Gjermania, që ka mbajtur një qëndrim të ashpër për eksportin e armëve, ka autorizuar livrime të tjera drejt vendeve arabe, disa prej të cilëve kishin mbështetur organizatën e Shtetit Islamik, konfirmoi sot e përditshmja "Suddeutsche Zeitung", në faqen e saj të internetit.

Sipas të përditshmes së Mynihut që citon një dokument të Komisionit të Cështjeve Ekonomike të Bundestagut (Dhoma e Ulët e Parlamentit), që përmend gjithashtu një takim të Këshillit Federal të Sigurisë, këto livrime si blinda, sisteme të ndryshme armatimi i përkasin vendeve si Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Algjeria.

E përditshmja shtoi se Jordania, sulltanati i Omanit dhe Kuvajti kanë qenë gjithashtu përfituesit e armëve.

Këto livrime ishin autorizuar nga Këshilli Federal, ku morën pjesë mes të tjerëve kancelarja gjermane, Angela Merkel, ministri i Ekonomisë dhe zëvendëskancelari, Sigmar Gabriel, ministrja e Punëve të Jashtme, Ursula von der Leyen.

E përditshmja "Süddeutsche Zeitung" përmend gjithashtu kritikat e ashpra nga opozita, si ajo e Jan van Aken, deputet i "Die Linke", e majta radikale gjermane.
Ligji gjerman ndalon eksportin e armëve drejt vendeve të ashtuquajtura treta, domethënë jashtë Bashkimit Evropian, por hap mundësinë për përjashtime, rast pas rasti.

Në vitin 2013, qeveria gjermane autorizoi 5,8 miliardë euro eksport armësh, 62 për qind prej të cilave jashtë vendeve të NATO-s, veçanërisht Algjeri, Katar dhe Arabi Saudite.

ATSH