Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, niset për një vizitë treditore në Izrael, me ftesë të Kryeministrit Benjamin Netanyahu. Qëllimi i vizitës është nxitja e bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Kreu i qeverisë shqiptare do të ketë bisedime me autoritetet më të larta në Jerusalem, si dhe takime me komunitetin e biznesit izraelit, në Tel Aviv. Delegacionin e Kryeministrit Berisha e shoqëron edhe një grup përfaqësuesish të biznesit shqiptar dhe medias.


Në axhendën e bërë publike nga kryeministria, kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin Shimon Peres dhe më pas edhe me kryeministrin Netanyahu, takim i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp.

Në ditën e tretë Berisha do të zhvendoset në Tel Aviv, ku do të përshëndesë punimet e Forumit Ekonomik Shqipëri-Izrael, i cili i jep një mundësi shumë të mirë për t’i prezantuar biznesit izraelit zhvillimet ekonomike të Shqipërisë dhe potencialet e saj të mëdha për investime.