Ish-kryeministri Sali Berisha, që nga Athina mbrojti marrëveshjen e detit që e nënshkroi vetë në 2009, vijon të këmbëngulë se do ta përfundojë. Me retorikën e tij përulëse ndaj Greqisë, Berisha ka dhënë një intervistë për median greke ‘Manifesto’, ku shprehet hapur se marrëveshjen e detit do ta përfundojë nëse vjen në pushtet, edhe pse ajo u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

“Kjo çështje do të zgjidhet përmes dialogut me frymën e mirë, ashtu siç e bëmë në 2009 me vullnetin për ta zgjidhur problemin. Këtë synojmë. Nëse Partia Demokratike fiton zgjedhjet, marrëveshja do të përfundojë dhe marrëdhëniet Shqipëri-Greqi do të jenë shumë të shkëlqyera”, u shpreh Berisha.

Berisha akuzon Ramën se ndërhyri në Kushtetuese që ajo të rrëzonte marrëveshjen.

“Për sa i përket përcaktimit të zonave detare që nënshkruan qeveritë Karamanlis – Berisha në vitin 2009, Berisha ia hedh fajin zotit Rama, i cili “për shkak të të tretëve dhe për interesat e tij, ushtroi presion dhe rrëzoi marrëveshjen”, të cilën e quajti “marrëveshjen më të mirë”, shkruan media greke.

“Ishte një marrëveshje win-win. Sigurisht, nuk kishte arsye që as Greqia as Shqipëria të humbnin”, thotë Berisha.

Berisha në intervistë i thur lavde ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano dhe ish-kandidatit Fredi Beleri, që u dënua për blerje votash.

«Është e njohur (në rajon), që për vite të tëra nuk ka pasur probleme. Kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, ishte një njeri shumë i ndershëm dhe mbrojti me rigorozitet interesin e komunitetit. Dhe nuk kishte asnjë ankesë. Zhvillimi ose jo i pronave është në vullnetin e pronarëve. Por askush nuk i kërcënonte ata, as nuk përpiqej t’u merrte tokën. Tani, është vetë Edi Rama me mafian e tij dhe bën gjithçka atje», theksoi ai.

«Nëse e keni parë, Beleri u arrestua me fakte plotësisht të rreme dhe të fabrikuara, sepse nuk i lejoi Ramës të kishte Kanionin e Gjipese). Ky kanion, i cili fillon nga Dhermiu dhe përfundon në një gji të mrekullueshëm në detin Jon, është një nga më të famshmit në botë. “Edi Rama e vendosi nënën e tij të "rregullonte" kanionin për vete dhe kushërinjtë e saj pa asnjë dokument hipotekor, pa asnjë dokument që të tregonte se iu përkiste. Kaluan përmes gjykatës dhe e morën pa dokumente”, theksoi zoti Berisha.

«Kur është për interesat e tij personale, Edi Rama është gati të sakrifikojë gjithçka. Dhe burgosi (Belerin), duke shkelur shtetin ligjor dhe nuk e lejoi të betohej, ndërkohë që çdo shqiptar i burgosur gjatë 34 viteve të fundit, që nuk ishte dënuar, është betuar si kryetar bashkie, deputet, sepse Kushtetuta nuk e ndalon, dhe e shkarkoi».

Sali Berisha u shfaq në takimin e Athinës në krah të Fredi Belerit, i akuzuar për masakrën e Peshkëpisë ku nacionalistët grekë vranë ushtarët shqiptarë. Në retorikën e tij, kreu i opozitës shqiptare u shfaq me premtimet për biznese, vijë detare, që më shumë sesa për emigrantët, ishin mesazhe për lëmoshë e mbështetje ndaj Athinës zyrtare, duke takimin me himnin grek, përshëndetjen në greqisht para shqiptarëve, tek përulja përpara popullit grek, të premtimi i rivendosjes së marrëveshjes me Detin, të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Në takimin me emigrantët e Athinës Berisha nuk tha asnjë fjalë për Ligjin e luftës apo çështjen çame.