Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar në Facebook videon e një familje të varfër nga Maqellara, të cilës sipas tij, i është ndërprerë ndihma ekonomike pas reformës në sitem. 

Kushtet ku jeton kjo familje në një ndërtesë të vjetër, pa dysheme, tavan, mobilie, enë kuzhine, asgjë, janë vërtetë të mjerueshme. Është kjo situata e trishtë brenda kësaj familje nga Maqellara e Dibrës. “Ja kujt i ndërpret ndihmën ekonomike Edvin Kristaq Rama! Miq, ju ftoj të ndiqni këtë video, ndër me tronditëset të mjerimit ekstrem të familjes së Zilije Gjonit, Maqellarë!”, shkruan Berisha.

E moshuara që jeton në kushte çnjerëzore së bashku me bashkëshortin e saj thotë se askush nga autoritetet lokale nuk ka shkuar t'i shohë se ku jetojnë. "Jam tu vujt, jam. Nuk më ka parë me sy komuna. Nuk kanë ardhur. Nuk duan të vijnë. A më kanë inat, nuk e di pse", thotë e moshuara në sytë e të cilës lexohet trishtimi i madh për kushtet e mjerueshme të jetesës në një banesë të rrënuar dhe në mes të dimrit të acartë.