PRISHTINË, 27 Shkurt/ATSH/.- Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku zhvilloi sot një takim me përfaqësuesin në Kosovë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Anton Kobakov.
Sipas KosovaPress, ministri Çollaku vlerësoi ndihmën e BERZH-it sidomos në përkrahjen e sektorit privat, por edhe atij publik.
Kobakov e informoi ministrin mbi strategjinë për Kosovën të BERZH-it dhe palët ranë dakord se orientimet strategjike që dalin nga kjo strategji janë në përputhje me prioritetet strategjike të qeverisë së Kosovës.
Lidhur me këtë, Kobakov përmendi projektet në sektorin publik dhe atë privat që po implementon BERZH-i, siç janë projektet për rehabilitimin e infrastrukturës hekurudhore dhe asaj rrugore, transportin publik urban, themelimin e fondit për investim në ndërmarrje, për gratë në biznes, sektorin e bujqësisë si dhe projektet për energjinë efikase.
Të dyja palët ranë dakord që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe të gjejnë mënyra të reja për bashkëpunim në përkrahje të zhvillimit ekonomik të vendit./m.m/












