TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me gazetarët në lidhje me aktin normative dhe progress raportin.
 
“Është shumë e dhimbshme për administratën që në vend të kësaj duhet të kishte shpërblim. Në këto moment po mban fjalim që de fakto është një lloj nekrologjie. Kjo është një goditje shumë e rëndë për interesin e qytetarëve. Me këta punonjës të administratës u audituan nga BE si punonjës që u besohet plotësisht përdorimi direkt i fondeve të BE dhe kjo është një tjetër arritje e madhe” - tha Berisha.

Për Berishën, progres raporti përbën një bazë reale për hapjen e negociatave. “Raporti tregon që jo vetëm nuk fillohet nga një gropë siç pretendon Mister Gropa, por ka një bazament të fortë që duhet të përmirësohet. Sigurisht të përsoset. Lufta kundër korrupsionit, reformimi i administrates."
 
Berisha u shpreh i vendosur se do të vazhdojë të sulmojë Ramën e qeverinë e tij.  "Unë kam dhënë dorëheqjen si kryetar partite, por jo si Sali Berishën, atje lashë kryetarin, Berishën e marr me vete”.

Berisha ka theksuar se "ju mendoni vendimet e mia para 10 vjetëve. Tani është kohë krejt tjetër dhe ka shëmbëlltyrë krejtësisht të re. Ne kurrë nuk do t’i lejojmë vetes të dëmtojmë integrimin me qëndrimet tona, është parim themelor"..

Ai ka shtuar edhe që "e ka konsideruar veten të gabueshëm dhe është përpjekur të bëjë analizë të gabimeve dhe i ka korrigjuar. "Janë shumë, jo një gabim. Një nga ato që nuk mund të pranoja në dikaturë ishte pagabueshmëria", tha Berisha.

RAMA, ANALFABET I VËRTETË NË EKONOMI
“Nëse ka analfabet të vërtetë në Ekonomi në mënyrën më absolute është Rama. Ne nuk realizonim 2 miliardë dhe unë e dija, tani ky thotë unë dua të më realizoni 8 miliardë të ardhura. Lojë e tmerrshme po bëhet në ekonomi. Ai merr një kompani për auditim, ku Erion Veliaj është i punësuar me çizme me vëlla e me të gjithë. Po instalon me shpejtësi një sistem korrupsioni të madh. Ai nuk di ç'është indeksimi. Ai është i vemti që nuk pranon rritjen ekonomike”.

RAMA TË HIQTE DREJTORËT, POR JO BAZËN POSHTË, ME KËTA TERROR KAFKIAN
"Ai mund të bëjë batërdinë me atë ligj. Ndaj ligjvënësi i ka thënë: s’mund të bësh dekrete. Pastaj konsensusi, pavarësisht nga gjithë konfliktualitetet konsensusi ka qenë shpëtimtar në shumë rrethana. Është shumë e pandershme, që zhurma të pengojë për të parë të vërtetën dhe efektet shumë të rëndësishme të konsensusit. Konsensusi ka forcën e një norme kushtetuese. Ky pa të keq si mund ta bënte? Ai mund ta bënte fare thjesht. Mund të merrte aktin, si nismë ligjore dhe binte akuza. Nismën ligjore e çonte në komisionet parlamentare. Por kanë revanshe ideologjike. Gjithë drejtorët kanë qenë të gatshëm të jepnin dorëheqjen. Unë u thashë “mosi ikni” deri ditën që të bëni dorëzimet, që mos bëhej kaos. Nuk mund të mendohej që Cani do punonte me drejtorin e doganave apo tatimeve të emëruar nga Bode. Por po preke më poshtë ti rrënon disiplinën dhe të ardhurat etj", analizoi Berisha. Ai shtoi se "në administratë ka sa të duash punonjës nga viti 1997, 2000 e me radhë. Nuk ka qenë kjo tendenca jonë për të penguar ata. Sigurisht që drejtorët do lëvizeshishin. Po njeriu nuk e humbet sjelljen qytetare. Është, s’është, ti do ta respektosh atë. Kanë krijuar atmesferë terrori kafkian. Ja këta që duken kështu. Në 2005 nuk ka pasur një qëndrim të tillë dhe ndryshim të tillë". 

FTESA E RAMËS NUK ISHTE FTESË, DISKUTIMI PAS DEKRETIT: HIPOKRIZI
"S’ishte ftesë. Ai vuri dekretin, që hyri në fuqi që në momentin që u firmos. Diskutimi ishte hipokrizi e madhe. Po të donte opozitën, ne s’mund të refuzonim të uleshim dhe të gjenim zgjidhje. Ai që largohet jashtë rregullave i njeh një seri atributesh, të drejtash. Po të nisem nga respekti i dinjitetit njerëzor. E bëjnë këtë për t’i flakur në rrugë si armiq dhe kjo është e papranueshme. Opozita përpiqet të bashkëpunojë dhe i ka bashkërenduar. Mendoj se ka bërë reagime të arsyeshme. Sot bënë një deklaratë krerët e grupeve. S’është bojkot i tipit Rama, se Rama tha s’njoh parlamentin. Ne s’kemi thënë që s’njohim parlamentin. Po nuk pranojmë këto dy standard, se të largojnë nga rruga e integrimit. Që sot tha: burokracia europiane jo gjithmonë nxjerr të vërtetën". 

