TIRANË- Ndërsa rezultatet paraprake të 11 majit e nxorën PD dhe aleatët më rënie drastike në gjithë vendin, Sali Berisha në një deklaratë për shtyp jo vetëm që paralajmëroi mosnjohjen e zgjedhjeve, por si duket edhe nuk ka në plan as të dorëhiqet nga drejtimi i Partisë Demokratike edhe nëse ai humb.

I pyetur nga gazetarët, nëse do të dorëhiqet si kryetar i PD siç ia imponon statuti, Berisha refuzoi të thotë “po” ose “jo”, por përgjigjen e gjeti tek alibia se Partia Socialiste ka blerë votat.

“Nuk janë dhënë kurrë 138 licenca për mijëra hektarë kanabis. Nuk janë dhënë kurrë 100 euro për votë publikisht. Nuk duhet të na pengojë mjegulla të shohim drurët. Nuk ka ndodhur kurrë që të falen dy ditë para zgjedhjeve 150 milionë euro gjoba. Nuk ka ndodhur kurrë që në një vit elektoral të arrestohen ose të jenë në proces politik tre liderët e partive opozitare. Nuk kanë ndodhur ndonjëherë këto. Ka një rekord historik ky vend. Kjo është hera e parë”, tha Berisha.

Duke vijuar me kontestimin e procesit zgjedhor, Berisha tha për gazetarët se kriteret janë shkelur në mënyrën më të pamëshirë.

“Në qoftë se patë faljen dy net para të rreth 150 milionë euro gjoba të mbi 170 mijë qytetarëve, atëherë emrin zgjedhjeve ua vini vetë. Por unë nuk jam këtu për këtë. Unë jam këtu për t’u bërë thirrje qytetarëve që të numërojnë çdo votë. Ne të tregojmë përgjegjësi para atyre që kanë votuar duke numëruar çdo votë. Ky është qëndrimi ynë...Edhe njëherë, asnjë njeri para këtij procesi nuk mund të bëjë automatin, nuk mund të bëjë sikur këto nuk kanë ndodhur.

Ju jeni dëshmitarë se këto që thashë unë, katër prej tyre janë me vendime zyrtare qeverie, janë publike, nuk janë private. Ka kritere për zgjedhjet. Janë shkelur në mënyrën më të pamëshirë. Përveç të tjerash, Xhabaftët, Poja, Suel Çela, nuk ka asgjë këtu të fshehtë. Në këto kushte nuk ka njeri që mund të vërë në dyshim këto që themi ne. Por unë jam këtu sot për të kërkuar nga strukturat e PD, pavarësisht nga çdo gjë, është në detyrimin tonë të numërojmë çdo votë”, vijoi Berisha.

Pyetjes nëse do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve nëse ai njihet nga ndërkombëtarët, Berisha iu përgjigj kështu.

“Vetëm ai që është sipër mund të ndalojë PD pa bërë gjithçka për të mbrojtur votën e shqiptarëve. Ky komb do të votojë i lirë. Forcë në botë nuk do të ketë të pengojë shqiptarët të votojnë të lirë“, u shpreh Berisha.

Një thirrje e kishte edhe për të gjithë komisionerët, vëzhguesit që të numërojnë çdo votë me përkushtimin më të madh.

Pika 8 e nenit 46 të statutit të Partisë Demokratike e ka të sanksionuar qartë se në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për kryetarin. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie. Nëse do të merret i mirëqenë statuti i PD-së, në fund të numërimit të plotë të votave, Sali Berisha do të ishte automatikisht i shkarkuar nga kreu i partisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:02
A do e pranojë rezultatin e zgjedhjeve nëse njihen nga ndërkombëtarët? Berisha: PD do bëjë çdo gjë për të mbrojtur votën 

A do ta pranoni rezultatin e zgjedhjeve nëse i njohin ndërkombëtarët? Kjo ishte pyetja që iu parashtrua Sali Berishës dhe që iu shmang duke thënë se PD do të bëjë gjithçka për të mbrojtur votën e lirë. 

“Vetëm ai që është sipër mund të ndalojë PD pa bërë gjithçka për të mbrojtur votën e shqiptarëve. Ky komb do të votojë i lirë. Forcë në botë nuk do të ketë të pengojë shqiptarët të votojnë të lirë. “, u shpreh Berisha.