Sali Berisha nuk ka asnjë kritikë për Belind Këlliçin, i cili nxori gishtin e mesit me argumentin për të goditur korrupsionin por mori shumë reagime. Vetë Berisha që e zgjodhi që të kandidojë për Bashkinë Tiranë thotë se të gjithë të korruptuarit meritojnë shumë më tepër se aq.

Madje duket se e nxit Këlliçin të ndjekë këtë rrugë duke thënë se po të ishte në vend të tij, kushedi çdo të nxirrte.

“Ata që vjedhin qytetarët meritojnë jo gishtin, por shumë herë më tepër. Ata që vjedhin qytetarët meritojnë çdo formë diskreditimi, ata që mbrohen nga Rama dhe drejtësia e tij, atë e kanë pak, meritojnë çdo gjë tjetër. Pastaj çdo njeri duhet të marrë parasysh, një i ri ka imagjinatën e vet dhe shprehjen e vet. Po të isha unë, ku e di ti ç’mund t’i nxirrja unë atyre. Më duket pak ajo të them të vërtetën”, tha Berisha.

Berisha ka komentuar edhe dhunën ndaj Bato Dalipaj një punonjës i bashkisë së Patosit, i cili sipas Rithemelimit u godit se nuk plotësoi formularin me emrat e familjarëve që do të votonin për PS-në. Ish-kryeministri tha se e dënon këtë veprim që e cilëson krim të shëmtuar dhe akt të rëndë që dëshmon terrorin që po i ushtrohet qytetarëve dhe votës së tyre të lirë.

“Falangat e krimit elektoral të administratës së narkoshtetit kanë dhunuar fizikisht, keqtrajtuar kafshërisht qytetarin Bato Dalipaj sepse kanë dashur t’i imponojnë me detyrim, paraqitjen e listës së votuesve, të cilët ai duhet të komprometonte për PS-në. Dënoj me ashpërsinë më të madhe krimin e shëmtuar të drejtorit të ndërmarrjes komunale të Bashkisë Patos, ndaj punonjësit Bato Dalipaj. Ky është një akt i rëndë, një dëshmi flagrante e përdorimit të makinerisë shtetërore si makineri dhune, terrori ndaj qytetarëve dhe votës së tyre të lirë”, tha Berisha.

Edhe në këtë dalje publike, Berisha nuk la pa përmendur Edi Ramën, i cili thotë se ka frikë nga debati dhe përballja.

 “Nuk ia mban të vijë në studio të përballet me mua”, u shpreh Berisha.