TIRANË, 4 Tetor/ATSH/-Besimtarët myslimanë kremtuan sot Kurban Bajramin.
Kremtimi i kësaj feste nisi  në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë për të falur Namazin.
 
Kreu i Komunitetit Mysliman, Skënder Brucaj, duke uruar të gjithë besimtarët mysliman, theksoi se kjo ditë synon bashkimin. "Kjo e sotmja është dita e mirënjohjes ndaj begative të panumërta që Allahu i madhërishëm i dërgon njerëzve të tij. Le t'i gëzohemi së bashku kësaj dite të begatë. Le t'i shohim të gjithë njerëzit me syrin e madhërisë, ashtu siç na sheh i madhi Zot. Kjo ditë synon bashkimin e zemrave. Gëzuar për shumë vjet festën e Kurban Bajramit, paqe e begati", tha Bruçaj.
 

Ndërkaq, Drejtori i thirrjes në KMSH, Elvis Naci, në një mesazh urimi për besimtarët myslimanë, theksoi se "kjo festë duhet t'i shërbejë fëmijëve, të rinjve si sensibilizim për veprime të mira dhe mësime të vlefshme".
Sipas KMSH, programi  ka nisur sot nga ora 7:00 - 7:32 e në vazhdim do të vijojë me Lexim nga Kurani, Ilahi nga grupi i Medresesë së Tiranës, Ligjërata me temë 'Rëndësia e Kurban Bajramit', përshëndetja e kryetarit të KMSH-së, Falja, Hytbeja e Bajramit dhe qerasje për të pranishmit.
Nderkohe, në orën 10.00 do të fillojnë pritjet në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar. /a.ke/