Vetëm 5 ditë nga zgjedhjet e 23 majit për kreun e PD, ish-deputeti Ervin Salianji ka ankimuar në organet e partisë vendimmarrjen për përjashtimin e tij nga gara. Në ankimin drejtuar kryesisë së PD dhe Komisionit të Apelimit, të cilin Report Tv e disponon, Salianji e quan të pavlefshëm vendimin për përjashtimin e tij dhe në shkelje të statutit. Ish-deputeti argumenton se KOKOE, me një logjikë të kohës së diktaturës, nuk e ka marrë fare në shqyrtim kërkesën e tij për të garuar përballë Sali Berishës më 23 maj. Salianji sqaron se ndonëse përfaqësueist e tij nuk u lejuan që të dorëzojnë dokumnetet e aplikimit në seli, ato u dërguan përmes postës elektronike por nuk ka pasur asnjë vendimmarrje për kërkesën e tij.

“Një vendim absolutisht i pavlefshëm dhe në kundërshtim të hapur me Statutin e PDSH-së si dhe më çdo parim kushtetues në një sistem demokratik. Ky vendim ka shkelur haptazi dispozitat e nenit 9 dhe 10 dhe jo vetëm të Statutit të PDSH-së ku me një logjikë primitive dhe mbetje e kohërave të diktaturës të cilat demokratët i kanë hedhur në plehra që përpara 36 viteve nuk ka marrë në shqyrtim kandidaturën time duke mos u shprehur fare as për ekzistencën e saj”, thotë Salianji.

Ai kundërshton gjithashtu deklaratat e sekretarit ligjor të PD-së, Ivi Kaso, i cili është shprehur se Salianji nuk plotëson kriteret për kandidim pasi nuk është më anëtar i partisë për shkak të pretendimeve për lidhje të papërshtatshme me persona të krimit të organizuar. Salianji i mohon këto akuza dhe kërkon që çdo pretendim ndaj tij të bëhet publik dhe të mbështetet me prova, duke theksuar se nuk ekziston asnjë vendim i zbardhur për përjashtimin e tij, në mënyrë që ta ankimojë.

“Dispozita e relatuar më sipër referon qartë që nëse një masë e tillë është marrë ajo do të duhet të më ishte komunikuar mua dhe në bazë të këtyre dispozitave do të duhem ti drejohem KAVS për të shqyrtuar këtë vendimmarrje të prezupozuar të Kryesisë së PDSH-së. Në dijeninë time nuk ka asnjë vendim të marrë nga ana e Kryesisë së PDSH-së për një masë disiplinore ndaj meje dhe aq më pak atë të përjashtimit. Siç dhe referon dispozita e nenit 24 të Statutit një masë disiplinore mund të merret vetëm në rast se veprimet e anëtarit cenojnë disiplinën e brendshme të PDSH-së apo dëmtojnë interesat elektoral të saj. Nëse të fitosh në çdo beteje elektorale që më është ngarkuar konsiderohet si cënim i interesave elektoral të PDSH-së atëherë unë e pranoj këtë “përgjegjësi” por përsëri do të vazhdoj të fitoj çdo beteje elektorale për llogari të PD-së”, thuhet në ankim.

Në kërkesën e tij, Salianji ka ngritur gjithashtu pretendime për procesin zgjedhor në PD, duke argumentuar se kandidimi i Sali Berishës bie ndesh me statutin e partisë, pasi duke iu referuar nenit të ashtuquajtur “Basha”, mandati i kryetarit ka përfunduar pas zgjedhjeve të vitit 2025 dhe nuk lejohet rikandidimi.

Sali Berisha i ka përfunduar mandati që në datën 04.09.2025 datë e cila përkon dhe më certifikimin përfundimtar të rezultati zgjedhor me anë të Vendimit me Nr. 34 të Komisionit Rregullator dhe të Vendimit Nr.30 datë 04.09.2025 të Kolegjit Zgjedhor dhe të njohur me veprime konkludentë nga ana e PDSH-së”, thuhet në ankim.

Salianji kërkon nga Kryesia dhe Komisioni i Apelimit që të shpallin të pavlefshëm vendimin për përjashtimin e tij nga gara dhe konstatimin e pavlefshmërisë së vendimit për përjashtimin e tij si anëtar Kryesie.

Kërkesat e Salianjit
-Konstatimin e pavlefshmërirë së veprimit juridik (i ndërmarrë me veprime konkludente) të ndërmarrë nga ana e Kryesisë apo organeve të tjera kolegjiale të Partisë Demokratike për marrjen e masës disiplinore të “Përjashtimit” të Anëtarit të Kryesisë Ervin Salianji nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
-Konstatmin e pavlefshmërisë së Vendimit me Nr.120 datë 01.05.2026 të KOMISIONIT TË ORGANIZIMIT DHE KONTROLLIT TË OPERACIONEVE ELEKTORALE.
-Shqyrtimin e përputhshmërisë me statutin të Vendimit... (pa datë dhe pa numër) të Kryesisë së PDSH-së të “Përjashtimit” të Anëtarit të Kryesisë Ervin Salianji nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë