Berisha (vetë)shpallet “Fisnik i
Tiranës”, Tafaj: Vlerë qytetare

Berisha (vetë)shpallet “Fisnik i<br />Tiranës”, Tafaj: Vlerë qytetare
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha e ka shpallur veten “Fisnik të Tiranës”, për kontributin e madh që ka dhënë në fushën e shëndetësisë. Në të vërtetë titulli i është dhënë nga shoqata “Tirana”, që drejtohet nga Arben Tafaj, i cili që prej vitit 2003 mban postin e kreut të njësisë bashkiake nr.8 në Tiranë, nën siglën e Partisë Demokratike.

Kjo shoqatë nderon me titullin “Fisnikëria e Tiranës” ata që janë me origjinë nga Tirana, ndërsa ata që kanë kontribuar për Tiranën, por nuk janë me origjinë nga Tirana u jepet titulli “Mirënjohja e Tiranës”. Por ndonëse tiranasi Arben Tafaj, në një forum për “Shqiptarja.com” shprehet se ky nderim i është bërë Berishës, jo si kryeministër, por si mjek vizionar, në të vërtetë duket se çmimin ai kanë dhënë për postin që mban.

Të paktën këtë të lë të kuptosh motivacioni që shoqëron këtë titull ku thuhet “për kontributin e veçantë në modernizimin e mjekësisë shqiptare, mjekut të madh reformator e vizionar, Kryeministrit Sali Berisha”.

Ndërsa Majlinda Keta, një ndër figurat më të njohura të kryeqytetit për kontributin në arsim, por edhe aktiviste e kësaj shoqate, shprehet se Tirana, para se të nderojë brezin e Berishës, ka harruar të nderojë me këtë titull doktorë profesorët që vdiqën me stetoskop e bisturi në dorë dhe në një shërbim publik 24 orësh për popullatën vendase.  
 
FLAMUR TARTARI

Shoqata “Tirana” bëri shumë mirë që nderoi disa nga mjekët më të njohur dhe që ishin harruar. Siç ishte rasti i profesorit të njohur Osman Jonuzi, i cili nuk është nga Tirana, por i ka shërbyer gjithë jetës këtij spitali. Kur nderohen ata që i kanë dhënë shëndetësisë, nuk ka vend për politikë. Kjo gjë vlen edhe për kryeministrin Berisha.

MAJLINDA KETA

Rasti për të cilin u dhanë këto tituj lidhet me 85 vjetorin e Mjeksisë Publike dhe si e tillë ngjarja nuk ka prioritare protokollin e një shoqate, por të institucioneve qendrore shqiptare. Në se do duhej të shprehnin mirëjohje për kontributorët në 85 vite nderin DITËS duhet t’ia bënte Presidenti, Kryeministri dhe Ministrija e Shëndetsisë.

Pas këtyre do të ishte me plot kuptim që edhe Shoqoata "Tirana" mund të ndalej në mirënjohje publike. Shoqata ka vite që në fushën e arsimit dhe të kulturës ka akorduar vlerësime edhe për qytetarë me vendlindje jo Tiranën. Kjo është një filozofi e kohezionit të vlerave.

Pa marrë përsipër që të analizoj burimin dhe demokracinë e vendimarrjes për titullin "Fisnikëria e Tiranës" për doktor Berishën, do të thoja që Tirana ende nuk i ka dhënë këtë titull doktorëve profesorë që vdiqën me stetoskop e bisturi në dorë dhe në një shërbim publik 24 orësh për popullatën vendase.

Kështu do përmendja plejadën intelektuale të doktorëve në Tiranë si Hamdi Sulçebe, Hiqmet Dibra, Selaudin Bekteshi, Kosturi, Petro Cani, Bajram Preza, Ali Kuqo, Hysen Baboci, Xhelal Kurti, Besim Elezi, Fiqiri Basha, Luigj Benussi, Glozheni, etj. Të më falin të tjerë familjarë mjekësh që nuk i kam përmendur e që titullin publik të shërbimit e kanë fituar nga popullata tiranase.

Nuk pretendoj që e njoh çdo detaj të fushës, por kam shprehur atë që kam dëgjuar e përjetuar nga prindët dhe gjyshërit e mi. Pasi të shpreheshin për këto intelektualë që themeluan dhe ndërtuan institucionin e Mjeksisë Publike i vinte rradha brezit të doktor Berishës. Më vjen keq që në emër të shoqatës ka devijanca në hierarki të vlerësimit të vlerave edhe për arsimin dhe kulturën.

Sigurisht vendimarrjet për akordime të tilla janë në dorë të atyre që janë zgjedhur nga anëtarësija e Shoqatës, por hirearkija e vlerave duhet të jetë një parim sa moral aq edhe institucional ndaj publikut. Kjo për sot dhe nesër, pasi Shoqatës i duhet të përballet moralisht dhe institucionalisht me kënaqësinë apo pakënaqësinë ndaj cilësisë së shërbimit mjeksor publik mes 85 viteve dhe ndër to edhe 8 vitet e fundit Kryeministrit Berisha.

Personalisht kam pritur shumë shumë më tepër nga Prof. Dr Berisha në arsim e shëndetsi. Me sa duket politikani Berisha nuk është mundur dot moralisht dhe institucionalisht nga Prof. Dr Berisha.

ARBEN TAFAJ

Qëllimi i shoqatës “Tirana” për dekorimin e Berishës, nuk ka sfond politik. Ne nuk ia kemi dhënë këtë titull si kryeministër Berishës, por si mjek; për kontributin që ai ka dhënë në fushën e shëndetësisë. E përsëris: ia kemi dhënë këtë titull në kontekstin e vlerave qytetare dhe jo si politikan. Edhe babai i Edi Ramës, skulptori Kristaq Rama, është nderuar për kontributin në këtë fushë.

Është njësoj sikur ai të mos nderohet për veprën e tij, për shkak të funksioneve të larta që ka pasur në kohën e monizmit. Çmimet janë ndarë me rastin e 85-vjetorit të gurit të parë të themelit për ndërtimin e Mjekësisë Publike sot QSUT dhe me këtë rast ne kemi nderuar edhe drejtorin e parë të këtij spitali Osman Jonuzi, i cili është nga Libohova e Gjirokastrës, por ia ka dedikuar jetën spitalit në Tiranë, mjekët e njohur tiranas Shefqet Ndroqi, Flamur Tartari dhe Bedri Bylyku.

Nuk është hera e parë që ne nderojmë personalitete që nuk janë me origjinë nga Tirana. Shoqata jep dy tituj: “Mirënjohja e Tiranës” për ata që kanë dhënë kontribute në fusha të ndryshmne dhe nuk janë me origjinë nga Tirana dhe “Fisnikëria e Tiranës”, për të njëjtat motive, por për ata që janë me origjinë nga Tirana. Në rastin e sotëm ne nderuam me titullin e fisnikut të Tiranës, dy personalitete të shquara të shëndetësisë që nuk janë me origjinë nga Tirana, por kanë jetuar dhe kanë kontribuar shumë për qytetin e Tiranës”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik