Berisha: Vendi drejt gjendjes
së jashtëzakonshme

Berisha: Vendi drejt gjendjes<br />së jashtëzakonshme
TIRANË – Prej 12 ditësh e gjithë Shqipëria e në veçanti veriu e verilindja e saj po kalojnë një situatë të jashtëzakonshme, të papërjetuar prej shumë vitesh. Që prej ditës së djeshme problemet nga moti i keq kanë prekur edhe juglindjen e vendit. Krahas bllokimit të rrugëve dhe urgjencave për shëndetit nga disa komuna të vendit po vjën alarmi për mungesën e ushqimeve.
Sipas informacioneve të mbërritura në Shqiptarja.com në Pukë dhe Kukës të gjitha akset dhe komunat rezultuan edhe sot të bllokuara dhe paraqitet shumë e vështirë hapja e rrugëve për shkak të borës që vijon të bjerë me intensitet.

MBLIDHET QEVERIA NE OREN 20:00
Qeveria do të mblidhet sot në mbrëmje për të vendosur lidhur me gjendjen aktuale në vend për shkak të motit të keq. Njoftimi ka ardhur zyrtarisht nga zyra e shtypit të Këshillit të Ministrave ku njoftohet se mbledhja do të drejtohet nga kryeministri Berisha.


EMERGJENCAT: 55 KOMUNA TË IZOLUARA
Situata e zonave të bllokuara nga dëbora është alarmante. Raportohet se 55 komuna në vend janë të izoluara ku trashësia e dëborës arrin deri në 2 m. Kjo është shifra më e lartë e zonave të bllokuara e dhënë nga emergjencat civile. Në Shkodër janë izoluar 15 komuna ndërsa në Kukës 24 fshatra kanë mbetur të bllokuar. Sipas drejtorisë së emergjencave civile situata e rënduar paraqitet edhe në Dibër, në Korçë dhe në Lezhë.


BERISHA NË KUKËS
Kryeministri Berisha së bashku me 6 minista të kabinetit të tij kanë mbërritur sot në qarkun e Kukësit për të parë nga afër situatën e rënduar në këtë qark. Shefi i qeverisë ka mbledhur sot shtabin e emergjencave në prefekturën e Kukësit lidhur me masat e marra për zonat e izoluara dhe furnizimin e tyre me ushqime ndërsa në mbledhje marrin pjesë edhe ministri i brendshëm, i shëndetësisë, i arsimit, i mbrojtjes, i mjedisit dhe ministri i transporteve.
Ai ka deklaruar se do t'i kërkojë sot qeverisë që të shpallet gjendja e jashtëzakoshme pasi situata po rëndohet jo vetëm në veri por edhe në juglindje të vendit. Kryeministri lajmëroi gjendjen e emergjencës për qarkun e Kukësit Duke shprehur ngushëllimet për familjen Qarri që humbën dje të afërmin e tyre kryeministri njoftoi lëvrimin e fondit për t'i ardhur në ndihmë banorëve në vështirësi . Ai ka falenderuar edhe banorët për solidaritetin e treguar në këto ditë të vështira ndërsa ka shtuar se do të merren masa për zhbllokimin e rrugëve nga dëbora si dhe furnizimi I banorëve të izoluar me ushqime.

TROPOJE
Banorët në Dragobi japin alarmin se u kanë mbaruar rezervat ushqimore. Ata kanë bërë apel për ndihmë, ndërsa situata rëndohet edhe në fshatin Has.Tre familje në fshatin Gegaj të Tropojës kanë mbetur të bllokuara që prej 4 ditësh si pasojë e dëborës që arrijnë mbi 2 metra. Sipas banorëve fshati rrezikohey nga orteqet e dëborës ndërsa një tjetër shqetësim është edhe pakësimi i rezervave ushqimore.
Ndërkohë reshjet e dendura të dëborës kanë krijuar situatë kritike në rrethin e Tropojës. Sipas policisë rrugore shumica e akseve që lidhin këtë rreth me zonat e tjera janë të pakalueshme ndërsa në shumë të tjera qarkullimi i automjeteve bëhet me vështirësi.

