TIRANE – Qytetari elektronik, ose siç e quajti Kryeministri Berisha, “e-qytetari”, është një nga objektivat e qeverisë së tij për të ardhmen e afërt. “Sot ne vijmë më të bindur se kurrë për shndërrimin e këtij vendi në një vend dixhital, për shndërrimin e Shqipërisë në një Shqipëri dixhitale”, tha Kryeministri gjatë fjalës së tij në konferencën me titull “Arsimi shqiptar në moshën dixhitale”.

“Jemi një komb e një përqindje të lartë të rinjsh dhe ky përbën një avantazh të jashtëzakonshëm – tha Kryeministri, duke shtuar se – Nga Shqipëria dixhitale ne duhet të kalojmë tek e-qytetari”.

Berisha premtoi se “këtë vit do të shënojmë një hap të madh: internet në çdo klasë”. Sipas tij, “nxënësit tanë kalojnë orë të tëra në Facebook, një mrekulli”, por “duhet të ridimensionojmë tërësisht aftësitë programuese të shkollarëve tanë”.

Kryeministri theksoi se Shqipëria ka arritur në arsim “disa tregues të cilët në rrafshin sasior janë tregues të nivelit botëror, ndër më të avancuarit”. Ai e cilësoi arsimin si betejën më të rëndësishme “për të ardhmen e sigurtë të çdo kombi dhe shoqërie. Në këtë kontekst, për qeverinë që drejtoj, arsimi ka qenë dhe mbetet përparësi e të gjitha përparësive”.

Më pas ai tregoi edhe se cili është modeli që do të ndjekë Shqipëria në arsimin parauniversitar. “Do bëjmë gjithçka për të adaptuar sa më shumë nga sistemi finlandez, që bazohet në bashkëpunimin nxënës-mësues-prindër”.

Kryeministri kërkoi gjithashtu përhapjen sa më të gjerë të provimeve dixhitale “si një rrugë për të shmangur çdo lloj ndërhyrje dhe garantuar një sistem të paanshëm vlerësimi”.

(im/shqiptarja.com)