Berisha, ‘shans’ që të tregohet në sy të SHBA një ‘non grata’ serioz

Berisha, ‘shans’ që të tregohet në sy të SHBA një ‘non grata’ serioz

Berisha dhe Yuri Kim

Sali Berisha nuk e ka ‘gëlltitur’ qëndrimin më të fundit të qeverisë amerikane të shprehur përmes ambasadores së saj në Tiranë Yuri Kim, sipas të cilit personat e shpallur “non grata’ nga SHBA nuk duhet të jenë më përfaqësues të popullit shqiptar. Pasi ky popull nuk e meriton.

Njëherësh ka dhënë dhe një përgjigjie shterruese ndaj liderit të “Rithemelimit”, po në emër të qeverisë amerikane, teksa ka nënvizuar shprehjen lapidare se “kur ke njerëz të përcaktuar nga SHBA për korrupsion domethënës, kur këta individë pretendojnë që do largojnë korrupsionin, është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do të shuajë të gjitha zjarret. Madje jo vetëm kaq, por kërkon dhe të gjitha shkrepëset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë”.

Pikërisht një deklaratë e tillë e bërë publike përmes ‘Zërit të Amerikës’ nga Yuri Kim, ka tërbuar Berishën, vetëm një muaj para zgjedhjeve të 14 majit, duke rikonfirmuar edhe njëherë qëndrimin e qeverisë amerikane se s’do të ketë asnjë qasje pozitive ndaj këtij njeriu. Për më tepër që është dhe një mesazh për qytetarët shqiptarë, që të tregohen siç janë në të vërtetë, të zgjuar, dhe që meritojnë më shumë se sa këtë soj politikanësh që u kanë zënë frymën përmbi 32 vite me radhë.

Berisha, menjëherë pas deklaratës së ambasadores amerikane në Tiranë, ka nxituar që përmes një postimi në rrjetin social ta akuzojë Yuri Kim se ka prona në Shqipëri. Madje ka bërë thirrje në drejtim të inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, FBI dhe Kongresit të SHBA që të hetojë sipas tij “aferat korruptive të guvernatores Kim, përfshirë këtu pronat e saj në Shqipëri. Ofrojmë kontributin tonë për këtë transparencë”. Vetëm disa orë më pas ka nxjerrë dhe kreun e Këshillit Kombëtar të “Rithemelimit” Edi Paloka, i cili ka ‘luajtur’ po këtë ‘molodi’ të shefit të tij, duke akuzuar për korrupsion ambasadoren. Një çmenduri e përmasave epike e Berishës këto akuza, pa asnjë bazë, thjeshtë dhe vetëm se e ka inatin me SHBA se e shpalli “non grata” dhe Yuri Kim nuk i jep as dorën.

Berisha në këto 32 vite ka treguar një ‘inflacion’ të lartë akuzash, mbi normalen dhe për një shpifës funksional, dhe ngritja e toneve të zërit kundër qeverisë amerikane dhe përfaqësueses së saj në Shqipëri, ambasadores Yuri Kim, tregon se niveli i hallit që e ka mbërthyer fort liderin e “Rithemelimit” në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor të 14 majit, është maksimal.

Jo për gjë, por duke qënë i sigurtë se do të jetë një humbës përballë mazhorancës së Ramës dhe në këto zgjedhje, nuk është e re kjo tashmë sepse po përsëritet si ritual për 10 vite me radhë, Berisha i duhet një alibi për të vetët për të justifikuar këtë humbje dhe për të mos shkuar në Këshillin Kombëtar të “Rithemelimit”, me rregulla statuti themi, për votëbesimin si kryetar i këtij grupimi politik brenda PD. Sepse sipas statutit të miratuar prej tij në këtë grupim politik, pezullohet nga posti i kryetarit automatikisht pas humbjes në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Dhe alibia më e mirë për Berishën për të qënë i justifikuar para ithtarëve të tij është hedhja e të pavërtetave të tilla në publik, dhe për të bindur ithtarët e tij se “po bën luftë me Amerikën, me një superfuqi, ndaj ka humbur përballë të korruptuarit Edi Rama, që ka korruptuar me prona në Shqipëri dhe ambasadoren Yuri Kim”!

