Në një takim me të rinjtë për Portin e Durrësit, Sali Berisha bëri sërish thirrje për kryengritje të armatosur. Duke e quajtur një aferë projektin e ri për këtë port dhe duke denoncuar sipas tij, korrupsionin e Edi Ramës, Berisha tha se ky autokrat mund të rrëzohet vetëm me kryengritje paqësore të armatosur.
Një deklaratë që ka vënë menjëherë në lëvizje zyrën e shtypit të Partisë Demokratike, e cila këtë moment e ka prerë menjëherë nga video e transmetimit live në YouTube të aktivitetit, si edhe nga fjala e zbardhur e Berishës që publikohet e plotë në faqen e PD dhe u dërgohet edhe mediave.
“Në Europë thotë e kanë hequr. Në një kohë kur në Europë nuk e ka hequr asnjë vend, absolutisht. Çdo vend e ka rritur. Ka vende që e ka dyfishuar gjatë, në këtë periudhë, për fermerët, subvencionimin. E theksova këtë moment, sepse në qoftë se ne në një kryengritje paqësore të armatosur nuk i tregojmë vendin, nuk përmbysim këtë regjim, jo porti, por Shqipëria do ketë, do të jetë në rrokullisjen më të madhe”, tha Berisha.

Fjala e publikuar nga PD, ku është hequr fjala "e armatosur"
Kjo nuk është hera e parë që Berisha bën thirrje për kryengritje të armatosur. Madje, në protestën e 20 shkurtit ishte vetë Berisha i cili i shpalli protestuesit e tij, kryengritës të armatosur. Sipas Kodit Penal, marrja pjesë apo udhëheqja e një kryengritje të armatosur dënohet me burgim të përjetshëm.
Komente











