Sali Berisha mblodhi për herë të parë, pas zyrtarizimit kandidatët e tij për kryebashkiakë. 55 kandidatëve që u zgjodhën në një proces ku votuan anëtarët e simpatizantët, te cilët i quan misionarë që do të kthejnë pushtetin vendor te qytetarët, Berisha u dha porositë e para.
“Ju kaluat një garë, një betejë për të hyrë në luftë. Një luftë elektorale. Në një betejë elektorale, me qëllimin më madhor, për t’ia rikthyer bashkitë qytetarëve shqiptarë. Ne ua rikthyem anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, përfaqësuesit e tyre dhe ja ku jeni .Ju jeni misionarë. Për të rikthyer bashkitë te qytetari. Ju filloni garën si misionarë, që bashkitë të shndërrohen siç duhet të jenë, në shtëpitë e vërteta të qytetarëve. Ju nisni një betejë me misionin e madh, jo vetëm për largimin e barrës së rëndë që sekti i rilindjes ka hedhur mbi shpatullat e qytetarëve shqiptarë.” tha Berisha.
I vetmi kryebashkiak socialist që sulmoi drejtpërdrejt, qe Erion Veliaj me të cilin, me Belind Këlliçin në krye synon betejën kryesore. Nuk la pa shigjetuar as kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako dhe kryebashkiakun e Elbasanit.
“Unë mund të rikujtoj këtu, vetëm kryetarin e betonit të Tiranës. Ka dyfishuar taksën e çdo qytetari. Ka shpikur taksën e arsimit, në një kohë kur jo e majta, por edhe e djathta, e ka në gen detyrimin për arsimin falas.
Shteti e ka detyrë të shkollojë fëmijët e qytetarëve. Kurse sipas këtij hajduti, shkollat duhet t’i ndërtojnë qytetarët. Me taksa ekstra. Bashkitë po presin me padurim çlirimin nga kjo farë hajdutësh që nuk i ka parë toka. Ai që sot është në krye të bashkisë së Tiranës, nuk po flas për Durrësin se aty është një figurinë, kurse ligjin e bën nëntoka, nuk po flas për Elbasanin, se atë shkojnë dhe e rrahin në zyrë. Por po ndalem te Tirana se atje janë cilin të qash më parë.”, tha Berisha.
Në takimin me Berishën, nuk munguan as kandidatët për kryebashkiakë të ardhur nga lista e Partisë së Lirisë. Më 4 dhjetor, PD e Berishës zgjodhi kandidatët edhe për zgjedhjet në bashkitë e tjera. Për bashktië e mëdha, kandidojnë Bardh Spahia në Shkodër, në Elbasan Luçiano Boçi, në Durrës Igli Cara e në Korçë Ledina Aliolli. Në 4 Bashki, Kuçovë, Përrenjas, Memaliaj e Skrapar janë zgjedhur kandidatët e Partisë së Lirisë, të cilëve sipas marrëveshjes Berisha-Meta, fusha ju la e lirë.
Kandidat i PD së Berishës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ftoi të gjithë qytetarët e pakënaqur që të votojnë PD-në në zgjedhjet lokale për të sjellë në këtë mënyrë ndryshimin e shumëpritur.
Gjatë një takimi në selinë blu me të gjithë fituesit e primareve të Berishës për zgjedhjet lokale, Këlliçi u shpreh se beteja për Tiranën do të jetë epike, por në fund do të fitojë PD. Më tej ish kreu i FRPD-së u shpreh se do i rrëzojë kullën më të madhe në kryeqytet Erion Veliajt.
“Vij sot përpara jush me një përgjegjësi të madhe. Dua ta nis me një falënderim për ata demokratë të gjithë ata demokratë që na kanë ndjekur në çdo zgjedhje të brendshme të zhvilluar gjatë këtij viti.
Por nga sot kërkohet një angazhim më i madh i demokratëve dhe qytetarëve që besojnë e opozita që ne të jemi fitimtar në 14 maj, jo për PD-në por për të shpëtuar Shqipërinë. Situata është kritike. Në Tiranë jam i bindur që ne do të bëjmë një betë epike dhe do t’ia dalim të rrëzojmë kullën më të lartë të qeverisjes së keq, Erion Veliajn.
Për t’i hapur rrugën më pas rrëzimit të qeverisë dhe largimit të Edi Ramës. Nuk ka pse ky vend që i ka falur zoti të gjitha të braktiset nga rinia.
Ndryshimi që ne presim nuk do të vijë nga qielli, nëse jemi të pakënaqur duhet të reagojmë ne. Ndryshimin nuk do na e falin. Vështirësitë e bëjnë më të bukur rrugëtimin dhe shijen e fitores në fund. Nëse nuk do të kishte vështirësi kjo forcë politike nuk do të krijonte politikanë të suksesshëm që do të ndërmerrnin reforma të rëndësishme në vend”, tha Këlliçi.
Ne foto shikoj disa pak dhjetra meshkuj dhe vetem 4-5 femra........ Parti Islamike... Tironci
Përgjigju