Protesta e dhunshme, 11 të arrestuar, mes tyre demokratë brenda PD dhe protestues! 59 të shoqëruar, 8 janë të mitur! 7 qytetarë shkuan në spitale

Protesta e dhunshme, 11 të arrestuar, mes tyre demokratë brenda PD dhe protestues! 59 të shoqëruar, 8 janë të mitur! 7 qytetarë shkuan në spitale

Policia në selinë e PD

Selia blu është kthyer në sot skenë krimi, ku policia dhe prokuroria ishin të pranishme pas protestës për të mbledhur provat, sekuestruar kamerat e sigurisë dhe për të marrë dëshmitë e para lidhur me punën e paprecedentë që u zhvillua brenda ambienteve të një partie politike.

Sipas gazetarit Arsen Rusta policia ka shoqëruar deri tani 59 persona mes tyre 8 të mitur, dhe janë arrestuar 11 persona, mes të cilëve ka demokratë që ishin brenda PD dhe protestues të Berishës.

Nga protesta ka pasur edhe disa të plagosur. Avokati i Popullit njofton se në total 7 persona kanë marrë ndihmë mjekësore në spitale. Policia vijon hetimet dhe shoqërimin e personave të përfshirë në veprime të dhunshme dhe shkatërrim të pronës.

Militantë të Sali Berishës sot kanë 'pushtuar' katin e parë të godinës, duke shqyer derën kryesore dhe thyer xhama. Varetë, shkallët, levat, çekiçët, trapanët dhe mjetet e tjera të 'arsenalit të pushtimit' e ndihmuan ish-Kryeministrin të merrte vetëm katin e parë të godinës, ndërkohë që Lulzim Basha qëndroi i paprekur në 'fronin' kaq të lakmuar të 'Kështjellës' blu në katin e dytë.

Teksa dhuna po intensifikohej Lulzim Basha kërkoi ndihmën e policisë, e cila i është përgjigjur me vonesë sipas tij, duke marrë në kontroll situatën. Policia ka rrethuar me shirit 'skenë krimi' godinën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:59
Protesta e Berishës, Avokati i Popullit: Të shmangej dhuna! 59 të shoqëruar në polici, 7 qytetarë morën ndihmë mjekësore në spitale

1641679585_1641648888pdseli13.jpeg

Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me protestën e sotme të ish-kryeministrit Sali Berisha ndërsa njofton se në polici janë shoqëruar 59 qytetarë, 8 prej të cilëve të mitur. Ndër të tjera Avokati i Popullit ka bërë më dije edhe situatën me protestuesit që janë paraqitur në spitale ndërsa thekson se duhet të shmangej dhuna.

"Institucioni i Avokatit të Popullit ka ndjekur sot me vëmendje dhe shqetësim protestën e zhvilluar në kryeqytet duke angazhuar në terren me disa masa e më pas në Komisariate e qendra spitalore, disa grupe monitorimi. Ndërsa e drejta e protestës është një e drejtë e garantuar, është shumë e rëndësishme që ajo të ushtrohet në mënyre paqësore e të shmangen veprime të dhunshme. Grupi i monitorimit të Avokatit të Popullit ka qenë që prej orës 11.30, përreth zonës me qëllim verifikimin e problematikave që mund të lindnin apo shfaqeshin gjatë mbajtjes së kësaj proteste.

Përgjatë orës së parë të zhvillimit të protestës, në ambjentet përreth selisë së PD-së, situata ishte jo-problematike dhe karakterizohej nga lëvizje dhe përpjekje të vazhdueshme të protestuesve për të hyrë në mjediset e brendshme të selisë por forcat e rendit nuk kanë ndërhyrë dhe nuk kanë kryer veprime operative ndaj protestuesve.

Rreth orës 13.00 situata brenda perimetrit të selisë përshkallëzoi ndjeshëm dhe u konstatua një ndërhyrje e menjëhershme të forcave të Policisë së Shtetit për largimin e protestuesve si nga oborri i selisë ashtu edhe nga segmenti i unazës. Kjo ndërhyrje karakterizohej kryesisht nga përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit (i cili përbëhej nga një solucion me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë dhe me shkumë). Eshtë evidentuar një përdorim i lartë i gazit lotsjellës teksa Policia bllokoi perimetrin nga xhamia tek hotel “Dajti” si dhe urat lidhëse me pjesën tjetër të segmentit të unazës.

