Berisha rikthen sulmin ndaj medias
Padi 75 mijë € gazetarit Bollino

Berisha rikthen sulmin ndaj medias<br />Padi 75 mijë € gazetarit Bollino
TIRANE - Drejtësia shqiptare godet me vendime skandaloze shtypin e lirë, pak ditë para votimeve. Gjykatësi Bledar Abdullai i Gjykatës së Tiranës ka dënuar drejtorin e gazetës italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”, Carlo Bollino, që t’i paguajë një dëmshpërblim, për dëm jopasuror, ministrit Sokol Olldashi, në shifrën 75.000 euro. Faji? Asnjë.

Në fakt, dënimi i referohet një artikulli të publikuar në 24 mars 2011 nga e përditshmja "Gazeta Shqiptare". Artikulli ishte shkruar nga gazetarë të tjerë dhe drejtor i gazetës (që thirret në gjykatë për raste të tilla) ishte gazetarja Anila Basha. Gjykata ka proceduar edhe ndaj Anila Bashës dhe kryeredaktorit të "Gazetës Shqiptare", Erl Muratit, por, për fat, për ta nuk ka dhënë asnjë dënim për faj: I ka detyruar vetëm të publikojnë një përgënjeshtrim të shkrimit. Dëmet i janë kërkuar Carlo Bollino-s.

“FAJI”

Por çfarë roli kishte në atë vit Carlo Bollino? Asnjë rol. Ai ishte drejtor i “La Gazzetta del Mezzogiorno”, jetonte në Itali dhe as nuk kishte dijeni që ai artikull ishte shkruar dhe publikuar. Ai ishte vetëm përfaqësues ligjor në Shqipëri i shoqërisë “Mediterranea”, pronare e "Gazetës Shqiptare". Carlo Bollino ka themeluar në vitin 1993, "Gazetën Shqiptare" në Shqipëri, por, siç e dinë të gjithë, nuk ka qenë asnjëherë pronari dhe që nga viti 2007 është larguar nga Shqipëria, duke punuar si korrespondent i ANSA-s, më përpara në Lindjen e Mesme dhe pastaj në Itali si drejtor i “La Gazzetta del Mezzogiorno”.

Pronar i "Gazetës Shqiptare" ishte një shoqëri italiane: në fillim "Edisud" s.p.a dhe pastaj “Mediterranea”. Skandali juridik qëndron pikërisht këtu: Në vend që t’i kërkohen dëmet e mundshme personit juridik-pronar i gazetës, i kërkohen dëmet, personit fizik që administronte financat e gazetës. Vendimi u lexua, edhe pse avokati i Carlo Bollino-s nuk ishte i pranishëm në sallë dhe lajmi për vendimin u zbulua rastësisht nga gazetarët tanë në websitin e gjykatës së Tiranës.  
 
VENDIMI

Në vendim thuhet: “Detyrimin e të paditurit Carlo Bollino, në cilësinë e botuesit dhe përfaqësuesit të subjektit "Mediterranea" s.p.a, për t’i shpërblyer paditësit Sokol Olldashi dëmin jopasuror, të ardhur si rezultat i publikimeve të pavërteta në masën 75.000 euro; detyrimin e të paditurve Anila Basha dhe Erl Murati për të bërë përgënjeshtrimin e thënieve të botuara në media me titull "Skandali, 460 kabina plazhi u jepen banorëve, 70 i merr Olldashi” me titullin në faqen e parë të "Gazetës Shqiptare”.

Në vendim ka edhe një tjetër gabim të rëndë, sepse Carlo Bollino nuk ka qenë asnjëherë pronar i "Mediterranea"-s, shtëpisë botuese të "Gazeta Shqiptare", por Gjykata e ka cilësuar si "botues". Ky është një tjetër falsifikim.
 
LIGJI

Sipas ligjit shqiptar (por ky parim është i njëjtë në të gjithë Bashkimin Europian dhe në të gjithë botën civile), për një shkrim të publikuar në gazetë mund të përgjigjet gazetari që e ka shkruar, në ndonjë rast kryeredaktori ose drejtori, ose maksimalisht mund të përgjigjet shoqëria pronare e gazetës: asnjëherë nuk mund të përgjigjet personalisht (pra me paratë e tij) administratori i shoqërisë. Sepse, siç shpjegon mirë dhe një profesor i Fakultetit të Ekonomisë në Tiranë – në një artikull që po e publikojmë në këto faqe – edhe në drejtësinë shqiptare, si parim, secili është përgjegjës për veprimet e veta lidhur me dëmin e shkaktuar.
 
PRAPASKENA

Gjykata civile, pra, ka zbatuar një proces politik. Gjykatës ishte Bledar Abdullai (i njohur për proceset e tij kundër opozitës dhe për afërsinë e tij me Partinë Demokratike), ndërsa avokate e Sokol Olldashit ishte Erinda Ballanca, avokate e Sali Berishës. Pra, nuk ka asgjë për t’u habitur që hakmarrja politike, e kryer me këtë proces-farsë, të parashikonte një dënim skandaloz: Nuk kuptohet se mbi cilët principe Gjykata ka llogaritur 75 mijë euro dëmin shkaktuar ndaj Sokol Olldashit nga ai artikull i "Gazetës Shqiptare". Janë mbi 10 milionë lekë të reja! Olldashi, si ministër, fiton (të paktën zyrtarisht) 140.000 lekë në muaj. Gjykata, pra, ka llogaritur se ai artikull e ka dëmtuar atë me një shumë të barabartë me rrogën e 6 viteve si ministër!

Shifra e 75.000 eurove është në shpërpjesëtim edhe krahasuar me ligjin e tanishëm për shpifjen, i riformuar nga Kuvendi me kërkesë të Bashkimit Europian. Neni i ri, nr. 120, i Kodit Penal, i modifikuar në vitin 2012, parashikon për fajin e shpifjes si maksimum, një dënim prej 1.5 milionë lekësh të reja. Pra, 7 herë më pak se dënimi i padrejtë dhënë për Carlo Bollino-n.

Një turp politik dhe një monstruozitet juridik ky, për një vend që kërkon të futet në Bashkimin Europian.

carlo bollino , bledar abdullai, sali berisha
(Foto: Bledar Abdullai, Carlo Bollino, Sali Berisha)

vendimi i gjykates per carlo bollinon
(Faksimile e vendimit te marre me 23 maj 2013, zbardhja e plote e vendimit nuk eshte bere akoma)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.05.2013

 
Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja