Berisha – Sanino: Do realizojmë çdo reformë

Berisha – Sanino: Do realizojmë çdo reformë
TIRANË - Kryeministri Berisha priti sot në takim, Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, zotin Stefano Sannino, i cili shoqërohej nga ambasadori i Delegacionit të KE-së në Tiranë, zoti Ettore Sequi.

Kryeministri Berisha theksoi se, qeveria shqiptare mbetet tërësisht e vendosur për të kryer të gjitha reformat, të marrë çdo masë dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për të ecur me shpejtësi përpara, me projektin madhor të anëtarësimit në BE, si interesi më i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Qeveria shqiptare beson fuqishëm se ky duhet të jetë një proces i bazuar tërësisht në performancë dhe në meritë.

Më tej, Kryeministri Berisha e njohu zotin Sannino me punën e madhe që është bërë deri tani në të gjitha fushat, me reformat e suksesshme e rezultatet e tyre gjatë kësaj periudhe, Kryeministri vlerësoi mbështetjen e Komisionit Europian dhe institucioneve të tjera të BE-së në veçanti takimet e përbashkëta me aktorët në vend, në procesin e seminarit të organizuar nga Komisioni në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe aktorët e tjerë të këtij procesi.

Kryeministri Berisha, pasi e njohu zotin Sannino me punën e bërë gjatë këtyre muajve të fundit për hartimin dhe miratimin e planit për të adresuar rekomandimet e BE-së, i ripohoi vendosmërinë e plotë të qeverisë për të ndërmarrë çdo hap për të adresuar këto rekomandime, duke shpresuar që edhe opozita nuk do të bëjë më përpjekje për ta penguar këtë proces. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha u ndal në çështjen e heqjes së imunitetit duke e konsideruar këtë një hap themelor, me rëndësi të jashtëzakonshme, në luftën kundër korrupsionit. Kryeministri nënvizoi angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të ecur me shpejtësi përpara, me të gjitha reformat e përfshira në Planin e Veprimit për adresimin e 12 rekomandimeve, të cilat përfshijnë ndër të tjera reformën zgjedhore, ndryshime të rregullores së parlamentit, procesin e regjistrimit dixhital të pronave, miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative, etj..

Zoti Sannino e falenderoi përzemërsisht Kryeministrin dhe e siguroi për angazhimin e fuqishëm të BE-së, për të mbështetur Shqipërinë në projektin e saj madhor dhe në reformat e ndërmarra, me objektiv marrjen e statusit brenda vitit 2012.

Zoti Sannino vlerësoi përpjekjet dhe arritjet e deritanishme, duke theksuar që është e rëndësishme që në këtë proces të japin kontributin e tyre të gjitha forcat politike, po ashtu edhe shoqëria civile.

"BE shpreson që këto prioritete të kthehen në projekt kombëtar për të gjithë dhe jo vetëm për qeverinë, pasi ky proces është në interesin e të gjithëve në Shqipëri," u shpreh zoti Sannino.

Zoti Sannino falenderoi Kryeministrin për vendosmërinë për të eliminuar imunitetet e zyrtarëve të administratës, gjyqësorit, etj. në Shqipëri. Ky hap, - tha zoti Sannino - do të shënojë një sinjal të qartë pozitiv, i cili do të vlerësohej qartësisht në BE. Suksesi i këtyre reformave, - vijoi ai - pritet të ketë një jehonë të rëndësishme në komunitetin e investitorëve të huaj dhe të përbëjë një nxitje të rëndësishme për ta, që tashmë duket se kanë drejtuar vëmendjen nga Shqipëria.

Një tjetër çështje në takim ishte mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të njeriut, si dhe adresimi i nevojave të grupeve në nevojë, komunitetit të romëve etj., të cilat mbeten gjithashtu, përparësi e qeverise për periudhën në vijim. Në takim u ripohua vendosmëria që edhe në këtë sektor të vijojë bashkëpunimi me BE-në, për realizimin e standardeve të synuara.
(aq/shqiptarja.com)



  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Plani i investimit për Thethin, Rama: Lehtësojmë taksimin! Projekt i ri për furnizimin me energji, mbështetje për panele diellore

Plani i investimit për Thethin, Rama: Lehtësojmë taksimin! Projekt i ri për furnizimin me energji, mbështetje për panele diellore