BERZH: Rregullat ndryshuan
tani qeveria paguan faturat

BERZH: Rregullat ndryshuan<br />tani qeveria paguan faturat
TIRANE- Në një prezantim të raportit për tranzicionin nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kryeekonomisti i BERZH, Erik Berglof vlerësoi dje, në prani të kreut të Ekzekutivit shqiptar Edi Rama, marrëveshjen e nënshkruar mes Qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. "Mendoj marrëveshja me FMN ishte ekstremisht e rëndësishme, duke përçuar sinjalin se rregullat kanë ndryshuar. Tani do të kemi rregulla më transparente, do të jenë më të qarta.

Qeveria do të paguajë faturat e saj. Ka angazhim shumë serioz për përmirësimin e klimës së investimeve. Ndoshta nuk është ndërtuar shtëpia ende por po ndërtohen themelet dhe kati i parë. Duhet të keni këto themele para se të adresoni problemet e rëndësishme që keni në sektorin energjetik, reformën e pensioneve, huatë e këqija në sistemin financiar", tha Berglof.

Përfaqësuesi i BERZH bëri thirrje t'i jepet fund konflikteve politike dhe të krijohen kushtet e përshtatshme përmes reformave ekonomike dhe politike për thithjen e sa më shumë investimeve. Në këtë pikë, zoti Bergof dhe kryeministri shqiptar theksuan nevojën e investimit në kapitalin njerëzor.
Kryeministri Edi Rama tha se dy burime të rëndësishme, nga të cilat varej ekonomia shqiptare, remitancat dhe ndërtimi kanë pësuar rënie. Në këto kushte, Kryeministri tha se Qeveria ka identifikuar fusha të tjera, të cilat do të përbëjnë burim të rëndësishëm sa i përket rritjes ekonomike.

"Ne kemi një burim shumë të rëndësishëm rritjeje tek energjia, nafta dhe mineralet, në rast se edhe aty do të jemi në gjendje të zhvillojmë një model të ri demokratik të tregut; tek turizmi, në rast se do të jemi në gjendje të identifikojmë ashtu si duhet llojin e turizmit që do të zhvillojmë. Përsa kohë kemi vazhduar me një model të zhvillimit të turizmit bazuar tek rrëmuja urbane dhe tek prurjet patriotike, është absolutisht e pamundur të imagjinojmë se kjo mund të jetë e qëndrueshme.

Kemi një burim sigurisht edhe tek bujqësia", tha Rama. "Jemi vendi me volumin më të madh të diplomave pa vlerë. Klasifimin e fundit të shkollave tona të larta janë drithëruese dhe pa as më të voglin dyshim do të shkojnë duke u bërë ende më drithëruese, në rast se ne nuk do t'i japim fund një rruge rrënimi të kapitalit tonë njerëzor", shtoi ai.
 
Raporti
Raporti i tranzicionit 2013 i prezantuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se reformat strukturore në pjesën më të madhe të vendeve në tranzicion kanë ngecur që nga mesi i viteve 2000, duke reduktuar potencialin e tyre të rritjes afat gjatë. Raporti pyet se çfarë mund të bëhet për të rigjallëruar procesin e reformave dhe për t’i kthyer vendet në rrugën e rritje dhe konvergjencës me ekonomitë më të përparuara të Europës Perëndimore.
BERZH nënvizoi mbështetjen për procesin e reformave në Shqipëri, me nënshkrimin në fillim të këtij viti të memorandumit të Mirëkuptimit që synon përmirësimin e klimës në vend, si për investitorët e huaj ashtu dhe për ata vendas.

Shkrimi u publikua sot (5.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta