Në qendër të akuzave të artikuluara sot nga Sali Berisha, vendoset sërish kryeministri Edi Rama, sepse sipas kreut të PD-së, po pengon zbatimin e ligjit lidhur me rastin e Belinda Ballukut. Gjatë konferencës për shtyp, Berisha e portretizoi zv/kryeministren si “kryetare e një organizate të strukturuar kriminale” ndërsa Edi Ramën si “kapoja i kapove”.

“Siç del qartë, Edi Rama, i ngërthyer tani kokë e këmbë nga mafia e tij, Lubi Balluku, Ergys Agasi, Olta Xhaçka, Taulant Balla, etj, në një vendim in-ekstremis, ka vendosur të asgjësojë, të bllokojë zbatimin e ligjit dhe të vendimit të prokurorisë dhe gjykatave.Ai del haptas kundër heqjes së imuniteteve dhe arrestimit të kriminelëve, të kryetarëve të organizatave kriminale, Lubi Balluku është me të gjithë të dhënat e veta kryetare e një organizate të strukturuar kriminale.Por problemi në këtë rast është se kapo i kapove është Edi Rama” tha Berisha.

Një element kyç i deklaratës së sotme të kreut të PD-së, është zhvendosja e theksit nga betejat institucionale drejt revolta qytetare, të cilin ai e sheh si “shpresën e vetme” për largimin e Edi Ramës. Ai e konsideroi protestën e 22 dhjetorit ku u shënua një pjesëmarrje në rënie në krahasim me 5 protestat e mëparshme të demokratëve, si një ‘provë dhe dëshmi’ të revoltës popullore.

“Dhe unë i garantoj qytetarët me besimin më të madh se me revoltën e tyre, me revoltën e popullit opozitar, Edi Rama do ia mbathë siç ia ka mbathur çdo diktator tjetër. I garantoj se edhe prapa diellit po të shkojë, do ta sjellim para gjykatës në Shqipëri. Pra, sot për largimin e tij nuk kërkohet asgjë tjetër përveç guximit, vendosmërisë dhe vullnetit të qytetarëve shqiptarë në një protestë të qëndrueshme gjer në largimin e tij”, tha Berisha.

“Por kjo duhet të jetë e qëndrueshme.Bulevardi duhet të jetë i qytetarëve. Sheshi duhet të jetë i qytetarëve.Jo një ditë, dy apo tre, por aq kohë sa duhet për ta larguar” shtoi ai, duke artikuluar premtimin se opozita “do të punojë fort për të bindur qytetarët” të cilët sipas Berishës, duhet të jenë “të gatshëm për sakrifica në një revoltë paqësore” që të largojnë Edi Ramën nga pushteti.

Berisha iu rikthye sulmeve ndaj drejtësisë duke i etiketuar gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese si ‘skllevër mjeranë të pushtetit” dhe shprehur bindjen se mazhoranca nuk do të heqë imunitetin e Ballukut.

Vetëm dje, dy gjykatës të Gjykatës Kushtetuese, skllevër mjeranë të pushtetit u deklaronin miqve të tyre, se e kuptojmë se Edi Rama ka marrë fund, por përsëri na kërkojnë që në datën 18 të votojmë në favor të tij. Dy gjykatës Kushtetues skllevër të pushtetit, i dini ju, lexoni librin e gjeni kush janë. Aty ka dhe gra, nuk po them gra, burra. Dy burra, gjykatës skllevër të pushtetit u deklaronin miqve të tyre në mënyrë të pavarur, se ne e kuptojmë se Edi Rama ka marrë fund, por prap na bëjnë presion të jashtëzakonshëm për të votuar për të në datën 18.Ndaj dhe nuk kam asnjë lloj mëdyshje, që ia nuk do të heq imunitet, sepse të parin imunitet që heq, do detyrohet të heq të dytin të vetin dhe ai nuk e bën.  Atëherë populli opozitar do të flasë me gjuhën e tij më të bukur, gjuhën e luftës për liri dhe dinjitet’ tha ai.