Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për herë të dytë në lidhje me protestën e dhunshme të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe përplasjet që ai ka me Lulzim Bashën, se kush do të marrë selinë e PD. Duke i konsideruar si dy kufoma politike, Rama ka një thirrje për të gjithë demokratët që t’i bashkohen për të bërë çtë munden për një Shqipëri më të mirë.

“Lërini në fatet e parashkruara humbësin kronik të selisë blu dhe personazhin pa seli të listës së zezë, të cilët të kujtojnë të dy fjalët e Xhokerit, “Skam asgjë për të humbur. Asgjë s’më dhemb dot më. Tashmë jeta ime është thjesht një komedi”! sa u shkon ai llafi… Varu teneqet! Kur shoh këto dy kufoma politike që luajnë kështjellash në mes të Tiranës dhe fajësojnë njëra-tjetrën se kush është shërbëtori im, më vjen t’u lëshoj demokratëve një kushtrim të megjithëzemërt: Ejani t’i japim ç’mundemi Shqipërisë, të bashkuar si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz!” - shkruan Rama.

Ndërsa më herët, gjatë ditës së sotme kreu i qeverisë ka reaguar për protestën me një shprehje të aktorit John Wayne, teksa shkruante në Instagram: "Jeta është e vështirë, por budallenjtë e vështirësojnë edhe më shumë".

Militantë të Sali Berishës sot kanë 'pushtuar' katin e parë të godinës, duke shqyer derën kryesore dhe thyer xhama. Varetë, shkallët, levat, çekiçët, trapanët dhe mjetet e tjera të 'arsenalit të pushtimit' e ndihmuan ish-Kryeministrin të merrte vetëm katin e parë të godinës, ndërkohë që Lulzim Basha qëndroi i paprekur në 'fronin' kaq të lakmuar të 'Kështjellës' blu në katin e dytë. Teksa dhuna po intensifikohej Lulzim Basha kërkoi ndihmën e policisë, e cila i është përgjigjur me vonesë sipas tij, duke marrë në kontroll situatën. Policia ka rrethuar me shirit 'skenë krimi' godinën.

Report Tv mëson se policia ka shoqëruar deri tani 50 persona, dhe janë arrestuar 11 persona, mes të cilëve ka demokratë që ishin brenda PD dhe protestues të Berishës. Nga protesta ka pasur edhe disa të plagosur por nuk dihet ende numri i tyre. Policia vijon hetimet dhe shoqërimin e personave të përfshirë në veprime të dhunshme dhe shkatërrim të pronës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:50
Protesta e dhunshme e Berishës, reagon për herë të parë Rama: Jeta është e vështirë, por budallenjtë e vështirësojnë edhe më shumë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me 'betejën' që u zhvillua sot në selinë e PD-së, ku Sali Berisha mësyu me militantët e tij për të marrë godinën. Rama ka zgjedhur të reagojë me një shprehje të aktorit John Wayne, teka shkruan në Instagram: "Jeta është e vështirë, por budallenjtë e vështirësojnë edhe më shumë".

Një situatë e paprecedentë u regjistrua sot në selinë e PD-së, Ku SalI Berisha me militantët e tij zhvilluan 3 orë 'betejë', por në fund nuk ia arritën qëllimit, të merrnin selinë e PD.

Militantët shqyen dyert e jashtme të selisë, por nuk depërtuan më shumë se sa deri te kati i parë për shkak se nuk mundën të shpartallonin dyert e blinduara. Ndërkohë në katin e dytë të selisë së PD ndodhej Lulzim Basha, i cili po zhvillonte mbledhje.

Teksa dhuna po intensifikohej Lulzim Basha ka kërkuar ndihmën e policisë, e cila i është përgjigjur menjëherë duke marrë në kontroll situatën. Policia ka hedhur gaz lotsjellës duke shpërndarë protestuesit.