Berisha, frikë nga arresti e inat me SHBA që i dha guxim drejtësisë

Berisha, frikë nga arresti e inat me SHBA që i dha guxim drejtësisë

Sali Berisha

Sali Berisha është në ‘metrat’ e fundit të karrierës së tij të gjatë politike, ku do të vendoset njëherë e mirë nëse do të vijojë të jetë deputet dhe drejtues me kohë të plotë i grupimit të tij politik “Foltorja”, apo do të jetë një ‘banor’ i burgjeve shqiptare ose një pensionist normal.

Ditën e hënë Këshilli i Rregullores dhe Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë do të vendosë në lidhje me kërkesën e SPAK për të dhënë lejen e arrestimit të Berishës, dhe për ta votuar më pas në seancën më të shpejtë parlamentare këtë dhënie autorizimi.

E kemi thënë dhe po e themi dhe tani, që askush të mos shpresojë tek ndonjë akt ‘kalorsiak’ i mazhorancës socialiste, për t’i thënë jo kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës. Kur kjo mazhorancë nuk e bëri për përfaqësuesit e saj në nivel zv.kryeministri, ministri dhe deputeti duke treguar vendosmëri për të mbështetur drejtësinë e re, askush nuk duhet ta shohë as në ëndrrën më të bukur të mundshme një vendim tjetër, përveç atij pro dhënies së lejes së arrestimit të ish kryeministri demokrat.

Eshtë e bezdisshme të përsëritet, por po e nënvizojmë shkurt se kjo tashmë është kthyer në normë, do të votohet çdo kërkesë e SPAK për arrestimin e një deputeti për çfarëdo lloj akuze që të jetë formatuar. PS dhe Edi Rama krijimin dhe mbështetjen e drejtësisë së re, e kanë pasur që në krye të herës në programin e fushatës elektorale të vitit 2009, dhe me ardhjen në pushtet në vitin 2013 e vunë menjëherë në jetë një platformë të tillë.

Kuptohet, me mbështetjen e fuqishme të aleatëve tanë, SHBA e BE, të cilët duke parë vullnetin e palëkundur të shumicës parlamentare të PS për të zhbërë drejtësinë e vjetër që nuk bënte drejtësi por i shërbente politikës që i kishte vënë aty, dhe xhepit të tyre, bëri gjithçka që drejtësia e re e kërkuar fort nga PS të merrte jetë në Kuvend më 2016 pa ‘asnjë humbje dhe asnjë firo”.

E votuan me hatër apo me zor, votimi pa dëshirë po shihet se, që nga ai votim i korrikut 2016 ku më pak e ku më shumë nga thuajse të gjithë përfaqësuesit e opozitës janë shprehur të penduar, e votuan pra plot 140 deputetë të parlamentit të Shqipërisë. Asnjë votë kundër, asnjë abstenim, dhe në masën 100 përqind dhanë votën pro Reformës në Drejtësi. Si asnjëherë tjetër, pavarësisht se më pas filluan vicklat nga ana e opozitës dhe lidershipit të saj.

Dikush mund të thotë se te deputetët e atëhershëm të opozitës bënë ‘punë’ mesazhet apo takimet tek e tek që ‘rrodhën’ nga ambasada amerikane dhe ajo e BE, ndërsa të gjithë e kanë në memorien e tyre përqafimin mes dy ambasadorëve respektivë të atëhershëm, Donal Lu dhe Romana Vlahutin, në lozhën e Parlamentit, sapo u deklarua rezultati 140 me 0 i votimit për Reformën në Drejtësi.

Dhe vullneti i qeverisë shqiptare të drejtuar nga Rama për të mbështetur në atë që i takon, por dhe duke mos lëshuar asnjë fjalë kundër SPAK dhe Gjykatës së Posaçme pavarësisht vendimeve të ‘hidhura’ që shumë herë ata kanë dhënë ndaj përfaqësuesve të PS në qeverisjen qëndrore dhe vendore, mbështetja e fortë e SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe, sollën drejtësinë në atë nivel që është sot. Drejtësi që guxon të kërkojë burg dhe për Sali Berishën, familjarët apo ortakët e tij.

