TIRANE - Këshilli i Ministrave ka vendosur të bëjë një numër shkurtimesh në shpenzimet buxhetore të institucioneve të ndryshme për periudhën e mbetur deri në fund të këtij viti. Në mbledhjen e rradhës të qeverisë është vendosur që botimi i çdo lloj njoftimi, përjashtuar njoftimin e kontratës së nënshkruar për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzime operative të njësive të qeverisjes qendrore mund të bëhet vetëm me miratimin e ministrit të Financave. Nga kjo përjashtohen fondet buxhetore, që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi të qeverisjes qendrore, në të cilat kryhet ky shërbim, blerjet e vogla emergjente, të cilat nuk janë objekt prokurimi.

Nga ana tjetër, do të ulet masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare në masën 20%, për të gjithë ata zyrtarë që kanë të drejtë të paguhen nga shteti për përdorimin e shërbimit të tëlëfonisë celulare. Po kështu, do të bllokohen të gjitha postet vakante, që ende janë të paplotësuara. Çdo funksion në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, i miratuar në organikë dhe i paplotësuar ende, do të ngrijë deri në fund të vitit, theksohet në VKM. Përjashtohen nga ky kufizim vendet e paplotësuara, për të cilat është realizuar konkursi, si dhe raste tepër specifike, për të cilat merret miratimi i ministrit të Financave.

Pezullohen njohësisht kërkesat për inicimin e akteve të Këshillit të Ministrave për miratimin e punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore. Po kështu, fondi i veçantë, i planifikuar në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nuk do të përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblime deri në datën 5 dhjetor 2012. Në Vendimit e Keshillit te Ministrave përcaktohet se shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit për njësitë e qeverisjes së përgjithshme do të reduktohen, nëpërmjet minimizimit të udhëtimeve, përjashtuar ato të një rëndësie të veçantë dhe, vetëm për një numër të kufizuar punonjësish. Në çdo rast, për kryerjen e këtyre udhëtimeve të merret miratimi i ministrit/titullarit të institucionit qendror.

Bllokohen edhe trajnimet/seminaret/kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2012. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë.

(ge.ko/Shqiptarja.com)