Berisha nga Lushnja: Protesta
nuk errëson kongresin
FOTO |

Berisha nga Lushnja: Protesta<br />nuk errëson kongresin <br />FOTO |
E ndërsa në Tiranë opozita dhe qytetarët u mblodhën për të kujtuar 1 vjetorin e katër qytetarëve të vrarë në demostratën e një viti më parë, kryeministri, kryetarja e kuvendit, dhe ministri i Kulturës, u nisën drejt qytetit të Lushnjes, për të kremtuar 92 vjetorin e fillimit të punimeve të këtij kongresi.
I konceptuar nga bashkia Lushnje si një aktivitet në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, Lushnja ishte zbukuruar me flamuj dhe parrulla ku ftoheshin qytetarët të gëzonin për festën e kongresit. Por shumë festë, nuk kishte.

Kryeministri mbërriti në orën 9.30, dhe pas një takimi me kryetarin e Bashkisë Fatos Tushe, në prezencë edhe të dy deputetëve të PS, Bashkim Fino dhe Arben Çuko, në Bashki, veç festimeve të kongresit, u fol edhe për projekte të tjera.
Në këmbë, Berisha dhe gjithë delegacioni i mbërritur nga Tirana përshkoi bulevardin kryesor të qytetit, për të shkuar në shtëpinë e Kongresit të Lushnjes. Aty, gjithçka është si një muze. Por ende nuk e ka marrë statusin e muzeut shtëpia historike e lushnjarëve, edhe pse në muret e shtëpisë qëndronte shprehja lapidar e Avni Rustemit se zhvillimet më të mëdha në vend vinin nga Lushnja e Vlora.

“E kërkojmë me ngulm që shtëpia e kongresit, të jetë shtëpi muze, dhe të vendoset në ruajtjen e trashëgimnisë kulturore. Edhe pse këtu janë gjithë këto personalitete, deri tani, zëri i lushnjarëve për këtë nuk është dëgjuar” ishte apeli i mbajtur nga kryetari i bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe.
Një zonjë, një pasardhëse e njërit prej delegatëve, e ndalon kryetarin e bashkisë për t’i thënë falemnderit. “Jam shumë e nderuar, i thotë. Për herë të parë, në muret e shtëpisë muze, është vendosur edhe portreti i gjyshit tim. Nuk ka qenë asnjëherë. Ju falenderoj për këtë” i thotë ajo.
Kryetari i bashkisë tregon se janë bërë disa investime të vogla sa i përket ndriçimit dhe mirëmbajtjes. Por ka shumë punë për të bërë. Të paktën, Berisha, ndërsa shkoi në Lushnje, brenda këtij viti festiv, do të nxjerrë ndonjë fond të posaçëm. Ndërsa nëpër blogje shkruhej: “Po mirë, vallë ky kryeministër, pse nuk shkoi në Lushnje në 90 vjetorin e kongresit që ishte vit jubile, por gjeti pikërisht 92-vjetorin?” si për të nënkuptuar faktin, se Berisha iu shmang Tiranës, atje ku opozita mbante tubimin për katër të vrarët e 21 janarit të vitit të kaluar.
Deklarata
Shefi i qeverisë nuk do t’i shmangej këtyre komenteve. Pas daljes nga shtëpia e Kongresit, pyetjes së vizion plus për tubimin e opozitës në Tiranë, Berisha iu përgjigj: “Është e drejtë e çdo qytetari për të protestuar, por asgjë nuk mund të errësojë madhështinë e kësaj dite, e këtij kongresi i cili më shumë se çdo gjë tjetër meriton të vlerësohet si kongresi shpëtimtar i Shqipërisë dhe kombit”.

Ndërsa në fjalën e mbajtur në sallën e Teatrit “Vaçe Zela” në qendër të qytetit, kryeministri evidentoi vlerat e jashtëzakonshme historike të kongresit. Ai tha, se ky kongres solli pluralizimin në vend. “Ne po nderojmë sot një ndër ngjarjet më madhore të historisë sonë kombëtare, si një nga aktet më të rëndësishme të shqiptarëve, për të pasur shtetin e tyre të pavarur. Kongresi i Lushnjes, në çdo analizë, është kongresi i shpëtimit të kombit. Ndaj qëndron me dinjitet krahas Lidhjes së Prizërenit dhe shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. Këto tre ngjarje, janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Qytetarët e Lushnjes pritën personalitetet nga i gjithë vendi që erdhën këtu për një betim: Do ta bëjmë Shqipërinë dhe shtetin shqiptar. Nuk do të gjendet dot në kohën tonë historike, një tjetër qeveri që të ketë bërë më shumë sesa qeveria e Pajtimit Kombëtar që u themelua në Lushnje” tha kryeministri.
Më pas në sallën e Teatrit “Vaçe Zela” u mbajt edhe koncerti festiv. Trupa e Teatrit të Operas dhe Baletit, nën drejtimin e dirigjendit Edmond Doko, performoi për herë të parë përpara mysafirëve dhe publikut lushnjar, “Këngën e Kongresit” çka ngjalli, atmosferë dhe shumë duartrokitje në sallë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës