TIRANË- 60 milionë euro është kredia e radhës që shteti do të marrë nga BERZH për të financuar programin e zhvillimit të turizmit dhe të infrastrukturës në vend.
“Objektivi i përgjithshëm i programit është rritja e kontributit të turizmit të cilësisë dhe turizmit të qëndrueshëm për rritjen ekonomike e konkurrueshmërinë e rajoneve shqiptare”, thuhet në marrëveshjen e kredisë.
Përveç marrëveshjes së kredisë që ka mbërritur në Kuvend për tu miratuar, vendi do të përfitojë edhe 40 milionë euro grante për turizmin po nga BERZH. Programi ka për qëllim të përmirësojë turizmin e qëndrueshëm e të përgjegjshëm, duke rigjeneruar strukturën ekonomike lokale dhe mjedisin urban.
“Ai do të zbatojë dhe do të testojë modelin e zhvillimit ekonomik lokal të udhëhequr nga turizmi në territoret e bashkive Fier, Berat, Shkodër e Korçë, i përqendruar në një numër të modeleve pilot të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe mjeteve të destinacioneve të tjera lokale”, thuhet në relacionin e projektligjit.
Norma e interesit për ketë hua do të jetë e ndryshueshme dhe si strukturë përgjegjëse për zbatimin e këtyre programeve do të jetë Fondi Shqiptar i Zhvillimit deri në vitin 2025. Turizmi është një nga sektorët më të goditur në vend nga pandemia COVID-19, dhe sipas ekspertëve të fushës humbjet nga mungesa e turistëve kalojnë 1 miliardë euro.