Gazi është përdorur në afërsi edhe të protestuesve të cilët nuk po ndërmerrnin veprime aktive ndaj forcave të Policise apo selisë së PD-së, nuk po tentonin të hynin me forcë në oborrin e brendshëm dhe nuk përbënin rrezik apo kërcënim për situatën. Përdorimi i gazit lotsjellës i gjeti protestuesit të papërgatitur dhe shumë prej tyre, të traumatizuar, kanë pasur të nevojshme marrjen e ndihmës mjekësore e cila u mundësua pas njoftimeve të qytetarëve. Një pjesë e punonjësve të Policisë nuk kanë pasur të dukshëm numrin e tyre të identifikimit.

Pas shpërndarjes së protestueseve, segmenti i Unazës ka vijuar të jetë i bllokuar, pasi përbënte skenë krimi dhe nga ana e forcave të Policisë është ndaluar hyrja e lirë e çdo individi qofshin këta dhe punonjës të medias.

Për shkak të përshkallëzimit të situatës dhe raportimit të rasteve të dhunës, përfaqësues të Avokatit të Popullit inspektuan gjendjen në spitalet e kryeqytetit për të verifikuar praninë e qytetarëve të lënduar atje si dhe nëse atyre u ishte ofruar ndihma e duhur mjekësore.

Në Spitalin e Traumës po merrte mjekim shtetasi me inicialet A.H i cili ishte i plagosur në pjesën frontale. Pas kontaktit me këtë shtetas, ai pretendoi se ishte qëlluar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në protestën e sotme. Për sa i përket mjetit zotëria iu referua si armë e cila qëllonte predhat e gazit lotsjellës. Sipas informacionit zyrtar të marrë në këtë spital, kishte marrë mjekim edhe një shtetas tjetër me inicialet N.A, i cili ishte lënduar po në kokë dhe pas marrjes së trajtimit ishte larguar.

Pas verifikimeve në Urgjencën e Spitalit “Nënë Tereza” rezultoi se kishin marrë trajtim për intoksikim me gaz lotsjellës 5 persona, ndër të cilët 3 femra dhe një punonjës policie mashkull. Njëra nga të lënduarat ishte punonjëse e medias.

Pasi kishin marrë trajtimin shëndetësor, gjendja e tyre ishte e mirë dhe ishin larguar nga spitali në momentin e verifikimeve. Si përfundim, në spitalin Ushtarak dhe në QSUT kishin marrë shërbim në total 7 persona.

Ndërkohë pas konstatimit të një numri shoqërimesh të kryera nga Policia e Shtetit, institucioni i Avokatit të Popullit kreu verifikime të menjëhershme në të gjitha komisariatet e Policisë së Tiranës si dhe në Drejtorinë e Policisë.

Sipas konstatimeve të Avokatit të Popullit, në të gjitha komisariatet e kryeqytetit ishin shoqëruar në total një numër prej 59 qytetarësh nga të cilët 28 persona në Komisariatin nr.1, 14 persona në Komisariatin nr.2, 8 persona në Komisariatin nr.3, 5 persona në Komisariatin nr.5, 3 persona në Komisariatin nr.6  dhe 1 person në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Të dhënat i referohen kohës së kryerjes së inspektimeve dhe situata vijon të jetë në dinamikë.

Ndërkohë sipas verifikimeve, 8 ndër të shoqëruarit ishin të mitur. Për të miturit veprimet kryheshin me përparësi dhe ishin njoftuar familjarët për të qenë të pranishëm në momentin e pyetjes së tyre.

Të gjithë të shoqëruarit u kontaktuan nga përfaqësuesit e Avokatit të Popullit dhe nuk rezultuan prej tyre pretendime për veprime të dhunshme të kryera gjatë shoqërimit apo kohës së mbajtur në komisariate, por ata kishin pretendime se nuk kishin kryer veprime të dhunshme, por ishin shoqëruar vetëm për pjesëmarrje në protestë. Grupet e monitorimit konstatuan disa parregullsi në mënyrën e plotësimit të regjistrave, apo në dhënien e kartës së të drejtave në momentin e shoqërimit.

Po ashtu u vërejt se numri i pergjithshem i të shoqëruarve ishte më i lartë se  kapacitetet akomoduese të dhomave të shoqërimit në disa Komisarite (Nr. 1 dhe nr. 2).  Masat anti-covid nuk respektoheshin. Avokati I Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike. Ai është nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.

Avokati i Popullit në përputhje me mandatin e tij kushtetues si mbrojtës i të drejtave dhe lirive themelore të individëve nga veprimet e administratës shtetërore, do të vijojë të monitorojë situatën në vijimësi."-bën me dije avokati i popullit.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë