Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ofron një kredi prej 100 milionë euro për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave, me qëllim sigurimin e sektorit bankar në vend.

Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave dhe BERZH-t. Ekspertë të ministrisë së Financave, gjatë prezantimit të projektit në komision, u shprehën se qëllimi i marrëveshjes është sigurimi i fondeve shtesë, përveç fondit të Agjencisë, për të përmbushur detyrimet e saj ligjore kundrejt depozituesve.

Projekti merr një rëndësi të veçantë në fushën e sigurimit të sektorit bankar në vend dhe financohet nga BERZH-i me një kredi prej 100 milionë eurosh, me kushtin që të ketë garancinë e Republikës së Shqipërisë.

Kjo linjë kredie, kostot e së cilës do të përballohen nga buxheti i Agjencisë, është e dobishme pasi i garanton Agjencisë fondet e nevojshme për të kaluar nga raporti prej 3.7% i mbulimit të depozitave të siguruara në sistemin banker, në atë prej 6%. Rritja e këtij raporti mbulimi kontribuon pozitivisht në aftësinë e Agjencisë për t'ju përgjigjur detyrimeve ligjore, në rast ngjarjeje sigurimi.

Linja e kredisë është efektive në nivel bankash të siguruara, sepse garanton mbulim të plotë të dy bankave më shumë se sa lejon portofoli aktual i Agjencisë. Aktualisht, fondi i sigurimit të Agjencisë mbulon

plotësisht 8 nga 16 bankat që kryejnë veprimtari në Shqipëri. Me fondet nga linja e kredisë ky mbulim shkon nga 8 në 10 banka. Gjithashtu, për 4 bankat e rradhës, për nga totali i depozitave të siguruara niveli i mbulimit shkon nga 40-50% në 70-80%. Linja e kredisë do të mundësojë likuiditet në një kohë të shkurtër (7 ditë) për t'ju përgjigjur depozituesve, në rast ngjarjeje sigurimi. Kompensimi i shpejtë i depozituesve është i një rëndësie të veçantë për të mos lejuar që ngjarje të veçuara sigurmi të shtrijnë efektet e tyre në të gjithë sektorin financiar duke ndikuar në qëndrueshmërinë financiare të vendit. 

ATSH