Berisha po përgatit PD-në post Basha

Berisha po përgatit PD-në post Basha

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Tani që numërimi ka filluar mbrapsh, debati politik shqiptar është i vakët, shterues, përsëritës. Duket sikur u thanë të gjitha. Pati vetëm një shkëndijë budallaqe nga ekstremistët e opozitës, që vunë alarmin për lista me të dhëna personale. Rezultoi jo vetëm një përpjekje e dëshpëruar për të prodhuar skandale, por tregoi dhe injorancën për ata, që s’bëjnë dot dallimin midis të dhënave personale dhe atyre publike.

Rregjistrimi i njerëzve në moshë për të votuar është kusht në një vend demokratik, i cili ndihmon që pjesmarrja në zgjedhje të jetë sa më e madhe, sa më e besueshme dhe sa më e saktë.

Ndihmon gjithashtu partitë politike të shohin ku e kanë elektoratin dhe si lëviz ai, një e drejtë mëse legjitime e cdo grupimi politik. Ka vende demokratike, ku të kërkohet të deklarosh nëse i përket një grupimi të caktuar politik, ose nëse je i/e pavarur. Rregjistrimi për një parti të caktuar, nuk është kusht, që domosdoshmërisht të votosh për atë parti. Të lejohet të ndërrosh mendje!

Në botën globale ku jetojmë sot, aplikohet për cdo gjë, kryesisht online. Kudo, të kërkohen të dhënat elementare, si emri, numri i telefonit, adresa. Por, edhe pa ato, në Shqipëri ka dy dakada që bëhen sondazhe me metodën më të thjeshtë të mundshme, duke marrë njerëzit në telefon dhe duke i pyetur për kë parti do votojnë.

Të çuditesh pse partitë krijojnë depozita me të dhëna për elektoratin, është njësoj sikur të kesh jetuar në shpellë 30 vitet e fundit. Shqetësimi nuk duhet të jetë pse parti të caktuara janë të organizuara sipas modeleve të partive nëpër botë. As pse njërëzit merren në telefon apo u cohen mesazhe në prag të zgjedhjeve. Kudo ku ka zgjedhje, elektorati bombardohet me mesazhe të tilla. Quhet fushatë!

Por, pse media shqiptare, që nuk verifikon kurrë lajmet (sidomos ato që vijnë nga forume to pabesueshme), përton të kërkojë edhe në Google.

Nuk është kjo e vetmja arsye pse debati politik, kaq pranë zgjedhjeve është shterpë. Shterpësia buron nga opozita dhe vaktësia e karakterit të Bashës.

Dy ide spikasin debatin këto ditë, të dyja lidhen me Bashën, të dyja krejt pa kuptim.

E para, (në kurthin e të cilës ka rënë dhe mazhoranca), është ideja që Basha i mirëkëshillueshëm, ka arritur të mbajë larg Berishën, historikisht të pakëshillueshëm.

E dyta, është ankesa e përhershme e Bashës dhe mbeshtetësve të tij, pse Rama merret vec me të.

Eshtë qesharake ti mveshësh Bashës, befas, një fuqi të “mbinatyrshme”, atë të fshehjes së Berishës. Këto lloj fuqish fitohen, nuk këshillohen.

Basha, nuk ka pasur dhe nuk ka për të pasur ndonjëherë fuqi, as ta fshehë, as ta shfaqë Berishën. E kundërta rezulton e vërtetë. I vetmi rast, që do tregonte fuqinë reale të Bashës, do ishte nëse Berisha nuk do të ishte në listat e deputetëve. Fatos Nano nuk ka qenë ndonjëherë në listat e PS-së, qëkurse iku nga pushteti dhe nga kryetar i Partisë Socialiste. Berisha është gjithmonë aty, i vetëvendosur dhe duke vendosur për gjithcka në PD.

Ai, me nuhatjen, që Bashës i mungon, e ka të qartë, që PD-ja i ka të humbura zgjedhjet. Berisha ka zgjedhur të mos i bashkangjitet Bashës në humbje. Ka vendosur të mos marrë mbi vete asnjë lloj përgjegjësie për disfatën e radhës. Ka vendosur tja lërë humbjen në derë Bashës dhe qytetarit dixhital. Në këtë pozicion komod, Berisha e ka më të lehtë ta largojë Bashën në 26 prill.