Pra një unison mbështetjeje qeveri-aleatë të mëdhenj të shqiptarëve krijuan sot atë përceptimin pozitiv tek shqiptarët se kjo drejtësi ka nisur të bëjë drejtësi, nuk ka të paprekshëm më për të në këtë vend dhe ka shtuar shpresën se më në fund pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë në këtë vend ka marrë fund. Ishte kthyer në një kancer për shqiptarët operimi me dy standarde i drejtësisë, ku pushtetarët vidhnin, vrisnin dhe bashkëpunonin me krimin, dhe as që mendohej ndonjëherë se mund të përballeshin me drejtësinë për zullumet e kryera.

Por çfarë ka ndodhur që Sali Berisha ka dalë nga ‘trajektorja’ normale e logjikës, pavarësisht se s’ka qënë tamam brenda kësaj trajektoreje logjike asnjëherë në këto 32 vite qëndrimi në kupolën më të lartë të politikës e qeverisjes në këtë vend, që çfarë thotë në mëngjes nuk e thotë në darkë dhe anasjelltas?

E themi këtë sepse Berisha njëherë refuzon masën e sigurisë për detyrim paraqitje dy herë në muaj në Gjykatën e Posaçme nën akuzën për korrupsion pasiv, duke deklaruar se është shkelur Kushtetuta, pasi SPAK nuk kërkoi leje nga Kuvendi për masën ndaj tij, sepse është deputet i Kuvendit. Dhe nuk i bindet kësaj mase, madje as nuk pranon të marrë njoftimin zyrtar.

Ndërkohë që kur i plotësohet kjo ‘dëshirë’, pra SPAK e dërgon në Kuvend kërkesën për leje që ta arrestojë Berishën, thotë se do respektojë çfarëdolloj vendimi që do japë Këshilli i Mandateve de Rregullores, si dhe vota e deputetëve nga Kuvendi.

Disa orë më vonë, sapo hyn në grupin e “Foltores” e rrotullon situatën tek organizimi i protestës ditën kur do vendosë parlamenti për kërkesën e SPAK, dhe kur refuzohet nga Gazmend Bardhi dhe mbështetësit e tij, por dhe nga njeriu që i ka qëndruar më afër në ditët më të vështira dhe që mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm të “Foltores”, Flamur Noka, Berisha mbledh më pas kryesinë e grupimit politik dhe vendos për protesta pikërisht në ditën kur do të mbahet Këshilli i Mandateve dhe Rregullores apo dhe seanca parlamentare, për të mbledhur njerëz dhe protestuar kundër SPAK që kërkon arrestimin e tij.

Një qëndrim me dy standarde ky i Berishës, i cili ‘vuloset’ dhe me ankimimin në Kushtetuese ndaj masës së parë të Gjykatës së Posaçme ndaj tij, nën pretendimin se është shkelur Kushtetuta. Ndërkohë që ka në ‘tavë’’ tashmë jo detyrimin për paraqitje dy herë në muaj tek oficeri gjyqësor, por masën e arrestit, me burg apo në shtëpi sido që të jepet nga Gjykata.

Dhe për ta bërë më të mistershëm këtë qëndrim me dy standarde, herë pranim të çdo vendimi të Parlamentit për kërkesën e SPAK e herë me ankimim në Kushtetuese, kërkesa e 28 deputetëve të opozitës s’është shoqëruar me publikimin e emrave e atyre që kanë firmosur për të kundërshtuar vendimin e gjykatësve dhe prokurorëve të posaçëm ndaj Berishës.

Tani të kuptohemi, burgu është vërtetë për burrat, por kapërcimi i derës së qelisë, është i vështirë sipas atyre që e kanë provuar. Pasi të jep ‘hije’ qelie dhe të zhvesh nga të gjitha ‘beneficet’ që ke gëzuar në liri. Për më tepër për Berishën që ka qënë sekretar PPSH, mjek ‘Blloku” part time, kryetar i PD të parës parti opozitare, President i vendit dy herë, mandatin e dytë e la në mes se i bëri ‘naftën’ qeverisjes dhe gati e çoi vendin në luftë civile, kryeministër i vendit dy mandate, kryetar i PD pas perdes 8 vite dhe prej dy vitesh kryetar i grupimit më të madh në PD, “Foltorja”.

Kjo pas shpalljes së tij ‘non grata’ teksa Lulzim Basha bëri kryeveprën e jetës së tij, e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar e më pas dhe nga PD. Berisha, në shenjë hakmarrje ndaj Bashës ‘besëprerë’, por më shumë për të mbrojtur veten, familjen e ortakët e tij nga përballja me aleatët dhe me drejtësinë për shkak të zullumeve të shumta, me bazë korrupsionin madhor, minimin e demokracisë, shantazhimin e drejtësisë dhe lidhjet me elementët e inkriminuar, e ndau PD në dy pjesë dhe mori peng grupimin më të madh në parti.

Duke e kthyer “Foltoren” në një ‘gardë’ mbrojtëse për hallet e tij personale, shkaktuar kaos në parlament dhe kërcënuar me destabilizim të vendit, përmes paralajmërimeve me mosbindje civile dhe revolucione. Që nuk kanë ndodhur deri më tani dhe nuk ka asnjë shpresë se do ndodhin, jo se nuk e dëshiron Berisha, por për mungesë takati dhe mbështetjeje nga ana e demokratëve, që nuk lëvizin vendit për të protestuar për milionat e tij dhe të familjarëve e ortakëve të tij.

Pra Berisha nuk është vetëm i frikësuar por dhe i acaruar në kulm. Pasi ai shihet dhe dëgjohet në çdo dalje publike të akuzojë prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm që kanë në dorë dosjet e tij, ka shumë dosje të rënda Berisha nën hetim, duke i etiketuar si banditë dhe organizate të strukturuar kriminale. Janë akuza të rënda, dhe dikush mund të mendojë se Berisha ose ka ‘rrëshkitur poshtë rrugës’ ose ka ndonjë inat personal me ta, për shkak të hallit që e ka zënë dhe që mund të mbyllet vetëm me përfundimin në qeli. Por dhe me kthimin e të gjitha parave dhe pasurive të vëna nga abuzimi me pushtetin gjatë qeverisjeve të tij.

Me thënë të drejtën me njërin prokuror që ka qënë dhe në krye të SPAK në fillim s’kishte asgjë, e vlerësonte sipas ‘kutit’ të tij, duke mos i përmendur emrin, duke mos e sulmuar dhe linçuar në publik. Ndoshta pse e njihte që herët, apo i dukej se e kishte ‘shok lagjeje’. Por as me prokurorët dhe gjyqtarët e tjerë Berisha nuk është se ka pasur konflikte, pasi nuk kanë qënë gjatë qeverisjes së tij, pjesë e drejtësisë së vjetër në klanin e ‘ujqërve’ të drejtësisë, që të merrte shërbime nga ata.

Tërbimi i Berishës për hir të së vërtetës ka ardhur pasi këta prokurorë dhe gjyqtarë guxuan t’i përmendin emrin, guxuan të hapnin dosjet në ngarkim të tij, pasi i mendonte të parashkruara dhe të arkivuara, dhe mbi të gjitha guxuan që dhe ta thërrasin në SPAK e Gjykatë, atë dhe familjarët e tij, dhe t’i vinin prangat dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi që ka bërë mbi 5.4 miliionë euro më e pakta pasuri me ndihmën e vjehrrit kryeministër në atë kohë.

Por mbi të gjitha këta prokurorë dhe gjyqtarë të drejtësisë së re ‘guxuan shumë’, edhe të marrin masë detyrim paraqitjeje për korrupsion dhe tashmë kërkojnë leje në Kuvend për të arrestuar, atë, vetë të paprekshmin dhe të ‘pakonkurrueshmin” Sali Berisha. Këtë guxim nuk e pranon Berisha, i cili prokurorët dhe gjyqtarët i kishte në shërbim ‘non stop’ për vete, familjarët dhe ortakët e tij.

Këtë ka bërë gjithnjë, asnjëherë s’është paraqitur para drejtësisë, pavarësisht se ngriti piramidat mashtruese ku u mori shqiptarëve 1.2 miliardë dollarë kursime, pavarësisht se bëri tragjedinë e marsit 1997 kur sulmoi jugun e vendit edhe me lendë helmuese ushtarake dhe gati na çoi në përplasje civile veri-jug, pavarësisht se bëri një grusht të dështuar shteti më 14 shtator 1998, e zullume të tjera të rënda në opozitën e atëhershme.

