Berisha shpall gjendjen
e fatkeqësisë natyrore |

Berisha shpall gjendjen<br />e fatkeqësisë natyrore |
Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur qeverinë për të përballur fatekqësinë natyrore që ka përfshirë pothuajse të gjithë vendin. Në mbledhje është vendosur të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore. Berisha u shpreh se situata është e keqe por sipas tij nuk duhet rënë në panik por duhet trajtuar gjithçka me maturi dhe urtësi. Berisha deklaroi se do bëhet gjithçka për të shmangur viktima të tjera. Ndërkohë kryeministri ka sulmuar opozitarët që sipas tij me deklaratat e tyre, po përdorin fatkeqisinë natyrore për të përfituar vota. Gjendja e fatkeqësisë natyrore është shpallur për Shkodrën, Kukësin Dibrën, Korçën dhe rrethin i Librazhdit, por edhe zona të tjera do të trajtohen si të tilla.

FJALA E BERISHES
Qeveria do e trajtoje problemin me të njëjtin standard të emergjencës civile. Gjatë javës që kaloi ka pasur një angazhim total të komitetit të emergjencave civile të kryesuar nga zoti Nishani, të forcave të armatosura të policisë së shtetit të shëndetësisë. Pra situata me të gjithë agresivitetin e saj në tërësi është përballuar. Dje ka qenë vikima e parë e lidhur direkt me hipoterminë. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familje së viktimës.

Trashësia e borës është e madhe, gjë që shton rrezikun e ortekëve. Përvec orteqeve rrezik serioz janë catitë, në zonat ku bora kalon një metër. Prandaj në emër të qeverisë, duke i shprehur solidaritetin më të madh banorëve të zonave me reshje të mëdha dëbore, i bëj thirrje qeverive vendore që të bëjnë gjithçka për të shmangur rreziqet më eminente. Një nga këto rreziqe është shembja e cative nga bora. Po e theksojë këtë sepse ka jo pak familje që nuk kanë mundësi të kryejnë shërbimet e duhura në këto rrethana. Duhet organizuar puna në mënyrë që të mos kemi familje në kërcënim.

Bora mbi një metër e gjysmë përbën një problem serioz për furnizimin me ushqime. Duke shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këto zona i japim mundësi ndërmarrjen e aksioneve më të shpejta për të hapur rrugët në këto rajone. Ndërkohë komiteti i emergjencës civile në bashkëpunim me qeveritë vendore ka ndërmarrë dhjetëra aksione nga toka dhe ajri për ti siguruar ndihma banorëve të këtyre zonave. Ky moment është një moment i vështirë, jo vetëm për Shqipërinë por për mbar Evropën, në të cilën ky i ftohtë dhe kjo stuhi dëbore ka shkaktuar mbiu 520 viktima. Kjo stuhi në disa vende përsëritet pas një shekulli.

Në këtë përpjekje njerëzit e qytetëruar janë të bashkuar sepse është një forcë madhore, ndërkohë që ata nga strofulla e tyre fërkojnë duart dhe gëzojnë duke vjell vrer nga mëngjesi deri në darkë me shpresën për të fituar vota nuk duhet të përfitojnë nga kjo fatkeqësi që po u ndodh banorëve fatkeq të atyre zonave.

Do bëjmë gjithçka për të mbrojtur jetën e qytetarëve, por edhe pasuritë e tyre duke shfrytëzuar cdo potencial.

Në këtë mbledhje vendosim për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këto qarqe. Do bëjmë gjithçka për të garantuar kalueshmërinë në të tërë territoret. Do bëjmë gjithçka që ti dërgojmë këtyre zonave ndihmat më të mëdha të mundshme. Forcat e armatosura janë të aktivizuara për të përmbushur detyrat e marra.

Ministritë kanë qenë që të gjitha në mbështetje të operacioneve intensive të realizuar gjatë këtyre ditëve. Stacionet metereologjike të vendit, rajonit e të europës paralajmërojnë vazhdimin e kësaj situate. Ne do bëjmë gjithçka që jeta e banorëve të shkoj drejt normalizimit. U bëj thirrje banorëve të shmangin udhëtimet të cilat kërcënojnë jetën e tyre. Me gjithë dëshirën e jashtëzakonshme që kjo qeveri ka për të ndihmua qytetarët, realiteti është se jo në cdo moment kjo ndihmë mund të arri në kohën e duhur. Nuk duhet trajtuar me panik. Nuk ka asgjë për të hyrë në panik me këtë situatë. Duhet trajtuar me maturinë dhe urtësinë më të madhe. ah/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024