Stenda e Shqipërisë gjatë këtyre ditëve të panairit ka zgjuar kureshtjen jo vetëm të investitorëve, por edhe të sekretarit të Përgjithshëm Parlamentar i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Gjermanisë, Hans-Joachim Fuchtel, i cili u takua edhe me ministrin e turizmit Blendi Klosi. Të dyja palët ndanë mendimin se Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një destinacion turistik europian nëse nuk mbështet turizmin te mjedisi.

Si në raste jo të zakonshme, në këtë edicion të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin, stenda e Shqipërisë është vizituar nga Sekretari i Përgjithshëm Parlamentar i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Gjermanisë, Hans-Joachim Fuchtel, si gjest i dëshmisë së mbështetjes së Gjermanisë ndaj reformave prioritare të Shqipërisë. Gjatë takimit, Ministri Klosi dhe sekretari Fuchtel diskutuan për të shtuar ndihmat gjermane nëpërmjet kooperacionit gjerman për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe për mbrojtjen e mjedisit në vendin tonë.

Minstri Klosi është shprehur: “Patëm një shkëmbim shumë të qartë idesh për të shtuar ndihmat gjermane nëpërmjet kooperacionit gjerman për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri, por dhe për mbrojtjen e mjedisit në vendin tonë. Është e padiskutueshme që për të qenë një destinacion turistik europian, Shqipëria duhet zhvillojë dhe të mbrojë mjedisin dhe duhet të kuptojë që nëpërmjet natyrës shtohen shumë më tepër shanset për një turizëm të qëndrueshëm”.

Një ditë më parë ministri Klosi ishte i përgjedhur si përfaqësues i Ballkanit për të folur në Konferencën ministeriale të turizmit ku kreu i turizmit shqiptar deklaroi se tregu shqiptar duhet të jetë në bashkërendim me partnerët lokalë për të hartuar paketa të përbashkëta rajonale për tregjet e treta.

Redaksia Online
m.p/shqiptarja.com