BLLOKOHET AKSI PESHKOPI – TIRANË
Reshjet e dendura të dëborës kanë bërë që të bllokohet aksi nacional Peshkopi – Tiranë, konkretisht në vendin e quajtur Qafë - Buall. Ndërkohë, raportohet se në Pukë për shkak të temperaturave të ulta mungon uji i pijshëm. Paraditen e sotme komunat e Pukës, Dibrës e Kukësit janë të bllokuara.

BULQIZË
Në disa komuna të rrethit të Bulqizës lartësia e borës arrin në 3 metra. Ndërsa, era e fortë po krijon stuhi të mëdha dëbore në disa zona. Ka disa fshatra në këtë rreth, të cilat që prej datës 6 janar të cilat janë tërësisht të izoluara e madje prej ditësh nuk kanë komunikim me pushtetin vendor në Bulqizë.


KUKËS
Një situatë po aq shqetësuese vërehet dhe në Kukës. Në qytet trashësia ka arritur 85 cm dhe 2.5 m në fshatra. Reshjet e dëborës janë aq të dendura sa kanë vështirësuar ndjeshëm edhe lëvizjen në akset rrugore brenda qytetit të Kukësit, ku është bërë urgjente ndërhyrja e mjeteve borëpastruese për hapjen e rrugëve brenda qytetit. Sot në mëngjes të gjitha zonat rurale në rrethin e Kukësit janë ribllokuar sërish si pasojë e reshjeve të pandërprera të dëborës, që vazhdojnë me intensitet të lartë.

KORÇË
Vështirësi raportohen dhe nga zona e juglindjes së vendit në Korcë e Pogradec ku bora po bie edhe sot me intensitet të madh. Në qarkun e Korçës që prej disa ditësh vijojnë të mbeten të bllokura disa prej komunave, ndërsa dita e shtunë ka zgjeruar edhe më tej izolimin e tyre.
Sipas Shtabit të Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Korçës, komuna e Çlirimit në rrethin e Kolonjës dhe komuna e Lekasit në rrethin e Korçës, të cilat u izoluan disa ditë më parë, vijojnë të mbeten të bllokuara pa asnjë mundësi qarkullimi për automjetet dhe njerëzit. Natën e së shtunës u bllokua edhe komuna e Trebinjës në rrethin e Pogradecit dhe Komuna e Liqenasit në rrethin e Korçës.
Vështirësi të shumta paraqet Qafa e Thanës, veçanërisht për mjetet e rënda, ndërsa është bërë e pakalueshme rruga nga Kapshtica në drejtim të Kozanit në Greqi.

DJE
Mbrëmjen e së shtunës është arritur të nxirren nga bunkeri, në maj të malit Oplas, ku ishin bllokuar që dje dy kushërinjtë Qarri. Kushërinjtë u shpëtuan nga 9 burra të fshatit Krumë, të cilët fillimisht u bllokuan bashkë me dy kushërinjtë për shkak të borës së madhe. Myrteza Qarri ka mbërritur në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Isa Qarri humbi jetën menjëherë pasi mbërriti në spital.
Vendndodhja e dy kushërinjve, Isa dhe Myrteza Qarri nga fshati Qarr i Komunës Golaj, u zbulua sot. Ata humbën ditën e djeshme në malin Oplas, ku gjendeshin për të rregulluar një antenë të një kompanie celulare.
Për shqiptarja.com u bë e ditur se dy të humburit u gjendën në një bunker në maj të malit. Gjendja e të bllokuarave në bunker ishte kritike për shkak të asfiksimit, nga zjarri i ndezur gjatë natës. Asnjë prej të bllokuarve nuk ka arritur të ngrihet dhe të zbresë në këmbë.
9 burra kanë shkuar nga Kruma në maj të malit për të ndihmuar të bllokuarit, por prej lodhjes nuk arritën të jepnin ndihmën e menjëherëshme.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024