Pikërisht rruga e rritjes ekonomike është ajo që qeveria italiane po përpiqet të eksplorojë së bashku me Gjermaninë. Angela Merkel sot i priti mirë fjalët e Draghi-t, duke nënvizuar se objektivi duhet të arrihet “përmes reformave strukturale”. Nga ana tjetër e oqeanit, presidenti i FED, Ben Bernanke, paralajmëron se hapat përpara të Europës për zgjidhur krizën e borxhit nuk mjaftojnë: Europa, thotë, “duhet të bëjë më shumë për të respektuar impenjimet e marra”.
Me rrëshqitjet e mundshme politike në Francë e Hollandë dhe me Spanjën që shfaq shenja padurueshmërie, strategjia e rreptësisë e përqendruar deri tani në aksin Merkel-Sarkozy rrezikon të lëkundet, duke zhdukur sakrificat e bëra deri këtu e duke prishur ekuilibra të lodhshëm politikë. Monti, që duhet të bëjë llogaritë me recesionin dhe me një koalicion në vështirësi për shkak të peshës fiskale që shtohet, është i vetëdijshëm për rreziqet. Dhe nga Roma paralajmëron: për të dalë nga kriza “nuk ka rrugë të shkurtra”. “Rreptësia do të çojë gradualisht drejt rritjes dhe punësimit” dhe Italia duhet të ndryshojë “disa mënyra të menduari e të jetuari”. Një ftesë që vjen ndërsa rritet presioni i partive dhe ai i sindikatave. “Monti nuk po bën një punë të mirë sepse ka njoftuar një program rreptësie, barazie, rritjeje dhe shohim vetëm rreptësinë”, pohoi sot sekretaria e përgjithshme e CGIL, Susanna Camusso.
Një kritikë që nuk është as e re dhe as e papritur. Ajo që nuk është gjithashtu në linjë me kryeministrin është linja e Bankës Qendrore Europiane. Treguesit janë të paqartë, paralajmëron Draghi: tregojnë pasiguri të lartë mbi perspektivën e rritjes ekonomike. Vendet e Eurozonës me llogaritë jo në vijë “duhet të vazhdojë të bëjnë korrigjime”. Por “një konsolidim fiskal i aktualizuar vetëm përmes rritjes së taksave – thotë Draghi – është më pas reçesiv”. Sigurisht që në urgjencën e muajve të kaluar rritja e taksave ishte mënyra më e shpejtë për të ndalur arratinë e investitorëve. Por sot, pikërisht për të bindur këta investitorë që të kthehen, duhet krijuar zhvillim.
Përballë reçesionit që përkeqësohet dhe kërcënon deficitin, linja e Bankës Qendrore Europiane gjen paradoksalisht një krah në Francois Hollande, kundërshtarin e Sarkozy dhe kandidat favorit në presidencialet franceze: “pa rritje ekonomike Europa nuk do të mund të dalë nga kria”, thotë kandidati socialist duke premtuar se, nëse do të fitojë Elizeun, ditën e nesërme do t’i dërgojë një letër partnerëve të BE për të kërkuar masa pro rritjes. Nuk do konflikte me Merkel, thotë, por as të “fshehë dallimet në pozicionet tona”. Berlini e ka nuhatur prej kohësh dhe tashmë është në linjën e mbrojtjes: është “fals”, thotë zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, që Gjermania kërkon vetëm rreptësi: “dy shtyllat kanë qenë gjithmonë disiplina e bilancit dhe rritja”.
Përshtatur nga ANSA.
(im/shqiptarja.com)