuk pretendon të ketë monopolin e të vërtetës, por ka meritën që, kur nuk parashikon saktë, e korrigjon". Ai theksoi se "nuk është qeveria shqiptare që ka korrigjuar aq shumë parashikimin e saj, por FMN ka korrigjuar parashikimin e tij për Shqipërinë".

QEVERIA VENDOS RRITJEN E BORXHIT
Me një Akt Normativ, të dalë dje, që ka fuqinë e ligjit, por duhet të marrë pëlqimin e Kuvendit më pas, Këshilli i Ministrave ka vendosur të rritë nivelin e borxhit publik, nga 72.97 miliardë lekë, në 79.97 miliardë lekë, një rritje kjo në masën 9.6 për qind. Në toatlin e borxhit, e gjithë kjo rritje shkon për shtimin e stokut të garancive shtetërore, që kalojnë nga 6.7 miliardë lekë, në 13.7 miliardë, me një rritje dyfish. Kjo sasi do të përdoret për të garantuar kredi të mundshme në favor të sektorit të energjisë elektrike dhe atij të ujësjellësve. Po kështu, janë miratuar në këtë Akt edhe ndryshime në transfertat e pakushtëzuara dhe subvencionet shtetërore për energji elektrike që përdoret për ujin e pijshëm në favor të komunave dhe bashkive në rajone të ndryshme të vendit. Një veprim i tillë bie ndesh me sugjerimet e FMN, por duket se do të përballohej në buxhet nga pagesa e këstit të parë të shitjes së Albpetrolit, që llogaritet në një shifër prej 170 milionë eurosh.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)