Ajo që mund të themi është se, për t’u treguar serioz njëherë në jetën e tij, me qytetarët shqiptarë por dhe me ligjet e shtetit shqiptar, Berisha duhet me patjetër të thotë se ku janë këto prona që i paska sipas tij Yuri Kim në vendin tonë. Të marrë një laps dhe letër dhe në emër të lëvizjes së tij “Rithemelimi” të formulojë kërkesën për t’i verifikuar këto prona, që të mbështesë me fakte dhe prova akuzat e tij të bëra publike ditët e fundit. Eshtë gjëja më normale që mund të bëjë një politikan që dyshon për një gjë të tillë dhe që nuk bën deklarata si njeri në hall të madh.

Në fund të fundit Berisha ka dhe njerëzit e tij në administratë, që nga policia, Kadastra, Shërbimi Informativ Shtetëror, administrata shtetërore e deri tek Prokuroria Speciale, SPAK që mund të marrë informacion të detajuar se ku janë këto prona që ai thotë se i ka në Shqipëri ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Megjithëse Berisha po të kishte prova, do t’i kishte botuar në vend. Nuk i ka, ndaj vjen vërdallë rrugëve, ashtu siç e kanë mallkuar shqiptarët që ta shohin.

Duke qënë se është një akuzë shumë e rëndë që bëhet ndaj një zyrtari të lartë amerikan, për më tepër teksa nuk shoqërohet kjo akuzë me prova dhe fakte, është dhe një skandal diplomatik, duke na kujtuar bëmat e “babait” politik të tij Enver Hoxha në raport me SHBA, Berisha do t’i duhet t’i dalë zot me të gjitha mënyrat, akuzave të tij të rënda ndaj Yuri Kim.

Do t’i duhet ose të nxjerrë vendin ku pretendon sipas akuzës së tij se janë këto prona, të nxjerrë emrat nëse pretendon se janë të regjistruara në persona të tjerë, dhe t’i bëjë publike e t’i dërgojë në organet kompetente për t’i hetuar dhe gjykuar. Madje meqë ka si qëllim ‘të shpëtojë nderin e SHBA’, Berisha nëse disponon prova dhe fakte, ndonjë fotografi apo dokument pronësie, t’ia dërgojë dhe DASH-it, FBI dhe kongresit amerikan. Si ‘kontribut për transparencë’ siç deklaron dhe vetë ai në qëndrimin e tij publik kundër ambasadores Yuri Kim.

Fundja të bëjë një foto. Siç bëri media që publikoi foton e vilës së tij në Gjirin e Lalzit, dhe akuza ndaj korrupsionit të Berishës për të cilin u shpall ‘non grata’ dhe nga SHBA, zuri vend në sytë e publikut. Pasi nëse nuk do shoqërohej me këto prova, as që do ta besonte njeri që Berisha në mesditë në pallatin e tij në Tiranë qahej për varfërimin e shqiptarëve, ndërsa pasdite nga vila e tij në Lalz postonte akuza kundër keqqeverisjes së Ramës. Vetëm prokurorja e SPAK që po kundërshton hetimin e pasurisë së Berishës, e beson se ai është i varfër.

Në fund të herës, Berisha ka ‘shansin e artë’ që duke vertetuar akuzat e tij ndaj ambasadores Yuri Kim, të tregohet për herë të parë serioz dhe në sytë e SHBA. Anipse është person i shpallur ‘non grata’ nga DASH. Por ama do të ishte ‘non grata’ më serioz në të gjithë planetin.

Pasi nëse amerikanët të bindeshin se është një politikan që anon ndonjëherë dhe nga serioziteti, do kishin bërë gati letrat për të hapur gjyq ndaj tij, për këto akuza të rënda që nuk cënojnë vetëm Yuri Kim por dhe vetë qeverinë amerikane. Janë shpifje të nivelit të lartë këto, pasi është cënuar statusi diplomatik i ambasadores së SHBA në Shqipëri. Baraz me cënimin e sigurisë kombëtare të SHBA në çdo cep të globit.

