TIRANË-  Kreu i PSD, Tom Doshi ka përgënjeshtruar Sali Berishën, pas një postimi të tij ku pretendonte se Doshi ishte arratisur. Në një postim të publikuar ditën e sotme në Facebook, Berisha shkroi se SPAK ka lëshuar urdhërarrest për Tom Doshin dhe se që prej pasdites së djeshme ai ishte arratisur nga vendi ynë. Kreu i PD, pretendonte se Doshi u urdhërua nga Rama që t’ia mbathte në drejtim të padiur.

“Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd e qoshe-qoshe të Tiranës se Tom Doshi u arrestua, se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë dhe se Tom Doshi ishte diku larg apo te Rrapi e Treshit dhe sot në mëngjes do paraqitej burrërisht në SKAP për tu burgosur.

Sot në mëngjes gosipin e mori era dhe bashkë me të edhe urdhër-arrestin për Doshin, aleatin besnik të Ramaduros. Toma, që pardje ishte në Skap dhe dje u largua në drejtim të paditur, mbasi u urdhërua që t’ia mbathi. Rroftë drejtësia e Partisë së Krimit”, shkroi Berisha.

Por, gati 1 orë pas këtyre akuzave të lëshuara publikisht nga Berisha, ishte vetë Tom Doshi që e përgënjeshtroi duke publikuar një foto teksa pinte kafe dhe një puro në mes të Tiranës mes miqve. Ndërsa e quan Berishën mashtrues, Doshi thotë se ka 20 vite që shpif ndaj tij.  

“O Sali mashtruesi! Për 20 vjet ke shpif kundër meje. Nuk jam largu, jam këtu, në mes te Tiranes duke e pi kafen mes miqsh e jo mes paranojash. Nuk frikësohem se nuk e kam vjedhur popullin si ti”, shkruan Doshi.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Berishës, i cili pasi doli blof, zgjodhi të fshijë postimin. Ndërsa në një deklaratë nga selia blu përgënjeshtroi veten duke thënë se për Doshin nuk ka urdhërarrest dhe as nuk është arratisur, por e quajti një gënjeshtër që sipas tij është hapur nga SPAK.

"Toma nuk është arratisur dhe s’ka as mandat arresti, por kjo është një gënjeshtër që është hapur nga qendra kombëtare e shpifjeve”, tha Berisha.

Pasi sqaroi pozicionin për Doshin, Berisha u rikthye edhe te raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Tani që sipas tij raporti vërtetoi akuzat e PD-së është koha që qytetarët të ngrihen në protesta.

 

Postimi i Sali Berishës

 


Postimi i Tom Doshit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:31
Pasi doli blof, Berisha ia vë fajin SPAK: Tom Doshi nuk është arratisur, gënjeshtër e hapur nga ‘Qendra Kombëtare e Shpifjeve’ (VIDEO)

Sali Berisha përgënjeshtroi veten e tij nga selia blu, lidhur me postimin ku shpifte se Tom Doshi ishte arratisur për shkak se ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest. Berisha tha se kjo ishte një shpifje e lëshuar nga vetë SPAK, të cilin e quajti ‘Qendra Kombëtare e Shpifjeve’

“Nga ky moment e tutje ajo që deri dje është njohur si SKAP i partisë, do të quhet qendra kombëtare e shpifjes dhe dezinformimit. Ky institucion lëshoi dje pasdite dhe natën në Tiranë se ka pre mandatin e arrestit të Tom Doshit dhe se në mëngjes lajmet po nga këto burime afër vinin se Toma është arratisur. Imagjinoni ju se si i bëjnë hetimet këta, imagjinoni ju teknikat e tyre të hetimit. Sa herë të dëgjojnë fjalën SPAK, të kujtojnë qendra kombëtare e shpifjeve. Toma nuk është arratisur dhe s’ka as mandat arresti, por kjo është një gënjeshtër që është hapur nga qendra kombëtare e shpifjeve”, tha Berisha.