TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka propozuar në Kuvend krijimin e një Komisioni të Posaçëm parlamentar për të hetuar pretendimet për ekzistencën në veri të Shqipërisë të Burgjeve të UÇK-së.

Burime për Report Tv konfirmuan se propozimi i numrit 2 të socialistëve erdhi për shkak të debatit që ka krijuar raporti i Dick Marty rreth rolit në luftën për çlirimin e Kosovës të disa drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pretendimeve për ekzistencën në veri të Shqipërisë të burgjeve të UÇK.

Kërkesa e kreut të grupit parlamentar të PS, vjen një ditë pasi ky i fundit i ka kërkuar Lulzim Bashës të sqarojë rolin e tij në hetimin e luftës së UÇK.

“Lulëzim Basha rezultoka të ketë futur në Shqipëri fshehurazi si turist ekspertin e OKB dhe duhet të shërbejë si dëshmitar i penduar kundër shpifjeve e trillimeve ndaj luftës së UÇK” shkruajti Balla një ditë më parë.