Sali Berisha shfrytëzoi Ditën e Europës për një sulm të radhës ndaj përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Tiranë. Vetëm pak minuta pasi ambasadori i BE Silvio Gonzato ishte shfaqur krah për krah me kryeministrin Rama në aktivitetin dedikuar të javës europiane dhe i quajti spekulim pretendimet e opozitës se procesi i integrimit është bllokuar, kryedemokrati e quajti lobist të Ramës që trillon në Bruksel për llogari të tij.

Në një bashkëbisedim në rrjetet sociale, kryedemokrati akuzoi shefin e delegacionit të BE-së se është unifikuar totalisht me Ramën dhe sillet si të ishte ambasadori i tij. 

“Përsa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur, ky sillet si me qenë ambasador i Edi Ramës. Mbase, ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin. Për të mos treguar shumë gjëra të tjera.  Dhe se kur diskutohet nga Coelho se nuk i hiqet, pse nuk i hiqet imuniteti Lubi Ballukut, shkëlqesia e tij Gonzato, thotë se ky është interpretimi shqiptar i imunitetit. Është unifikuar komplet me Edi Ramën”, tha Berisha.

Ndërsa integrimi tha Berisha, është ditë e largët me e Edi Ramën në krye të qeverisë.

"Kjo ditë e gjen Shqipërinë në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë së saj.  Në një udhëkryq të shkatërrimit të ëndrrës europiane. Në shumë kuptime. Në një kuptim, zëvendësimit të vlerave europiane, standardeve, normave dhe kritereve, me ato të narkoshtetit, të pushtetit absolut të Edi Ramës", tha Berisha. 

Ramën e bën përgjegjës edhe për dështimin e protestës së tij, duke thënë se bllokoi me polici marshimin për shkak të frikës nga militantët demokratë. Por, këtu Berisha pranon disfatën e shifrave të protestuesve, duke thënë se duhet angazhim më i madh.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:21
Berisha pranon dështimin e protestës: Duhet të angazhohemi më mirë! Rama nga frika na bllokoi marshimin

1778325799_saliberisha.jpeg

Pas protestës së djeshme, kryetari i PD Sali Berisha ka pranuar dështimin dhe se ka nevojë për një organizim më të mirë. Edhe vetë ai është koshient, përveç atyre pak militantëve besnikë, nuk mund të frymëzojë asnjë qytetar të vetëm që t’i bashkohet në tubim.

“Ndaj dhe strukturat e PD, demokratët, është e vërtetë, duhet të organizohemi më mirë. Duhet ta kemi të qartë se po luftojmë me një diktaturë. Dhe lufta me një diktaturë është lufta më e vështirë, por është gjithashtu edhe misioni më i rëndësishëm që mund të përmbushë një njeri ndaj vetes së tij, familjes së tij, dinjitetit të tij dhe vendit të tij”, tha Berisha.

Pavarësisht se realiteti është krejt tjetër, Berisha vijon me propagandën e tij duke thënë se dje në protestë ishin dhjetëra e mijëra qytetarë ë iu bashkuan për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Edi Rama. Në një bisedë me qytetarët, Berisha flet për një jehonë të jashtëzakonshme botërore, ndërkohë që kjo protestë e 8-të, kishte pjesëmarrjen më të ulët se gjithë të tjerat.

“Së pari, dëshiroj të përulem me nderimin më të madh para atyre dhjetëra mijëra që u bashkuan dje në rrugët dhe sheshet e Tiranës në një kryengritje madhështore për të mbrojtur nderin, dinjitetin e çdo shqiptari. Për të mbrojtur ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, integrimin në Europë. Për të mbrojtur të ardhmen e tyre në Shqipëri. Ishte protesta, kryengritja paqësore e tetë, me një jehonë të jashtëzakonshme botërore. I ndiqni lajmet se si guximi, kurajo, sakrifica juaj u shndërrua në lajm botëror. U përcoll me dashamirësi absolute. Betejë si në legjendë kundër dyshes tashmë famëzezë në mbarë botën, Rama-Balluku”, tha Berisha.

Sali Berisha refuzon të pranojë që strategjia e drejtorit të Policisë së Shtetit Skënder Hita duke e bllokuar në bulevard, ishte një kurth për të. Ai thotë se kjo ishte direktivë e Ramës nga frika që ai ka prej protestuesve të Sali Berishës.

“Shqiptarët u janë përjetë mirënjohës për këtë sakrificë që ne do ta vazhdojmë gjer në largimin përfundimtar të kësaj të keqe të madhe. Të këtij njeriu që ka vendosur moral të regjimit të tij, moralin e etërve të tij xhelatë. Të këtij njeriu që bllokoi bulevardin e protestës paqësore për të treguar frikën dhe tmerrin që ka nga protestuesit”, tha Berisha.

Berisha vijon e më tej duke thënë se Edi Rama kishte dhënë urdhër që ai të shenjtërohej në protestë nga boti i ujit.

“Ky frikacak i ulët, ky kriminel ordiner, që njëherë nxjerr një bandit për të festuar praninë e liderëve europianë në një atentat ndaj meje. Njëherë tjetër urdhëron një kriminel në timon për të drejtuar topin e ujit. Por ta dijë mirë se Edi Rama nuk ka shpëtim. Çfarëdo që të përdorë, ai do marrë atë që meriton, do shkojë bashkë me lubinë e tij dhe Lindat e tij. Lindat e tij bashkëhajdute. Do shkojë atje ku e kanë vendin. Ky popull nuk ia fal kurrë Edi Ramës vjedhjet e tmerrshme që ka bërë”, tha Berisha.