Dhe kur të gjithë menduan se 8 vite qëndrimi në opozitë, kur e hoqën me armë nga pushteti dhe e kthyen po shqiptarët me votë në pushtet, e kishin bërë të zinte mend, Berisha nuk u ndal. Ngriti në sistem korrupsionin, duke bërë aferën 230 miliionë euroshe të Rrugës së Kombit, ngriti biznesin e vdekjes të të birit në Gërdec, nga shpërthimi i të cilit u vranë 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, vrau me Gardën e Republikës para kryeministrisë 4 demonstrues më 21 janar 2011, bëri aferën CEZ-DIA dhe bëma të tjera të këtij lloji.

Dhe drejtësia as që mundi të depërtonte brenda ‘koracës’ së Berishës, duke mos e thirrur madje asnjëherë as për të dëshmuar me cilësinë e personit që ka dijeni. Asnjëherë nuk guxoi drejtësia që ta thërriste për ta përballur me akuzat, jo më të mendohej që ajo ta akuzonte dhe dënonte.

Prandaj Berisha është në një situatë të tillë shpërthimi, pasi ka parë se drejtësia e re ka marrë guxim. Dhe për më tepër që Berisha e di ‘ujë’ se kush u ka dhënë guxim prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm. E di se aleatët tanë, SHBA, BE e Britania e Madhe e mbështesin pafundësisht SPAK, BKH dhe Gjykatën e Posaçme. Vetëm për të bërë drejtësi.

Për këtë arsye Berisha është tërbuar ndaj tyre. Po ta vësh re hollë hollë Berisha nuk e ka inatin me prokurorët dhe gjyqtarët. Inatin në të vërtetë e ka me aleatët tanë që u dhanë guxim atyre deri aty sa të kërkojnë dhe arrestimin e tij, familjarëve e ortakëve të tij. Këtë nuk e duron dot Berisha.

Inatin e ka dhe me Ramën, jo vetëm pse e ka kundërshtar politik, por sepse nuk flet asnjë fjalë kundër drejtësisë së re, pavarësisht se kjo drejtësi i ka vënë nën hetim dhe nën arrest nga kryetar bashkie e deri te ministër, deputet dhe zv.kryeministër, përfaqësues të PS. Njëherë e akuzon se ‘po lëshon bashkëpunëtorët e nuk i mban’ dhe herë tjetër e akuzon se ka në dorë drejtësinë dhe e komandon. Nuk e koncepton dot Berisha faktin se si Rama është në unison me aleatët për t’i nxjerrë ‘ujin e zi’ korrupsionit në Shqipëri. Pa dallim kahjeje politike. Pasi për këtë ka luftuar që nga 2009 kur ishte në opozitë e për pak vota por dhe me ca ‘tradhëti’ brenda humbi në zgjedhje.

Në fund të herës shqiptarët do të shohin që nga e hëna e ardhshme Berisha do të jetë ‘non stop’ në media, në përplasje të dhunshme, thjeshtë dhe vetëm për të shmangur të pashmangshmin, burgun. Një përplasje e dëshpëruar, ndoshta dhe pak i hutuar se si guxuan prokurorët e gjyqtarët ta marrin nën arrest, shtëpie apo qelie. Duke u kujdesur që të bëjë viktimën politike, se po e fusin në burg për të ‘parandaluar revolucionin’, i cili ishte i ‘fikur’ pa lindur akoma. Do argëtohen shqiptarët nga këto përpëlitje të Berishës, por dhe kur ta shohin se është tërësisht i vetëm në këtë përplasje me drejtësinë, përplasje të cilës tashmë të gjithë ia dinë fundin. I madh e i vogël ia di./Java

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • sapa: 17/12/2023 09:21

    Ai nxorri dhenderin nga burgu keta enderrojne te arrestohet Saliu?Ore shqiptare kur do zini mend qe te mos genjeheni nga propaganda e gjoja berjes se shtetit te se drejtes?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja