Besimtarë të shumtë nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe qytetarë e pushues, u mblodhën këtë 15 gusht në Manastirin e Zvërnecit për të kremtuar fjetjen e Shën Mërisë, një prej festave më të rëndësishme të kalendarit të krishterë.
Qirinjtë e ndezur, lutjet për shëndet, paqe e mbarësi shoqëruan pelegrinazhin në një prej monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore e fetare në jug të vendit.
“Lavdi Perëndisë dhe sivjet na dha mundësinë Perëndia të festojmë së bashku, siç i themi në gjuhën tonë popullore, Pashkën e Vogël ose Pashkën e Verës. Dhe pse themi Pashkë? Sepse fjala Pashkë në kuptimin e vet është kalim. Sot festojmë ndryshimin e jetës së Shën Mërisë, kalimin e saj nga kjo botë në qiell, pranë Birit të saj dhe Perëndisë”, thotë At Jani Tereziu.
Një tjetër traditë e kësaj dite është marrja e degëve të dafinës nga manastiri.
“Dafina në Kishën Ortodokse ka kuptimin e saj në të Dielën e Dafinave, për hyrjen triumfale të Zotit Jezu Krisht në Jerusalem. Por sot nuk ka ndonjë kuptim të veçantë fetar. Është një traditë popullore e fshatrave përreth, që e marrin si bekim nga manastiri, por edhe e përdorin si zahire për dimër”, shpjegon ai.
Për shumë prej besimtarëve, kjo ditë është një moment i veçantë lutjeje dhe falënderimi.
“Shën Mëria është e të gjithëve. Dafinën e mora si shenjë për Shën Mërinë.”
“Unë erdha nga Greqia, por shtëpinë e kam këtu. Vij një herë në vit, kur është kjo ditë.”
“Është dita e nënës së të gjithëve. E gjithë botës është nëna.”
Në fund të ceremonisë, besimtarët u larguar nga manastiri me degët e dafinës dhe urimet për njëri-tjetrin, duke e mbyllur këtë ditë feste me shpresë për ditë më të mira.










Komente
Komento