Kaosi i përsëritur i Rithemelimit në Kuvendin e Shqipërisë edhe gjatë ditës së sotme ku hodhi tymuese e kapsolla ka marrë sërish vëmendjen e medieve të rëndësishme botërore.
Washington Post është ndalur te skenat që për kuvendin tonë janë të përsëritura prej javësh nga Rithemelimi por që në fakt janë të paprecedenta ndonjëherë në një parlament në botë.
"Për muaj të tërë, partitë opozitare shqiptare kanë përdorur flakë dhe zhurmë për të përçarë Parlamentin, në shenjë proteste ndaj asaj që ata e përshkruajnë si sundim autoritar të Partisë Socialiste në pushtet. Të enjten, ligjvënësit miratuan buxhetin vjetor dhe projektligje të tjera, pavarësisht pretendimeve të opozitës se socialistët e majtë kanë bllokuar ngritjen e komisioneve për të hetuar akuzat për korrupsion në qeveri.
Trazirat filluan në tetor, pak përpara se prokurorët të akuzonin Sali Berishën, 79 vjeç, ish-kryeministër dhe president dhe tani kreu kryesor i Partisë Demokratike të qendrës së djathtë, për korrupsion lidhur me një skemë të blerjes së tokës që është nën hetim ligjor në kryeqytet. Parlamentarët e opozitës grumbullojnë rregullisht karriget, përdorin flakë, ndezin zjarre të vogla dhe madje kapin fizikisht mikrofonat kur homologët e tyre socialistë marrin fjalën", shkruhet mes të tjerash në artikullin e Washington Post.
Grupi i deputetëve të Rithemelimit me në krye Sali Berishën edhe në këtë seancë të rëndësishme ku u kalua buxheti dhe paketa fiskale shkoi me objektivin e qartë, të shkaktonin kaos dhe të mos lejonin një seancë normale. Rithemelimi sërish hodhi tymuese e kapsolla ndërsa u përplas edhe me gardën që ruante sallën. I pranishëm për të votuar ishte edhe kryeministri Rama, ndërsa BKH nxitoi të mblidhte provat që lanë pas lëndët piroteknike. Si gjithnjë, skenari nisi me përplasje me Gardën rreth një orë para se seanca të fillonte zyrtarisht.
Komente

