Ish-kryeministri po bën çdo përpjekje për të shmangur ballafaqimin me SPAK. E ka më komode t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve që nuk e njohin dosjen.
Siç ka vepruar gjithmonë në 32 vite, edhe këtë herë Sali Berisha po përpiqet t’i shpëtojë përgjegjësive të tij duke refuzuar të paraqitet para gjykatësve, sikur drejtësia për të të jetë një opsion vullnetar. I vënë nën akuzë për korrupsion pasiv, me dyshimin e favorizimit të dhëndrrit të tij Jamarbër Malltezi në procesin e privatizimit të kompleksit Partizani kur ishte kryeministër, Berisha refuzoi sot të paraqitet para SPAK-ut duke pretenduar se vendimi ndaj tij është antikushtetues.
Madje, bëri edhe një shantazh ndaj gjykatëses duke vendosur një kusht: Ju hiqni detyrim paraqitjen për mua dhe unë do të pranoj të paraqitem para jush. Pastaj, me një veprim të dëshpëruar, paralajmëroi padi gjykatëses për vendimin që ka marrë ndaj tij, thjeshtë për të provuar të shmangë ballafaqimin.
Në fakt, arsyeja për të cilën iu fshihet hetuesve, është se Berisha po përdor imunitetin parlamentar jo per ndonjë arsye parimore, po thjesht sepse e gjykon me komode të mbrohet para telekamerave e duke iu përgjigjur gazetarëve të rinj që nuk i njohin letrat e procesit dhe të cilëve (në ndryshim nga gjykatës dhe prokurorë që në fakt i njohin shumë mirë) mund t’i gënjejë me lehtësi.
Mes gënjeshtrave që po përsërit non-stop, në maratonën e tij televizive që ka nisur që të shtunën në mbrëmje, sot Sali Berisha u përqëndrua në një nga provat e paraqitura nga SPAK kundër tij: Pra që ka votuar me 17.12.2008 VKM-në 1638 me të cilën lejonte 64 ish-pronarët e klubit Partizani, mes të cilëve dhe bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, të paguajnë 80% të shumës së fiksuar për privatizimin me bono privatizimi dhe jo me lekë.
Foto: VKM 2008 me të cilën lejon 64 ish-pronarët e klubit Partizani, e Jamarbër Malltezi, të paguajnë për privatizimin me bono
Me atë vendim Berisha i kurseu atij grupi pronarësh rreth 8 milionë lekë të reja, që Berishës i duken aq pak sa e bëjnë qesharake akuzën. Për hir të së vërtetës shumën e kurseu Fatmir Bektashi, një nga pronarët, cili duke qenë dhe investitor mori përsipër të mbulonte kostot e privatizimit në vend të ish-pronarëve të tjerë. Në këmbim të kësaj dhe të favoreve të tjera të marra nga kryeministri Sali Berisha në gjithë procedurën e privatizimit, sipas SPAK-ut, Bektashi shpërbleu Jamarbër Malltezin duke i kaluar 5.4 milionë euro.
Por le të kthehemi tek historia e pagesës me bono privatizimi dhe tek gënjeshtra e Berishës. Berisha sot e përsëriti deri edhe me një komunikatë zyrtare të shpërndarë nga “Rithemelimi”, se ai vendim nuk ishte votuar për të favorizuar 64 pronarët që duhej të privatizonin Klubin Partizani dhe as dhëndrrin e tij, por për të ndihmuar mijëra ish-pronarë të tjerë. Domethënë nuk ishte një xhest korruptiv, por pjesë e reformës së tij në favor të ish-pronarëve.
Foto: Parashikimi i mundësisë për të paguar me bono privatizimi në VKM të vitit 2008
Edhe këtë herë Berisha gënjen. Çka ai nuk thotë (dhe asnjë gazetar nuk ja ka kontestuar) është se vetëm pas shtatë muajve nga ai vendim, kryeministri Berisha firmos një VKM të dytë (nr.738 dt.1.07.2009) me të cilën e heq mundësinë e pagesës me bono privatizimi dhe rivendos në ngarkim të ish-pronarëve të paguajnë vetëm me lekë.
Natyrisht, në këto shtatë muaj Jamarbri bashkë me gjithë grupin e ish-pronarëve të Klubit Partizani përfituan nga vendimi i parë i Berishës-vjehërr dhe në këtë mënyrë në vend të 8 milionë lekëve (të reja) derdhën vetëm bono privatizimi të blera në treg për më pak se 300 mijë lekë. Ideatori i kësaj manovre ishte minsitri i Ekonomisë Genc Ruli, servilizmin e të cilit Berisha e kishte përgëzuar edhe gjatë një mbledhje të Këshillit të Ministrave, duke e konsideruar idenë si një “risi” që vetëm shtatë muaj më pas e anuloi.
Foto: VKM e korriku 2009 heq mundësinë e pagesës me bono privatizimi dhe rivendos pagesën vetëm me lekë
Kjo është prova që vërteton se SPAK ka të drejtë kur e akuzon Berishën se votoi atë VKM (bashkë me shumë VKM të tjera, urdhëra, emërime, presione dhe ndryshime ligjore) vetëm për të favorizuar dhëndrrin, duke e ditur mirë se ato 8 milionë lekë të reja të dhuruara Fatmir Bektashit (e të hequra nga arka e Shtetit) do t’i shijonin më pas dhëndrri i tij dhe vajza Argita.
FOTO: Fshihet mundësi për të pagura me bono e privatizimi
Familja Berisha, në gjithë historinë korruptive të saj (dhe deri më sot e pandëshkuar) ka treguar që është e pangopur, prandaj edhe për 8 milionë lekë ja vlen të kompromentosh. Madje, as ato 5.4 milionë euro të fituara nga Jamarber Malltezi dhe të faktuar nga SPAK (të paktën deri tani), duket që për Berishën ishin pak: “Ky djalosh me 113 metër katror doli me 5.2 milionë euro – deklaroi sot duke iu referuar dhëndrrit në burg - një djalosh tjetër mund të kishte edhe 20% më shumë”.
Fakte bindëse për opinionin e gjërë por problemi është se edhe opinionin e degjeneroi epoka Berisha për të kamuflu dredhitë e tijë me pushtetin sot shqiptarët ma me çefë i pranojnë shpifjet e rrenat se faktet dhe të vërtetat
PërgjigjuMjafton! Berisha ka vënë në dispozicion të të tretëve gjithë mekanizmin shtetëror duke ua bërë qilim rrugën...kjo e bën atë fajtor!!
PërgjigjuCarlo , bravo për informacin me fakte në duar dhe a ka njeri me llogjike që nuk ka neveri për keta bandit në pushtet ,që disa prej tyre akoma janë të lirë dhe për më keq bëjnë edhe të fortin.
Përgjigju