Pasi për vite me radhë Sali Berisha ka dështuar në përpjekjet për largimin e qeverisë, tani duket se po shpreson ta arrijë përmes protestave që po zhvillohen prej disa ditësh nga qytetarët. Madje përballë partive simotra të së djathtës europiane, ai ka marrë dhe autorësinë e këtyre protestave, ndërsa manifestuesit, i konsideron, pjesë të një organizimi të Partisë Demokratike
“Lëvizja është e pandalshme. Ju them këtë: nuk është vetëm një lëvizje e partisë sime, por është e pandalshme”, u shpreh Berisha.
Ndërsa për mikrofonin e televizionit të familjes së tij, Syri TV, dha një variant të modifikuar.
“Garantova se protesta është e pandalshme. Theksova se kjo nuk është një vepër e Partisë Demokratike, por Partia Demokratike e mbështet atë”, tha Berisha.
Mbetet e paqartë se si ai jep garanci në emër të një lëvizje qytetare. Ndërsa nga ana tjetër, vijon të bëjë sikur nuk dëgjon thirrjet në protesta që kërkojnë ta shohin atë bashkë me Ramën në burg…apo faktin që opozitën e shohin si të shitur.
Pakënaqësitë e shprehura ndaj të gjithë klasës politike, Berisha i sheh të jenë vetëm ndaj qeverisë
“Protestuesit, rinia dhe qytetarët shqiptarë kërkojnë për të gjitha motivet largimin, dorëheqjen e Edi Ramës dhe se ai po trajton protestën në një mënyrë përçmuese, kërcënuese dhe të padenjë”, vijoi Berisha.
Përmes kësaj qasjeje Berisha tha se ka kërkuar dhe angazhimin e partive të djathta për një qeveri kujdestare sipas tij.
“Është me rëndësi themelore që kjo të merret seriozisht dhe të gjendet një zgjidhje paqësore, me një qeveri kujdestare që ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Berisha.
Berisha vazhdon me lojëra fjalësh dhe për investimin në Zvërnec. Ndërsa e ka mbështetur atë pa hezitim, sepse në mes është dhëndri i presidentit amerikan, problemet ai dhe këtu i sheh të qeveria. “Në zonën e Zvërnecit, që është një lagunë, duhet respektuar ligji, ‘Natura 2000’ dhe direktivat e BE-së për habitatet dhe shpendët”, deklaroi Berisha.
Komente






