Në fillim, në një postim në rrjetin social “Facebook”, Berisha ka konfirmuar se premtimi i qeverisë, i bërë para zgjedhjeve parlamentare, për të rritur pagat dhe pensionet do të realizohet. Në postimin në rrjetin social ai shkruante: “Të dashur miq, rrogat dhe pensionet do rriten. Ne mbajmë premtimet! Sb”
Reagimi vjen pasi shumë media kishin pasqyruar lajmin konfidencial se rritja e premtuar e pagave nuk do të hynte në fuqi, duke cituar të njejtat burime nga ministria e Financave. Zyrtarë të ministrisë thanë të hënën se rritja e pagave dhe pensioneve do t’i lihej në dorë qeverisë së re, kur të marrë drejtimin në muajin shtator, me argumentin se nuk kanë tagër ligjor për të marrë vendime. Në rang vendi numërohen rreth 90 mijë buxhetorë dhe mbi 550 mijë pensionistë, kurse fatura për rritjen e pagave dhe pensioneve (sipas planit paraprak) ishte rreth 2.5 miliardë lekë.
Nga të njejta burime, mësohet se duhet të ketë patur një përplasja midis ministrit Bode dhe kreut aktual të Ekzekutivit Berisha, ku ky i fundit ka kërkuar me insistim që të vihet në zbatim rritja e premtuar, ndërkohë që kreu i Financave ka argumentuar se burimet për një gjë të tillë janë shteruar, si pasojë e të ardhurave shumë më të ulta nga planifikimi në pesë muajt e parë të vitit.
Por, pas urdhërit politik nga Berisha, ministria njoftoi zyrtarisht se Vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve do të hynte në fuqi duke filluar nga 15 korriku dhe jo më 1 korrik, siç parashikohej dhe do të ketë efekt prapaveprues.
Sipas rregullit buxhetor dhe ligjeve në fuqi, rritja e pagave dhe pensioneve duhet të ndodhë, pavarësisht vullnetit politik apo pamundësisë financiare të qeverisë, në të paktën sa niveli i inflacionit, që mesatarisht është rreth 2.5 për qind.
Sipas projektvendimit, rritja llogaritej duke nisur nga 2 deri në 5 për qind, sipas kategorive, ku për nivelin e lartë të drejtuesve të shtetit nuk do të kishte shtesa, kurse përfitimin më të madh do ta kishin punonjësit me pagën më të ulët.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)