Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka e ka cilësuar tradhti kombëtare nisjen e një hetimi nga Kuvendi për raportin e Dick Marty, për të hequr baltosjen e luftës së UÇK. Paloka shkruan se ky është vetëm një shërbim i fundit që Rama i bën  zëdhënësit të Millosheviçit.

Këto reagimet kaq kontradiktore lindin në një kohë që për të njëjtën çështje, kur mazhoranca akuzon PD dhe LSI, Berishen dhe Meten qe ne vitin 2011 votuan per raportin e Dick Marty-t ne Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që akuzonte UÇK-ne për krime lufte dhe transplant të organeve njerëzore në “Shtëpinë e Verdhë”. Ndërsa sot që Kuvendi i Shqipërisë, me iniciativë të PS, kërkon ngritjen e një komisioni të posaçem per pretendimet e raportit te Dick Marty-t dhe të dali me një qëndrim, Paloka e cilëson si tradhti kombëtare dhe shërbim që i bëhet Serbisë.

"Parlamentit shqiptar po i kërkohet sot të votojë një akt tradhtie kombëtare! Sapo dëgjova “objektin” e hetimit të komisionit hetimor që po ngre Rama sot në “parlamentin” e tij. Është qartazi një akt tradhtie që po i kërkohet të marrë vulën e Parlamentit të Shqipërisë! Rikthimi në opinion i akuzave për të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë” , megjithëse ato janë hedhur poshtë vite më parë, pikërisht në kohën që drejtues të UÇK u dërguan në Hagë, kishte hijen e tradhtisë. Megjithatë “implikimi” i Bashës në akuzat e ngritura prej Ramës edhe pse qartazi në mënyrë krejt absurde dhe qesharake, krijonte idenë se gjithë kjo maskaradë kishte qellime politike; sulmohej Basha e njëkohësisht tërhiqej vëmendja nga katastrofa ku e ka çuar vendin Rama. Sot, me objektin që i kanë vënë këtij komisioni hetimor, bëhet e qartë se qëllimi është vetëm një; hetimi i UÇK-së. Ky akt nuk ka vulë tjetër përveç asaj të tradhtisë. Kreu i grupit të “rilindasve” deklaroi me “krenarinë” provinciale që e karakterizon, se “siç e shihni ky komision nuk do të hetojë Lulzim Bashën po veprimtarinë e UÇK-se në Shqipëri…” Sipas Ballës, qëllimi i hetimit qenkesh që të vertetojë se UÇK nuk ka bërë krimet për të cilat akuzohet… Çfarë do të thotë kjo?!! Parlamenti i Shqipërisë heton a ka bërë krime UÇK-ja?!! Po pse kush në Shqipëri ka dyshime që u detyroka Parlamenti të hetojë?!! Çdo të thotë kjo në një kohë që me këto akuza absurde janë dërguar në Hagë, drejtuesit e UÇK?! Çfarë mesazhi i jepet botës kur vetë Parlamenti i Shqipërisë mendon se ka nevojë të hetohet veprimtaria e UÇK?! Ky nuk është gjë tjetër vetëm një sherbim i fundit ndaj zëdhenesit të Millosheviçit, mikut të përbashkët të Ramës me çetnikët serbë, një akt tradhetie kombetare dhe një thikë pas shpine për drejtuesit e UÇK-së në Hagë", shkruan Paloka.

Gjatë ditës së sotme Kuvendi miratoi me 83 vota pro, 10 kundër dhe 10 abstenim, ngritjen e Komisionit të Posaçëm për pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë, që implikonte UÇK-në.Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se ky Komision nuk ka për qëllimin hetimin e kryedemokratit Lulzim Basha, por se qëllimi i këtij Komisioni është mbledhja e të gjithë dokumenteve që ekzistojnë në Shqipëri në një raport të vetëm për të pastruar imazhin e Shqipërisë.