/ATSH/- Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) publikoi të martën raportin e tranzicionit, që tregon se si inovacioni i kompanive mund të zhbllokojë potencialet e rritjes së ekonomive.
Sipas BERZH, inovacioni i firmave në vendet ku ato operojnë kanë sjellë rezultate mikse. E themeluar nga qeveritë në vitin 1991 për të mbështetur vendet ish-komuniste të Europës Lindore, BERZH ka zgjeruar së fundmi mandatin e saj edhe në disa pjesë të Afrikës Veriore dhe Azisë Qendrore.
Banka ka arritur në përfundimin se, inovacioni nga kompanitë është një levë e fuqishme që mund të nxisë rritjen në vendet në zhvillim dhe jep një kontribut të rëndësishëm për të sjellë ekonomitë rajonale në të njëjtin nivel me vendet e tjera më të pasura. Por, në studim thuhet se, ndërkohë që ka pasur përpjekje për inovacionin, shumë kompani në vendet në zhvillim e kanë pasur shumë të vështirë të marrin kredi, duke i lënë pak mundësi firmave të trajnojnë stafin jashtë vendit.
Gjithashtu, BERZH parashikon se vendet anëtare do të rriten me 1.3% gjatë këtij viti dhe 1.7% në 2015, për shkak se sanksionet perëndimore kanë goditur Rusinë. "Mes sfidave të reja dhe të vazhdueshme politike dhe ekonomike, gatishmëria e vendeve për të zbatuar reformat ka rënë", thuhet në materialin e BERZH.
Raporti i Tranzicionit thekson se inovacioni nuk duhet të shihet vetëm në aspektin e "thyerjes së terreneve" por gjithashtu edhe si një mundësi për të kontribuar në rritjen e vendeve më pak të zhvilluara.