DORËZOVA KRYETARIN, PRO JO SALI BERISHËN, TANI MERREM MË SHUMË ME POLITIKË
"A do ta lejojë Berisha Bashën të krijojë modelin e tij në PD?", ishte opyetja e gazetares Jetona Koçibelli nga televizioni "A1 Report", të cilës Berisha iu përgjigj: "PD ka një kryetar dhe një ekip, i cili është në rindërtim e sipër. Në të vërtetë edhe një herë dhe 100 herë unë dorëzova kryetarin, por e dorëzova, prerazi, jam njeri i fjalës, po nuk dorëzova Sali Berishën. Ky jam unë. Jashtë çdo lloj dyshimi. E di se ç’më ndodh tani? Është gjëja më interesante, se tani merrem me politikë si kurrë më parë. Gjatë jetës kisha shumë punë. Tani nga mëngjesi deri në darkë bëj vetëm politikë. Do bëj gjithçka për të ndihmuar PD-në. PD ka udhëheqjen, zërin e vet. Do zgjidhen forume, ekpi ku unë s’do jem. Interesi publik interesi im i parë dhe kryesor". "A është Basha i vonuar në zgjedhjen e ekipit të tij?", ishte një tjetër pyetje. "E drejtë pyetja, por së shpejti do fillojë. Kemi të bëjmë me një situatë unike në vend, për të cilën nuk dua të flas sot, se jam për festë, që mos mbyten gëzimet me këtë. Unë përdor edhe Facebook". 
"Si po e drejton partinë Basha?", ishte pyetja tjetër. "Unë s’jam profesor. S’marr rrogë profesori", u përgjigj Berisha. Ai ka shtuar se "kryetari i partisë ka të drejtë të zgjedhë ekipin e tij, por kjo ka kufizimin e vet statutor. Ka një nen në statutin e partisë, i cili lejon anëtarët e forumit, të këshillit kombëtar me një numër të caktuar të paraqesin propozimet e tyre për të gjitha funksionet. Pa këtë nen, forca politike nuk mund të jetë, as demokracia. Cila është detyra në vlerësimin tim? Kryetari është i detyruar të respektojë cilindo që del nga këto dhe që s’i ka futur vetë në listë. Edhe ata që dalin për të garuar e nderojnë partinë, por duhet të pranojnë rezultatin e votimit".
 
NE ME QËNDRIMET TONA S'DO DËMTOJMË KURRË INTEGRIMIN
"PD u detyrua në mbrojtje të një vlere morale si konsensusi dhe të një standardi jetik për vendin si administratë. Ju mendoni vendimet e mia para 10 vjetëve. Tani është kohë krejt tjetër dhe ka shëmbëlltyrë krejtësisht të re. Ne kurrë nuk do t’i lejojmë vetes të dëmtojmë integrimin me qëndrimet tona, është parim themelor. Jemi opozitë, por do bëjmë vetëm veprime që ndihmojnë integrimin. Çfarë po bëjnë bashkëkryetarët e mazhorancës aktuale them se po ecin në sens të kundërt, por ky do jetë objekt i një diskutimi të përbashkët që kur zyra ime të marrë formë përfundimtare do t’u ftoj dhe një kafe aty", tha Berisha. 

JO KTHESË NË MARRËDHËNIET ME GREQINË, POR KJO ËSHTË E MUNDSHME
"Nuk pashë kthesë në marrëdhëniet me Greqinë. Kthesa është e mundshme, duhet punuar. Dokumenta bazë ekzistojnë, ekziston traktati dhe më erdhi mirë që u citua nga të dy palët. Shqiptarët duhet ta dinë se ai traktat tregon se të dy vendet njohin kufirin. Sepse nuk ka pasur para tij asnjë dokument, që Greqia njihte kufirin tokësor. Enver Hoxha bënte deklarata, por kufirin s’e përcaktonte dot me ta. Traktati është bazë ligjore për të vënë drejt zgjidhjes një seri problemesh. Dhe kështu duhet të jetë. Problemet me fqinjët duhet të vihen drejt zgjidhjes". 

KAM BËRË SHUMË, JO NJË GABIM, EDHE I KAM KORRIGJUAR, MAGNETI IM: INTERESI PUBLIK
"Interesi publik ka qenë magneti im, jo pushteti. Unë e kam konsideruar veten të gabueshëm dhe jam përpjekur të bëjë analizë të gabimeve dhe i kam korrigjuar. Janë shumë, jo një gabim. Një nga ato që nuk mund të pranoja në dikaturë ishte pagabueshmëria. Ishin një grup njerëzish që mendonin se çdo gjë mund të bënin por jo gabime. Enver Hoxha thoshte se te ky trekëndësh ka naftë dhe po mos gjendej naftë vriteshin, se më sabotuan".
 
Redaksia Online
(sg/mag/shqiptarja.com)