Berisha më 2025 lufton të mundë Bashën, Ramën e di se nuk e ‘ha’ dot

Berisha më 2025 lufton të mundë Bashën, Ramën e di se nuk e ‘ha’ dot

Sali Berisha

Foltorja e drejtuar nga Sali Berisha organizoi këtë të martë një protestë për të treguar ‘muskujt’. U shfrytëzua përvjetori 33-të i 20 shkurtit të vitit 1991 i rrëzimit të bustit të diktatorit komunist Enver Hoxha, për të mbledhur për hetë të parë njerëzit në shesh në mbrojtje të Berishës, i cili është në përballje me drejtësinë teksa e ndoqi dhe e përshëndeti protestën e grupimit që drejton nga dritarja e shtëpisë së tij, pasi është nën arrest shtëpiak.

Berisha është i izoluar që nga fundi i dhjetorit të kaliar dhe nuk e kalon dot pragun e derës sepse ai eshtë i akuzuar për korrupsion pasiv në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Dhe ai nën arrest shtëpiak, për pastrim parash.

Themi se 20 shkurti u gjet si pretekst nga Berisha për të treguar ‘forcën’ përballë aleatëve tanë që e kanë shpallur ‘non grata’ apo e trajtojnë si të tillë dhe mbi të gjitha për të intimiduar prokurorët e gjyqtarët e posaçëm që kanë nisur të hapin një nga një dosjet në ngarkim të Berishës, sepse në tërësinë e vet protesta sikurse u zhvillua s’kishte lidhje me 20 shkurtin, përvjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit. Paçka se flet për ‘rrëzim etërish e bijsh’, ndërkohë që vetë Berisha është një gjysh komunizmi.

Dhe SPAK nuk është mjaftuar vetëm aferën e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani’, por është duke hetuar dhe vrasjen makabre të 4 protestuesve të opozitës së atëhershme më 21 janar 2011 nga Garda e Republikës, si dhe dosjen e “Gërdecit’ ku humbën jetën nga shpërthimi i punishtes së demontimit e të paketimit të municioneve ushtarake 26 persona, një biznes i të birit Shkelzen ky sipas akuzës. Njëherësh është dhe afera CEZ-DIA si dhe akuza të tjera të këtij lloji.

Protestën e udhëhoqën çifti më i ri i politikës shqiptare Gazment Bardhi e Flamur Noka, edhe ata shumë të përkushtuar për ta ‘celebruar’ këtë ‘martesë’ brenda ‘gjinisë’, pra brenda demokratëve të idhnuar keqas me njëri tjetrin, dhe që prej dy vitesh i kanë ndaluar hyrje-daljet tek njëri tjetri. Për më tepër që e kishin për herë të parë që e bënin, si liderë, me komandim kuptohet.

Protesta ishte normale, siç dinë të bëjnë shumica e partive politike në Shqipëri, shquan këtu PD në këtë ‘sektor’, që mbledhin njerëz nga rrethet duke iu garantuar një vakt në Tiranë, me sufllaqe e ndonjë dhallë apo ushqime të tjera të shpejta. Kanë të garantuar dhe udhëtimin me autobusë dhe furgonë falas.

Duke qënë se pjesa më e madhe vjen nga zonat rurale, ata nuk është se kanë lënë ndonjë punë mangët, pasi fushata e mbjelljeve masive të drithërave dhe perimeve, shumica nuk kanë mundësi të ngrenë sera pasi nuk ua mban xhepi, i fusin një vajtje-ardhje falas në Tiranë, hyjnë në shesh, brohorasin Berishën i cili shihej nga monitori teksa fliste direkt nga podiumi i ngritur në shtëpinë e tij në katin e tetë të pallatit në rrugën “Mustafa Matohiti”. Se kush i pagoi dhe kush u mor me shpenzimet dhe ngritjen e infrastrukturës së podiumit, fonisë dhe shpenzime të tjera, janë organe të caktuara që mund të merren. Politikisht, Foltorja ngriti selinë në shtëpinë e Berishës.

Berisha i ka organizuar më mirë protestat më herët, madje i ka pasur gjithnjë masive dhe më me temp, di ta mbajë të ngritur moralin e miltantëve, por mjerisht e bën shumë mirë edhe trembjen e elektoratit gri, pra atij që vendos për fitoren ose humbjen e një partie në zgjedhje.

Ama Lulzim Basha për 8 vite me radhë ka organizuar protestat më të mëdha të opozitës, apo ka bërë lëvizje më të forta se Berisha, duke filluar me “çadrën” dhe vijuar me djegien e mandateve, sulmin ndaj institucioneve dhe bojkotin e zgjedhjeve për pushtetin vendor të 30 qershorit 2019. Ia ka kaluar Berishës këtu, ndonëse për 8 vite e kishte prapa perdes. Ama zyrtarisht ishte Basha.

Protesta e ditës së martë e Foltores s’mund të shahet për nga pjesëmarrja, pavarësisht shashkave, kapsollave, molotovit e gurëve që u hodhën në kokat e policëve që po ruanin kryeministrinë, e cila 8 ditë më vonë do të shërbejë si vendi mikpritës i samitit të rajonit, me pjesëmarrjen dhe të përfaqësuesve amerikanë e evropianë e mbi të gjitha të presidentit ukrainas Zelensky, i cili po udhëheq popullin e tij në luftë kundër agresionit rus.

Por në këtë godinë të kryeministrisë është pritur 5 ditë para 20 shkurtit dhe sekretari amerikan i shtetit Blinken, i cili vlerësoi Shqipërinë si lidere në rajon dhe partneren më të ngushtë e SHBA në të gjithë Ballkanin. Njëherësh vlerësoi kryeministrin Edi Rama si një udhëheqës të shkëlqyer dhe një kryeministër shumë të mirë.

Janë vlerësime të mëdha këto, kur mendon se Rama është në mandatin e tretë qeverisës radhazi, dhe e ka të sigurtë mandatin e katërt, e ndoshta dhe të pestë apo më tej. Derisa Rama të realizojë objektivin e tij të deklaruar për shndërrimin e Shqipërisë në një vend që ‘thith’ miliona turistë dhe vend të jetueshëm e të preferuar për shqiptarët e miqtë tanë. Jo vetëm në verë por në çdo kohë.

Mbi të gjitha Shqipëria ka në mbështetje aleatë të fortë si SHBA, BE dhe Britania, jo vetëm për procesin e integrimit dhe ndihmës për rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë, por dhe si një garanci sigurie në këto kohë të turbullta të luftës në Ukrainë, apo përpjekjeve të Moskës për të futur hundët në Ballkan dhe për të rritur ndikimin e saj në rajon. Tentativën ruse e evidentojnë raportet e shërbimeve inteligjente partnere por dhe më tej, nuk e themi ne.

Parë të gjitha këto fakte, shtuar dhe opozitën e bërë copë copë, po bëhet akoma më e sigurtë që Rama do vijojë dhe disa mandate të tjera radhazi të qeverisë vendin. E ka pranuar dhe vetë Berisha se nuk fitohet përballë Ramës. Pavarësisht se si justifikon ai më pas duke e akuzuar për tjetërsim vote përmes blerjes, pavarësisht se zgjedhjet njihen menjëherë sapo del rezultati nga organizatat mbikqyrëse të zgjedhjeve dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Ka krijuar një standard të ri Edi Rama për zgjedhjet, zhvillohen të qeta dhe pa asnjë kontestim, përpos Berishës i cili nuk ka pranuar për 33 vite me radhë asnjë palë zgjedhje nëse nuk i ka fituar vetë. Eshtë me provë kjo.

Protesta e Foltores, themi kështu sepse Meta-Kryemadhi munguan më 20 shkurt. Kishin zgjedhur udhëtimin jashtë vendit, Egjipt, për ‘punë’ në vend që të dilnin në shesh. Nuk ‘kruhet’ Meta me ‘miellin’ e SHBA, është mjeshtër për të shfrytëzuar apo shmangur momentin, të mirë apo të keq sipas rastit, për vete sidomos, por dhe për Partinë e Lirisë. Ndërsa aleatët tjerë opozitarë, nuk i janë përgjigjur thirrjes së Berishës. Madje Dashamir Shehi i LZHK kishte zgjedhur në mënyrë ‘sfiduese’ që në momentin kur zhvillohej protesta të takonte mbështetësit e tij tek Kullat. Ndërsa Lulzim Basha e PD zyrtare as që bëhej fjalë që të merrnin pjesë në këtë protestë. Janë ‘armiku’.

Të gjitha këto mungesa ishin të justifikuara, pasi askush nuk mund të dalë jashtë koordinatave të orientimit Perëndimor, dhe mbi të gjitha e dinë fort mirë se kjo protestë përpos në funksion të hallit të Berishës e familjes së tij me drejtësinë, ishte dhe një luftë për jetë a vdekje brenda llojit, një luftë brenda “gjinisë”, PD, për lidershipin e partisë. Aq më tepër që vendimin e Apelit për çështjen e vulës dhe të logos së PD e ndanin vetëm 4 ditë nga 20 shkurti.

E më i kënaquri në këtë mes ka qënë vetë Sali Berisha. I cili mundi të mblidhte përmes pagesave dhe udhëtimeve falas ca njerëz në shesh që të rikthenin në skenë thirrjen e 33 viteve me radhë “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Megjithëse Berisha në kohë të ndryshme, për 13 vite në krye te qeverisjes së vendit e ka pasur gjithë mundësinë e Zotit që ta çonte Shqipërinë në Europë. Por sa herë e ka marrë me votë të dyshimtë në dorë qeverisjen e vendit, e ka ‘dorëzuar’ ose me armë, ose të rrënuar tërësisht. “Tokë të djegur” me një fjalë, sipas motos “pas meje të bëhet qameti”.

Kështu po vepron dhe me grupimin më të madh demokrat, Foltorten, të cilën e përdor thjeshtë dhe vetëm si një ‘koracë’ mbrojtjeje për hallin e tij personal dhe të familjes, që kanë punë thuajse të gjithë me drejtësinë. Përdorim deri në rrënim po sipas partimit ‘pas meje të bëhet qameti’ dhe te Foltorja. Ndaj themi se Berisha është i kënaqur me këtë pjesëmarrje, sado jo në nivelin e vetë Berishës, të Bashës jo jo, thjeshtë e vetëm për të treguar se ka njerëz që i shkojnë pas. Anipse këta protestues janë ‘mobile’, sillen në Tiranë nga zonat rurale, si dhe ‘furnizohen’ me sufllaqe e dhallë.

Të kënaqur janë dhe Bardhi me Nokën, që pavarësisht çfarë kanë në zemër për njëri tjetrin, kanë inate, dhe luftojnë të dy për të marrë ‘trofeun’ e pasardhësit që do drejtojë Foltoren pas largimit të Berishës, arritën ta ‘celebronin’ me një protestë ‘martesën’ e tyre të re politike. Me bekimin e Berishës kuptohet. S’është pak!

Po demokratët vetë do të thotë ndokush si ndjehen, po opozitarët pa parti që nuk e duan qeverinë socialiste por duan të votojnë për një alternativë të re, si ndjehen?

Ata ndjehen jo vetëm të çorientuar, jo vetëm të zhgënjyer e të mashtruar, por dhe pa asnjë shpresë se një ditë do të arrijnë të pretendojnë bashkë me forcën e tyre politike, pushtetin. Demokratët dhe opozitarët në tërësi e dinë fort mirë se dhe sikur në shesh të kishin qënë 100 mijë njerëz, më 20 shkurt të këtij viti ishin shumë pak, disa mijë, opozita nuk vjen kurrë në pushtet. Pasi vetëm Tirana, ka gati plus minus 500 mijë votues. Që hedhin votën themi. Për të gjitha partitë politike. Dhe me këtë mbështetje Berisha nuk vjen kurrë në pushtet.

Përkundrazi. Opozita vijon të braktiset gjithnjë e më shumë. Këtë e tregojnë zgjedhjet, ku numrat për opozitën janë gjithnjë e më pak. Këtë e tregojnë sondazhet, ku po të mbledhësh mbështetjen për të gjitha partitë e opozitës mezi afrohen tek gjysma e mbështetjes që gëzon PS me kryetar Edi Ramën, si parti e vetme.

Dhe Berisha e di këtë. Prandaj që në krye të herës ai e ka luftën jo për të mundur Ramën, i cili i ka lënë ‘targën’ jo vetëm për zgjedhjet e vitit 2025, për të cilat që tani e ka prekur ‘finishin’ si fitues, po dhe në zgjedhjet vendore të radhës, dhe për pasojë dhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2029 apo dhe më tej i ka të fituara. Për zgjedhjet e vitit 2025 Rama dhe PS ka filluar praktikisht fushatën, ndërkohë që Foltorja ka mbetur poshtë ballkonit të Berishës. Prandaj demokratët s’kanë shpresë tek Berisha as ata që e ndjekin, pasi jo vetëm nuk përcjell frymë, por opozita është ndarë në disa copa dhe secila prej tyre vepron si njësi më vete. Kush beson tek një opozitë që nuk zgjidh hallet e veta, madje dhe për vulën e partisë janë në gjykatë? Vota për të shihet si një investim demokracie i shkuar dëm.

Berisha për hir të së vërtetës vijon të luftojë fort për të mundur Lulzim Bashën, kreun e PD zyrtare. Në krye të Foltores, gjasat janë që ta humbë betejen për çeshtjen e vulës në Apel, dhe po lufton fort që ta ‘kompensojë’ humbjen e vulës me mundjen e Bashës. Kjo i intereson më shumë Berishës, jo lufta me Ramën të cilën e ka deklaruar të humbur që në krye të herës. Lufton për vendin e dytë në renditjen e subjekteve politike shqiptare dhe të parin në rang-listën e partive të opozitës. Nëse mund Bashën kuptohet. Pasi demokratët nuk do të mbeten tërë jetën të pandriçuar sa të luftojnë pafund për kullat dhe bizneset e familjes së Berishës.

Demokratët do ftillohen një ditë dhe do bashkohen rreth një grupimi dhe lideri pro-SHBA-BE e Britanisë, që mbështet drejtësinë e re në misionin e saj për dhënien fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend. Nuk do mashtrohen tërë jetën, për të qëndruar në opozitë. Janë 33 vjeçarë ata që kanë lindur e janë burrëruar me zërin e Berishës në vesh. Do grumbullohen rreth një lideri të ri herët a vonë, lider që të mos jetë i përjashtuar nga rrethi i aleatëve tanë dhe të mos ketë zullume koprrupsioni dhe vrasjesh shtetërore mbi kurriz. Pra i pashpresë. Siç e do Berisha për të mbrojtur familjen dhe për të shtyrë dhe ato pak ditë që i kanë mbetur. Kjo është çështja./ Java News

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!