Por Berisha është një ‘markë’ e vjetër shpifjeve, të cilën e njohin jo vetëm të gjithë shqiptarët që e kanë bërë hasha me kohë e me vakt, duke lënë grupimin që drejton dhe aleatët që ka afruar, sa të jetë gjallë ai aty në opozitë, por dhe partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët nuk e marrin asnjëherë seriozisht. Madje as që t’i japin dorën, në ndonjë takim kortezie, ku ka vite me radhë që nuk e kanë ftuar kurrë, duke e zhytur në një izolim të thellë. Ndaj nuk e marrin seriozisht, sepse nëse ndodhte e kundërta, Berisha do të ishte tashmë përballë gjyqit për shpifje, këtu apo në SHBA. E kemi në fuqi të pandryshuar ligjin e ekstradimit me SHBA.

 

Nëse bëhet thirrje në drejtim të qytetarëve që të mos ndjekin Berishën, të shpallur ‘non grata’ në SHBA, Britani dhe të konsideruar si të tillë nga gati të gjitha vendet e Europës dhe të rajonit të Ballkanit, shqetësimi i SHBA ritheksojmë, është për atë pjesë të ndërgjegjshme brenda PD dhe opozitës, e cila ende nuk e di as vetë se ku është. Dhe që për arsye të ndryshme, vijon ta ndjekë pas Sali Berishën.

Me sa duket amerikanët shohin se ka ende ndonjë shpresë për të shpëtuar të tjerë në radhët e mbështetësve të Berishës, dhe për t’i orientuar në kahjen demokratike. Janë të duruar aleatët tanë, nuk reshtin se përpjekuri për të shpëtuar dhe një njeri të vetëm, nga “tutela” e politikanëve të kalibrit të Berishës dhe sivëllezërve të tij, që u kanë bërë ‘shplarje’ truri ndjekësve të tyre, deri në atë shkallë sa të vendosen dhe në frontin anti-amerikan e anti-Perëndim për interesin e hallin personal të liderit ‘non grata’.

Por ngritja e toneve të Berishës e goditja që po i bën SHBA dhe përfaqësueses së saj në Shqipëri, Yuri Kim ka dhe një të mirë. Çdo e keqe e ka një të mirë. Akuzat e Berishës, fund e krye shpifje, po tregojnë më së miri se në çfarë halli është ai përballë izolimit ndërkombëtar, pamundësisë për të qënë faktor politik pasi se ka askush në ‘hesap’ e përballë drejtësisë shqiptare, e cila njëherë, sado vonë që të shkojë, do t’i hapë dosjet e tij të zullumit.

Nuk thonë kot të parët tanë trima dhe të zgjuar, se “qenit kur t’i vijë ngordhja, shkon e pë*mjerr në derë të kishës apo xhamisë”. Kështu po bën Berisha dhe me SHBA, të cilën e kishte kishë dhe xhami, në shumicën e herës, sa herë kërkonte që të vinte në qeverisjen e vendit. Me pak hipokrizi brenda, por ama në mënyrë publike ishte më i rezervuar.

Ndaj dhe Zoti me sa duket e ka dënuar Berishën që deri sa të dorëzohet tek i Ai të sillet nëpër Shqipërinë që e rrënoi sa herë ishte në pushtet, derë më derë, herë të Meta e herë vetëm, duke folur me vete sikur po komunikon me shqiptarët, pa busull dhe në ‘rënie të lirë’. Shqiptarët e kanë ‘matur’ shkallën e rrënimit të Berishës, ndaj ka kohë që i rrinë larg. Dhe me 14 maj, do jenë akoma më larg tij. Këtu do jemi, për të parë distancën e vërtetë.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mohammad: 07/04/2023 10:05

    Perse USA ndryshon"politike" me politikane shqiptar?! D.m.th ju flet troc jo nga kina,shume e thjeshte. Ne si popull jemi mesuar me ballit jo anash.Korbi ja futi vetes se nuk do ishin marrë me te nese do kishte pare punen e te dilte si burre shteti ne pension. Vuri dashurorin e argites e Ingrid harxhit"kryetar" te PD qe ta perdorte,ai si klysh pa shtylle kurrizore e shiti tani korbi ta gzoje non graden dhe shume shpejt burgun dhe konfiskimin e pasurise. Ky mkujton nje thenie"ta kerkoshe drunin me lek"????????????????????????????????

    Përgjigju
  • XXL: 07/04/2023 09:29

    Broçkulla antiberishë e servilosje lëpirje amerikanlloqe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja