Protestat e Sali Berishës do të mbeten pezull për njëfarë kohe pasi kreu i PD ka angazhime të tjera. Ndërsa fliste me gazetarët para SPAK në zbatim të masës së detyrimit për paraqitje, Berisha tha se deri më 30 maj, axhenda e PD parashikon zgjedhjet për kryetar dhe Kuvendin Kombëtar.

Megjithatë, premtoi se protesta e radhës do të mbahet në fillim të qershorit, pa specifikuar një datë.

“Në mënyrën më të fuqishme do të vazhdohet me protesta, por siç e dini nga sot deri më 30 maj janë dy ngjarje të mëdha, referendumi për votëbesimin e kryetarit dhe Kuvendi Kombëtar. Këto janë procese që kërkojnë punë, përgatitje teknike. Ditët më të para të qershorit do të jetë kryengritja paqësore më e fuqishme që ka njohur Shqipëria!”, tha Berisha.

Për garën e PD, Berisha deri më tani ka përjashtuar kandidatët që kanë shprehur ambicien si Ervin Salianji, Evi Kokalari, Alesia Balliu, Vladimir Mulaj e Mereme Sela. Kuvendi Kombëtar do të mblidhet më 6 qershor.

Ndër të tjera, kreu i PD vijoi me akuzat për prokurorin e Altin Dumanit dhe gjyqtaren Irena Gjoka duke i quajtur me “shumë mbiemra” e më tej shtoi se të dy duhet të largohen nga detyra.