Berisha, ose si të gënjesh njerëzit që të duan e besojnë

Berisha, ose si të gënjesh njerëzit që të duan e besojnë
Nuk kam asgjë personale me ish-kryeministrin Berisha, madje do të kisha shumë gjëra personale që të shihja tek ai vërtetë një gjysh të shkëlqyer, një baba të mirë, një njeri punëtor e plot pasion. Por vetëm kaq. Nuk mund të them të njëjtën gjë sa i takon raportit të tij me të vërtetën, jo vetëm sot. Por gjithmonë.

Gjithmonë ka një moment që Berisha manipulon të vërtetën dhe bërtet fort. Bezdiset deri në errësim të logjikës dhe përjashton, sulmon këdo që "guxon" t'i thotë që e vërteta nuk është ajo që ai po thotë, por është një tjetër. Prandaj i pëlqen të mbajë afër vetëm ata që nuk e kundërshtojnë, si shumë pushtetarë shqiptarë që preferojnë të rrethohen vetëm nga njerëz që u thonë vetëm "po". Berisha nuk ndryshon mendje edhe para fakteve: Insiston, bërtet, shkruan se e vërteta është ajo që ai thotë.

Na ka ndodhur përherë me lajme që kemi dhënë e që nuk i kanë pëlqyer atij, jo se nuk kanë qenë të vërteta, por tamam për të kundërtën: Ishin mëse të vërteta.
Kështu ndodhte kur vendoste që gazetarët tanë të mos vinin këmbë në PD, kështu ndodhte kur na quante mafiozë kur ne shkruanim kundër mafiozëve, trafikantë kur shkruanim kundër trafikantëve, të korruptuar, kur na sulmon edhe sot e kësaj dite kur denoncojmë përfitues tenderash që nuk ekzistojnë... E vërteta vë në siklet Berishën dhe sjell një reagim të çuditshëm tek ai. Kjo është ajo që vazhdon të ndodhë.

Edhe sot, në lartësinë e 71 vjetëve, nuk e ka problem të nxjerrë në faqen e tij në facebook fusha me kanabis të marra në Colorado, (në website që kushdo mund t'i klikojë e verifikojë), e të thotë që janë në Fier, në Shkodër, apo në Vlorë. Eshtë e drejtë të kesh foto të krimit në flagrancë dhe është detyrë qytetare ta denoncosh. Më kujtohet gazetari Artan Hoxha mes plantacioneve me kanabis në Lazarat; vërtetë ai ishte një scoop, guxim, trimëri për të treguar të vërtetën siç ishte të një Shqipërie të padrejtë, që favorizonte trafikantë. Faktet duhet të tregojnë gjërat siç janë, pa pasur nevojën e retushimeve dhe të servirjeve të fotove të Colorados si fushat me kanabisin tonë.

Berisha edhe sot vazhdon e gabon: Duke përzier të vërtetën me gënjeshtrën krijon një inflacion të vlerave në vend. Duke treguar foto të gënjeshtra mund të bëjë që askush të mos e besojë kur të tregojë foto të vërteta. Por duke thënë gënjeshtra, bën atë që ndoshta ka për qillim të arrijë: Të çojë informacionin e gabuar te njerëzit që me sy mbyllur e duan dhe i besojnë. E kjo është më e trishtuara e fakteve: Të gënjesh njerëzit që të ndjekin e të duan. Por sa mund të vazhdojë kjo lojë? 

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Këshilli Bashkiak miraton vendimin për dhënien e bursave për vitin shkollor 2024-2025 dhe ushqim falas në shkollat publike

Tiranë/ Këshilli Bashkiak miraton vendimin për dhënien e bursave për vitin shkollor 2024-2025 dhe ushqim falas në shkollat publike