TIRANË- Me 83 vota pro, 10 kundër dhe 10 abstenim, Kuvendi ka miratuar ditën e sotme ngritjen e Komisionit të Posaçëm për pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë, që implikonte UÇK-në.

Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se ky Komision nuk ka për qëllimin hetimin e kryedemokratit Lulzim Basha. "Basha të rrijë i qetë", tha ai, sipas së cilit qëllimi i këtij Komisioni është mbledhja e të gjithë dokumenteve që ekzistojnë në Shqipëri në një raport të vetëm për të pastruar imazhin e Shqipërisë.

Sa i përket rolit të Bashës gjatë luftës së Kosovës, Balla tha se kjo është një çështje që u takon demokratëve të ngrihen dhe t'i kërkojnë "llogari".

Komisioni do të hartojë një raport të detajuar përmbledhës dhe informues për të gjitha këto çështje dhe ti prezantojë Kuvendit brenda një afati 3 mujor dhe për ta bërë këtë do t'i vihet në dispozicion dokumentacioni i plotë që disponojnë institucionet publike sipas ligjit në fuqi lidhur me dokumentacionin zyrtar dhe atë të klasifikuar. Propozimi i numrit 2 të socialistëve erdhi për shkak të debatit që ka krijuar raporti i Dick Marty rreth rolit në luftën për çlirimin e Kosovës të disa drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pretendimeve për ekzistencën në veri të Shqipërisë të burgjeve të UÇK. Kërkesa për ngritje e Komisionit është firmosur nga 18 deputetë, dhe ka ardhur pas akuzave të ngritura ndaj kreut demokrat Lulzim Bashës si i përfshirë në hetimin e luftës së UÇK, nga dëshmitarë të ndryshëm, mes tyre Melaim Bellanica si edhe Latif Gashi, edhe pse kryedemokrati i ka quajtur shpifje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:45
83 vota pro/ Miratohet ngritja e Komisionit të Posaçëm për raportin e Dick Marty që implikon UÇK-në (VIDEO)

Me 83 vota pro, 10 kundër dhe 10 abstenim, miratohet në Kuvend ngritja e Komisionit të Posaçëm për raportin e Dick Marty, që implikonte UÇK-në.

Ora 13:12
Komisioni i Posaçëm për 'burgjet' e UÇK-së/ Balla: Basha të qetësohet se s'do e hetojmë! U takon demokratëve t'i kërkojnë llogari për rolin e tij (VIDEO)

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka folur për ngeritjen e Komisionit të Posaçëm për raportin e Dick Martin që implikon UÇK-në.

Në fjalën e tij në Kuvend, Balla iu drejtua kreut të PD-së Lulzim Basha duke thënë se duhet të qetësohet pasi ai nuk është pjesë e hetimit, por shtoi se demokratët duhet të ngrihen dhe t'i kërkojnë llogari për rolin e tij.  

"Ky komision është për t'u verifikuar çfarë është bërë, ka pasur një përpjekje për ta lidhur me përfshirjen e Bashës, nuk ka të bëjë fare, nuk do ishte aspak e vërtetë një gjë e tillë se ne synojmë qe të bëjmë që dokumentacioni që ekziston në Shqipëri të përmblidhet, do ishte humbje kohe të hetosh Lulin, e ka vënë vulën e turpit në këtë çështje, i takon demokratëve që t'i kërkojnë se ca roli ka pasur ai. Unë jam munduar që ta bëjë publike rolin e tij, por nuk ka të bëjë me këtë çështje. E vetmja që gjë nuk më shkon në mendje është të bëjë politik me interesin kombëtar, sqarimi në një raport gjithëpërfshirësh është në dobi të imazhit të Shqipërisë dhe përmes instrumenteve që të sqarojnë Asamblenë e Këshillit të Europës, që nuk ka pasur krime lufte dhe krime njerëzimi në Shqipëri, shqiptarë e Kosovës kanë ardhur këtu në si emigrantë, nëse ka pasur krim ka qenë genocidi serb në Kosovë, kjo është e vërteta ajo që ka ndodhur dhe është detyra jonë që t'i sqarojmë", tha Balla në Kuvend.