Të kuptohemi, në asnjë kohë, në asnjë moment, nuk do ta kishte të vështirë. Të gjithë e dinë, që kjo është beteja e fundit e Bashës në politikë. Askush nuk e beson për asnjë sekondë, se nëse do ti shkrepej Berishës të dilte në miting, nëse do ta ndjente entuziazmin e elektoratit, këshilltarët e Bashës do mund ta ndalonin. Madje, Basha do donte shumë ta kishte sot në krah Berishën. Për mirë a keq, entuziazmi, nuk do ishte aq imagjinar sa është sot. Por, Berisha po përgatit PD-në post-Basha.

Bashkë me Metën, që në një nga episode e tij psiqike, deklaroi se nëse opozita humb zgjedhjet, ai do të bëhet kryetar i opozitës. Me 4-5%  të votave të LSI-së, është absurde të udhëheqësh opozitën. Sipas logjikës normale, ky nuk është një titull a post ku emerohësh, është një pozicion që fitohet me vota, edhe kur humb zgjedhjet. Por, Basha është sot një i emëruar në krye të opozitës. Ai që ja dhuroi Bashës, lehtësisht mund tja dhuroi edhe Metës.

Ideja e dytë që vërtitet qysh kur filloi fushata, është ankesa qaramane e Bashës pse Rama i përmend emrin dhe gjumin. Për një njeri, që s’ka bërë kurrë një garë të ndershme në jetë, që s’ka fituar asgjë pa mik, që edhe të vetmen herë që “fitoi” zgjedhjet për kryetar bashkie, vodhi votat në mes të ditës, faqe botës, është e kuptueshme, që nuk ja ka haberin, që në një garë, merresh pikërisht me kundërshtarin dhe kundërshtari merret me ty.

Eshtë një rrugë dykalimëshe. Edi Rama në këtë moment që flasim, është një libër i hapur dhe ato që ka bërë i dinë të gjithë. Por, c’ka bërë Basha? Kjo është një pyetje legjitime për dikë që synon karrigen më të lartë të pushtetit egzekutiv në vend. Edhe për punën më të rëndomtë të aplikosh, të kërkohet një CV dhe merresh në intervistë.

Kandidatët politikë tradicionalisht kalojnë në sitë, u bëhet biografia qysh kur kanë lindur, si janë sjellë me shokët dhe shoqet në kopësht, shkollë, ushtri etc. Dhe theksi vihet tek karriera, sidomos nëse kanë shërbyer në shtet dhe janë paguar nga taksapaguesit. S’po kërkon njeri të dijë cka bërë Basha kur ka qenë 4 vjec.

Edhe kur u mundua të na e tregojë vetë, libri që katranosi ishte i mbushur me fantazira, thjesht në vazhdën e atyre që bëjnë libra në Shqipëri, që kurrë s’tregojnë të vërtetën, që historinë e tregojnë sic do donin dhe jo sic ka ndodhur. (Një mentalitet tragjik ky, zgjatim i komunizmit, ku Enver Hoxha përcudnoi historinë sic deshi e si rrjedhojë, kurrë s’kemi për ta mësuar historinë reale të Shqipërisë).

Por kujtimet e fëmijërisë, Basha le ti mbajë për vete dhe ti tregojë si ti dojë qefi. Tani thjesht i kërkohet të justifikojë rekordin e tij si Ministër i Brendshëm, si kryebashkiak i Tiranës dhe si kryetar i Partisë Demokratike për 8 vjet. Ai i shmanget përgjigjeve për të gjitha këto, (edhe kur rrallë ndodh ti bëhet ndonjë pyetje). “Nuk përgjigjem për gjëra që jam përgjigjur më parë” është slogani që i kanë këshilluar.

Edhe sikur të ishte përgjigjur më parë, kjo nuk është përgjigje. Eshtë e kuptueshme sa e vështirë është për Bashën të mbrojë c’ka bërë, ose më saktë, ato që nuk ka bërë qysh nga momenti kur i hyri politikës. Eshtë një CV e zbrazur, mbushur me tituj të falur pa asnjë produkt nga pas, dhe aty këtu, me ndonjë raport mjekësor për një abuzim marramendës me të cilin ju shmang drejtësisë.

Ankesa qaramane pse kundërshtari merret me të, është e pakuptimtë, ashtu sic është pa kuptim ideja, se në teori, kur dikush rri tetë vjet në pushtet, është i destinuar ti humbë zgjedhjet. Vetëm në teori. Në praktikë gjërat janë ndryshe.

Në praktikë, Basha nuk është ndryshimi. Ai dështoi të sjellë një alternativë, pak rëndësi do kishte, të mirë a të keqe. Ka një rekord bosh, kurdiset nga një plak morbid, dhe i lutet zotit për një mrekulli. Tani që numërimi ka filluar mbrapsht, Basha ka më shumë shance të fitojë telebingon sesa zgjedhjet.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg