BERISHA: BUXHETI HUMB 120 MLN EURO POR NXIT EKONOMINE
Në mbledhjen e qeverisë Kyeministri Sali Berisha deklaroi se heqja e TVSH-së për makineritë është akti më madhor pas vendosjes së taksës së sheshtë. "Rruga më e sigurtë për të dalë nga kriza afatgjatë është të nxisim, favorizojmë dhe lehtësojmë biznesin në Shqipëri, të nxisim dhe inkurajojmë investimet e vendit dhe ato të huaja, kjo po ndodh", tha Berisha.
Në këtë drejtim, ai informoi se po shqyrtohet një tjetër p/ligj i cili parashikon heqjen e TVSH-së për makineritë që janë marrë në përdorim nga biznesi por që nuk janë blerë. "Nëse bizneset do të duan të blejnë këto makineri që kanë në përdorim ne shumë shpejt do të vendosim heqjen e TVSH-së për to", tha Kryeministri.
“Buxheti do të humbasë 120 milionë euro, por këto do të konvertohen në dhjetra mijëra vende pune dhe mijëra njësi prodhimi në mbarë vendin” - vuri në dukje Berisha.
RAMA NE TWITTER: BERISHA KOPJOI PROGRAMIN TONE
Menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, kryetari i partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar në rrjetin social Twitter për vendimin e heqjes së TVSH për makineritë prodhuese të biznesit të vogël dhe të mesëm. Rama akuzon Kryeministrin Berisha se ka kopjuar programin e PS0së për heqjen e TVSH për makineritë, duke e inkurajuaj të kopjojë edhe më tej.
“Kryeministri vazhdon kopjimin e programit tonë me heqjen e TVSH për makineritë e me sportin si urë bashkimi kombëtar...E inkurajoj të kopjoje më tej”, shkruan Rama në Twitter.
Më tej kryesocialisti shkruan se në qershor PS me votën e shumicës do të realizojë largimin e qeverisë Berisha.
“Të heqë taksën e biznesit të vogël.Të heqë akcizën e naftës bujqësore. Të pesëfishojë financimin për bujqësinë. Të akreditojë universitetet. Të bëjë të paktën kaq deri në qershor, kur me votën e një shumice dërrmuese ne do realizojmë pikën e programit për largimin e qeverisë së tij”, shkruan Rama në Twitter.
(Në foto profili zyrtar i Edi Ramës në Twitter)
ÇFARE PARASHIKON LIGJI
Ndryshimet në ligjin për TVSH-në parashikojnë që pagesa e TVSH-së në vitin 2012 në importin e makinerive dhe pajisjeve (për çdo lloj shume investimi) shtyhet deri në një vit nga administrata doganore dhe në rast se, cikli i investimit dhe fillimit të prodhimit është më i madh se një vit, subjektit, pas plotësimit të një seti dokumentacionesh, i njihet një shtyrje e dytë me autorizim nga ministri i Financave, deri në momentin e fillimit të prodhimit.
Në momentin e fillimit të prodhimit, e gjithë TVSH e shtyrë në import, është e kreditueshme tek administrata tatimore, duke rritur kërkesat dhe shumat për rimbursim nga kjo administratë. Për vitin 2012, TVSH e shtyrë në import për investime ka qenë rreth 4.5 miliardë lekë. Pjesa më e madhe përfshin TVSH-në e shtyrë për makineri dhe pajisje për ndërtimet në vlera të mëdha.
Në nenin 114 të ligjit ekzistues shtohen dy pika sipas të cilave për të shmangur procedurën e shtyrjeve të pagesës së TVSH-së në import, si dhe duke ndikuar uljen e kërkesës për rimbursim të saj, propozohet kjo shtesë ligjore. Për rastet e investimeve mbi vlerën prej 50 milionë lekë, makineritë dhe pajisjet përjashtohen nga pagesa e TVSH-së në import. Procedura e përjashtimeve do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Përjashtimi ka vlerë vetëm për makineritë dhe pajisjet, që janë të lidhura drejtpërdrejt me investimin.
Nga ky pr/ligji përfitojnë të gjithë bizneset që kanë marrë nga jashtë makinerinë në përdorim nga jashtë por që do të donin të blinin. Vendimi i ardhshëm ato mund ti blejnë pa tvsh.
Redaksia online
(sg/eç/shqiptarja.com)